Gjykata e Posaçme ka rrëzuar sot kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për ndryshimin e masës së sigurisë në rastin që lidhet me abuzimin e fondeve të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).
Beqaj ndodhet në burg që nga 4 korriku i vitit 2024, me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO-së, pasi prokuroria dyshon se ai ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e ndihmës që vinin nga Bashkimi Evropian. Parallellisht, ish-ministri ndodhet edhe në proces gjyqësor për aferën e sterilizimit të pajisjeve mjekësore.
Sipas SPAK, pasi Beqaj u emërua në krye të SASPAC, ai dhe vartësit e tij dyshohet se kanë ngritur një skemë korruptive me fatura fiktive, duke përfshirë edhe restorantin Gzona, i njohur për kuzhinën e tij të avancuar dhe klientelën e shquar në qendër të Tiranës.
Prokuroria pretendon se fatura të lëshuara nga Gzona, të kompanive që bashkëpunonin me projektin USAIR Facility Point, krijojnë dyshimin e përfitimit material për ish-ministrin Beqaj.
Më 27 dhjetor, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ndërmori bastisje në banesat, bizneset dhe automjetet e të dyshuarve, përfshirë Beqajn dhe shoferin e tij, Arben Dani. Beqaj deklaroi për gazetarët se nuk kishte pasuri të fshehur dhe se kontrolli ishte rutinor. Avokati i tij konfirmoi se u sekuestruan dokumente, kompjuterë dhe celularë, duke e lidhur hetimin me rolin e tij në SASPAC.
Përgjimet telefonike tregojnë se Beqaj vazhdonte të komunikonte me vartësit për çështje financiare të restorantit, duke ngritur dyshime për interesa të fshehura pas shitjes së aksioneve nga bashkëshortja e tij, Adriana Beqaj.
Prokuroria thekson se vlera e faturave të lëshuara nga restoranti Gzona për shërbime kateringu në kuadër të projektit EUSAIR përbën dyshim për korrupsion.
Po ashtu, lidhjet me shoqatën Foreign Investors Association of Albania (FIAA) dhe fatura të tjera të lëshuara nga biznese kulinare për transferimin e fondeve, ngre dyshime për keqpërdorim sistematik.
Koordinatori i projektit, Ermal Kurtulaj, sipas SPAK, është personi kyç që ka siguruar dhe menaxhuar lëshimin e faturave fiktive, duke përfshirë edhe ndërhyrje në operacionet e restorantit Gzona, për të mbajtur larg Beqajn nga lidhjet direkte me transaksionet.
Prokuroria po ashtu evidenton se shtetasit e përfshirë, duke përfshirë Kurtulajn dhe punonjës financiarë të SASPAC, kanë kryer veprime në konflikt interesi, duke përdorur OJF dhe persona fizikë për të fshehur përfitime financiare.
Ish-ministri, i cili ka qenë ministër i Shëndetësisë nga 2013 deri në 2017 dhe kryetar i SASPAC që nga 2021, përballet me akuzat më të rënda për shpërdorim detyre dhe korrupsion, duke u kthyer kështu në një nga çështjet më të ndjekura të SPAK.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.


























