
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për përjashtimin e familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit nga procesi gjyqësor ndaj tij.
Në seancën e mbajtur këtë të enjte, mbrojtja e Mediut kërkoi që gjykata të revokonte statusin e viktimave të veprës penale, duke pretenduar se mënyra se si u është njohur ky status ishte e paligjshme. Por Gjykata e Posaçme e hodhi poshtë kërkesën, duke e cilësuar atë “të pambështetur në ligj”.
Sipas gjykatëses Gjoka, përfshirja e viktimave në procesin gjyqësor është një detyrim kushtetues dhe ndërkombëtar i shtetit shqiptar.
“Përfshirja e viktimave është detyrim kushtetues dhe ndërkombëtar i shtetit shqiptar,” – theksoi Gjoka gjatë shpalljes së vendimit.
Prokuroria, nga ana e saj, kujtoi se vendimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në lidhje me rastin e Gërdecit ka përcaktuar qartë të drejtën e familjarëve për të qenë pjesë e procesit gjyqësor.
“Vendimi i Strasburgut ka theksuar qartë se viktimat duhet të kenë pjesëmarrje efektive në gjykim,” – deklaroi përfaqësuesi i akuzës në sallë.
Edhe avokati i viktimave, Dorian Matlia, mbështeti këtë qëndrim, duke nënvizuar se prania e familjarëve është thelbësore për një proces transparent dhe të drejtë.
“Kjo është një çështje që lidhet drejtpërdrejt me jetët e tyre. Familjarët kanë të drejtë të ndjekin procesin dhe të jenë pjesë e tij, jo si spektatorë, por si palë të dëmtuara që kërkojnë drejtësi,” – tha Matlia.
Ndërkohë, mbrojtja e Mediut e argumentoi kërkesën me pretendimin se prania e familjarëve “ndikon në perceptimin publik të procesit” dhe “krijon presion ndaj gjykatës”. Por ky argument nuk u pranua nga trupi gjykues.
Në përfundim të seancës, gjykata deklaroi se viktimat dhe familjarët e tyre do të vijojnë të kenë pjesëmarrje të plotë në procesin gjyqësor ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre” në lidhje me tragjedinë e Gërdecit të vitit 2008.
“Ky është një hap i rëndësishëm në respektimin e të drejtave të viktimave dhe në garantimin e një procesi të drejtë e transparent,” – përfundoi gjykata në vendimin e saj.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes Durda, e një prej viktimave të shpërthimit në 15 mars 2008, në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”.
15 mars 2008, mesditë ora 12:05 një shpërthim i fuqishëm tronditi Tiranën, ndërsa krateri i tij u shënua pak kilometra më tutje në fshatin Gërdec në Vorë. Teksa minutat kalonin ajo çka kishte ndodhur ishte e paimagjinueshme, 26 të vdekur e mbi 300 të plagosur dhe me 100 shtëpi të rrafshuara. Këto ishin pasojat e shpërthimit në punishten e demontimit të municioneve shtetërore në pronësi të biznesmenit Mihal Delijorgji. Sot 17 vite më pas, ai shpërthim është ende i freskët në memorien e të gjithë. Kjo ngjarje përfundoi dhe në dyert e gjykatave shqiptare, por sot për 26 të vdekur e 300 të plagosur nuk ka asnjë person pas hekurave. Pati persona që ndërruan jetë në mënyrë të pashpjegueshme, pati dëshmitarë që u arratisën, ushtarak që morën azil politik, por për familjarët asnjëherë nuk u vendos drejtësi.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.






















