Gjykata e Apelit konfirmon arrestin në shtëpi për kreun e ARRSH dhe KESH

Gentian Gjyli dhe Erald Elezi mbeten nën hetim nga SPAK për shkelje të prokurimeve publike dhe favorizim kompanish në projektet e energjetikës dhe infrastrukturës.

867
Gentian Gjyli, Drejtori i ARSH-së, dhe Erald Elezi, Drejtori i KESH
Credits: LSA - Gentian Gjyli, Drejtori i ARSH-së, dhe Erald Elezi, Drejtori i KESH

Gjykata e Apelit ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Gentian Gjylin, kreun e ARSH-së, dhe Erald Elezin, kreun e KESH.

Vendimi erdhi pas kërkesës së tyre për zëvendësimin e masës me një më të lehtë, me arsyetimin se po pengohet ushtrimi i detyrës.

Të dy zyrtarët po hetohen nga SPAK në kuadër të “Dosjes Balluku”, ku akuzohen për shkelje të rënda të prokurimeve publike dhe favorizim kompanish në tendera të energjetikës dhe infrastrukturës, përfshirë projektet e Tunelit të Llogarasë dhe Lotin 4 të Unazës së Madhe.

Dyshohet se Gentian Gjyli dhe Erald Elezi kanë favorizuar subjekte të caktuara në proceset e tenderimeve.

Gentian Gjyli, i cili ka mbajtur funksione drejtuese në menaxhimin e projekteve tenderuese, akuzohet për shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tendera dhe bashkëpunim në kryerjen e veprave Penale për tederin me objekt Ndërtimi i Tunelit  të Llogarasë.

Gjyli, ka qënë pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ku dyshohet se kriteret janë ndryshuar në mënyrë të herëpashershme, me qëllimin e vetëm për t’iu përshtatur kompanive të paracaktuara si fituese.

Ndërasa Erald Elezi, i cili ka mbajtur role operacionale ne fazën e zbatimit të kontratave publike akuzohet për shpërdorim detyre, bashkëpunim në shkeljen e procedurave të prokurimit publik dhe falsifikim dokumetesh në lidhje me dy tenderë me vlerë 210 milion euro, atë të Llogarasë dhe Lotin 4 e Unazës së Madhe.

Sipas Spak, roli i tij ka qënë i një rëndësie kyçe në mbulimin e shkeljeve të ndodhura gjatë fazës së zbatimit të projekteve duke justifikuar kësisoj pagesat shtesë dhe shtyrjen e afateve pa asnjë bazë ligjore.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.