Manovrat ligjore shpëtojnë zyrtarët e ARRSH-së nga gjykimi

Gjykata e Posaçme pushon çështjen për shkak të parashkrimit, pa shqyrtuar përgjegjësinë e tyre në themel për vepra penale që përfshijnë miliona euro tenderash.

439
Zyrtarët e ARRSH-së i shpëtojnë gjykimit
Credits: shteg.org - Zyrtarët e ARRSH-së i shpëtojnë gjykimit

Gjashtë zyrtarë të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera me vlera miliona lekësh i kanë shpëtuar gjykimit, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi më 13 mars 2026 pushimin e çështjes për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale. Kjo do të thotë se përgjegjësia e tyre nuk u shqyrtua kurrë në themel, edhe pse bëhet fjalë për tendera publikë me një vlerë totale prej rreth 22 milionë eurosh.

Sipas akuzës Arbër Troska, Miranda Shkurti, Nikollaq Mihali, Almir Hoxhaj, Erjon Zemanaj dhe Admir Pahumi, kishin ndërhyrë me veprime të paligjshme duke cenuar konkurrencën në një tender me vlerë rreth 22 milionë euro për rehabilitimin e segmentit rrugor “Mbikalimi Pallati me Shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja” në Unazën e Re në Tiranë.

Zyrtarët e ARRSH-së, u hetuan për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe sipas hetimeve procedura për Lotin 1 të Unazës së Madhe në Tiranë kishte ngritur dy “flamuj të kuq”: skualifikimin e të gjithë operatorëve konkurues përveç fituesit dhe përjashtimin e ofertës më konkurruese me çmim më të ulët, indikatorë që sugjerojnë rrezik për parregullsi ligjore dhe potencialisht praktika korruptive.

Procedura tenderuese u shpall më 14 qershor 2019, ndërsa katër muaj më vonë fitues u shpall bashkimi i operatorëve “Salillari sh.p.k.” dhe “Bajrami N. sh.p.k.”, duke skualifikuar edhe ofertën konkurruese me çmimin më të ulët.

Në Qershorin e 2025 Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mbylli hetimet paraprake për 6 zyrtarët e ARRSH-së, dhe i paraqiti Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykim.

Gjithashtu SPAK njoftoi se kishte analizuar e administruar dokumete tenderimi, procedura ankesash, oferta të dorëzuara dhe vendimet të Komisionit publik, si dhe kishte pyetur shumë persona përfaqësues të subjekteve ankimues dhe konkurues në cilësinë e personave që sqarojnë të rrethanat e hetimit.

Por 9 muaj më pas, më 13 Mars, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë pushoi çështjen për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale, ndërsa sipas vendimit, palët kanë të drejtë ta ankimojnë atë brenda 15 ditëve nga njoftimi, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.