Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 11 vite burg ish-biznesmenin e naftës Rezart Taçi, duke e shpallur fajtor për pastrim parash, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale në kuadër të këtij grupi.
Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Taçi, së bashku me kunatin e tij Artur Ballën, ish-truprojën Bledar Lilon dhe shtetasit italianë Francesco Zummo, Fabio Petruzzella, Daniele Cestagalli, si dhe persona të tjerë, janë të përfshirë në një skemë të organizuar për “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Hetimet kanë zbuluar se grupi kishte ngritur një skemë financiare komplekse për të pastruar rreth 18.3 milionë euro, të dyshuara si të ardhura të mafies italiane “Cosa Nostra”. Sipas dosjes hetimore, shuma ishte bllokuar në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, duke parandaluar transferimin e saj drejt disa shteteve, përfshirë Hong Kongun dhe Singaporin, ku synohej të legalizohej përmes investimeve në sektorin e hidrokarbureve.
SPAK thekson se operacioni ishte ndërtuar mbi një rrjet bashkëpunimi mes shtetasve shqiptarë dhe italianë, përfshirë Francesco Zummo, i cili më herët ka qenë i hetuar nga gjyqtari Giovanni Falcone për lidhje të dyshuara me organizatën mafioze “Cosa Nostra”. Hetimet tregojnë se Zummo kishte në zotërim pasuri të konsiderueshme të konfiskuara në Itali, ndërsa një pjesë e fondeve të tij, rreth 18.4 milionë euro, synohej të qarkullonte në Shqipëri përmes një skeme investimesh në naftë.
Sipas SPAK, në këmbim të rolit të tij në ndërmjetësim dhe organizim të transfertave, Rezart Taçi do të përfitonte një komision prej rreth 3 milionë eurosh. Hetuesit kanë dokumentuar komunikime mes të përfshirëve, si dhe lëvizje bankare, prokura dhe kontrata të përgatitura për realizimin e skemës.
Në këtë proces, përfshirja e Artur Ballës dhe Bledar Lilos është konfirmuar edhe nga dëshmitë dhe provat e administruara në gjykatë, përfshirë komunikime elektronike dhe veprime të tyre pranë institucioneve bankare. Po ashtu, në hetime është evidentuar edhe roli i ndërmjetësve financiarë italianë, të cilët kanë udhëtuar disa herë në Shqipëri për hapjen dhe menaxhimin e llogarive bankare.
SPAK ka kërkuar gjithashtu konfiskimin e shumës prej rreth 18 milionë eurosh në favor të shtetit shqiptar, duke e konsideruar atë si produkt të veprimtarisë kriminale.
Procesi ndaj Taçit është zhvilluar në mungesë, pasi ai ndodhet në arrati që nga viti 2021 dhe ishte shpallur më herët në kërkim ndërkombëtar. Gjykata e kishte pezulluar çështjen për një periudhë njëvjeçare për shkak të mungesës së tij, përpara se të jepte vendimin përfundimtar të dënimit.
Në të njëjtën çështje, më herët janë dënuar edhe bashkëpunëtorët e tij Artur Balla dhe Bledar Lilo, me dënime përkatëse prej 7 vitesh e 4 muaj dhe 6 vitesh e 8 muaj burgim, ndërsa disa persona të tjerë janë ndaluar nga autoritetet italiane në kuadër të hetimeve të përbashkëta ndërkombëtare.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.




















