18 vite nga shpërthimi i Gërdecit, familjarët kërkojnë drejtësi

Në përvjetorin e tragjedisë me 26 viktima dhe qindra të plagosur, familjarët thonë se procesi ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu në GJKKO është i vonuar, por i domosdoshëm.

510
Tragjedia e Gërdecit, ilustrim
Credits: shteg.org - Tragjedia e Gërdecit, ilustrim

Shpërthimi i fuqishëm në mesditën e 15 marsit 2008 në fshatin Gërdec pranë Tiranës i mori jetën 26 personave, mes tyre punonjës të fabrikës së demontimit dhe banorë të zonës, ndërsa rreth 300 të tjerë u plagosën rëndë. Qindra shtëpi u shkatërruan dhe dëmet ekonomike u konsideruan të pallogaritshme, ndërsa shpërthimi i qindra tonëve barut të grumbulluar në zonë hodhi në erë gjithçka përreth.

“Nuk është thjesht një datë përkujtimore. Është një kujtesë e përditshme e jetëve të humbura dhe e një drejtësie që ka marrë një rrugë tepër të gjatë për të mbërritur deri këtu”, thuhet në deklaratën e familjarëve të viktimave.

Zona ishte kthyer në një fabrikë për demontimin e municioneve, ku qindra tonë barut të grumbulluara në ambientet e jashtme u shndërruan në një vatër gjigante shpërthimi që shkatërroi gjithçka përreth.

Hetimet e mëpasshme zbuluan një sërë shkeljesh serioze në mënyrën se si ishte organizuar aktiviteti i demontimit. Sipas prokurorisë, shpërthimi u shkaktua nga futja në perimetrin e fabrikës e një karroce të sapo salduar. Po ashtu u zbulua se në procesin e demontimit punonin banorë të patrajnuar, ndërsa ushtria ishte përdorur për transportimin e municioneve të kalibrave të ndryshëm drejt një fabrike të ngritur pranë zonave të banuara.

Në hetimet e para u ngritën akuza ndaj 28 personave. Nga procesi gjyqësor, 19 prej tyre u dënuan për shpërdorim detyre, mes tyre ish-shefi i shtabit Luan Hoxha, ish-drejtori i ndërmarrjes së eksport-importit të armëve Ylli Pinari, ish-drejtori i fabrikës Dritan Minxolli dhe biznesmeni Mihal Delijorgji, ndërsa 9 të tjerë u shpallën të pafajshëm.

Megjithatë, familjarët e viktimave e kanë konsideruar gjithmonë tragjedinë si një krim shtetëror dhe kanë kërkuar që hetimet të shtrihen edhe mbi përgjegjësit politikë.

Njeriu që u kthye në simbol të luftës për drejtësi ishte Zamira Durda, nëna e Erisonit që u vra atë ditë në fshatin e tij Gërdec në moshën 7 vjeçare.

Pikërisht kërkesat e familjes Durda për hetimin e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu çuan në rihapjen e çështjes nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ish-ministri akuzohet për shpërdorim detyre të dyfishtë, sipas Kodit Penal dhe Kodit Ushtarak.

Sipas familjarëve, akuza ndaj ish-ministrit ishte ngritur që në vitin 2009, por nuk u gjykua për më shumë se një dekadë, pasi ai fitoi mandat deputeti dhe përfitoi nga imuniteti parlamentar.

“Ndryshe nga sa pretendohet shpesh publikisht nga ish-ministri i Mbrojtjes, gjyqi që zhvillohet sot nuk është një proces politik. Përkundrazi, historia e kësaj çështjeje tregon se pengesat ndaj drejtësisë kanë qenë të natyrës politike”, thuhet në reagimin e familjarëve.

Ata theksojnë se rikthimi i çështjes në gjykatë kërkoi vite të tjera pritjeje dhe një seri vendimesh nga të gjitha shkallët e gjyqësorit për të konfirmuar vlefshmërinë e hapjes së procesit.

“Akuza është ngritur brenda afateve ligjore dhe lidhet drejtpërdrejt me tragjedinë,” – thuhet në deklaratë, duke shtuar se vendimet dhe urdhrat e ish-ministrit, sipas tyre, kishin një rol në zinxhirin e vendimmarrjeve që çuan në katastrofë, duke lejuar demontimin e municioneve të kalibrave të mëdhenj në afërsi të zonave të banuara, nga një kompani private që nuk dispononte teknologjinë e nevojshme dhe pa mbikëqyrjen e rreptë nga strukturat e forcave të armatosura.

Familjarët theksojnë se edhe gjatë procesit aktual, i pandehuri ka përdorur shpesh sallën e gjyqit për deklarime politike dhe procesi është shtyrë në disa raste për shkak të angazhimeve të tij politike jashtë vendit.

“Ky është një trajtim që i ngjan një procesi gjyqësor në një vend me standarde drejtësie norvegjeze. Por ngjarja për të cilën bëhet fjalë nuk është aspak norvegjeze. Ajo është tragjedia e Gërdecit,” thuhet në reagimin e tyre.

Pavarësisht pritjes së gjatë, familjarët thonë se nuk kërkojnë hakmarrje, por vetëm zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë.

“Ne kërkojmë vetëm të vërtetën dhe drejtësinë, që shoqëria shqiptare të sigurohet që një ngjarje e tillë të mos përsëritet. Ky është amaneti i atyre shpirtrave që përkujtojmësot.” përfundon deklarata e tyre.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.