Berisha njihet me fletëthirrjen e SPAK për çështjen “21 Janari”

Berisha do të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë deklarimet e tij mbi vrasjen e katër protestuesve në bulevard më 21 janar 2011.

1497
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha
Credits: LSA - Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha

Ish-kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është njohur sot, më 17 nëntor 2025, me fletëthirrjen zyrtare të Prokurorisë së Posaçme lidhur me procedimin penal nr. 138 të vitit 2024, që lidhet me hetimet e rihapura për ngjarjet e 21 janarit 2011.

Fletëthirrja iu dorëzua Berishës gjatë paraqitjes së tij të radhës në SPAK për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” në kuadër të hetimit për çështjen “Partizani”.

SPAK konfirmoi me një njoftim zyrtar se Berisha ka nënshkruar urdhër-thirrjen dhe është i detyruar të paraqitet për të dhënë deklarimet e tij në lidhje me vrasjen e katër protestuesve në bulevard më 21 janar 2011.

Tre ditë më parë, më 14 nëntor, Berisha nuk u paraqit në Prokurorinë e Posaçme duke pretenduar se nuk kishte dijeni për njoftimet, ndonëse SPAK deklaroi se thirrjet i ishin dërguar në disa adresa që prej 3 nëntorit. Pas marrjes së fletëthirrjes në dorë, ai e konfirmoi indirekt para mediave, por refuzoi të tregonte datën e seancës.

“Se kur jam ftuar, këtë do e mësoni”, tha Berisha, duke këmbëngulur se nuk kishte qenë më herët i informuar.

Gjatë deklarimeve për gazetarët, kreu i PD-së u përball me pyetje të shumta lidhur me hetimet për fshirjen e serverëve të kamerave të kryeministrisë, nga ku u dokumentuan pamjet e ditës së ngjarjes.

Berisha mohoi të ketë dijeni dhe ia atriboi përgjegjësinë Gardës së Republikës.

“Kryeministria nuk ka patur si institucion servera për vëzhgimin. Nëse Garda ka patur serverin aty, është punë tjetër. Çfarë mbajnë ata është përgjegjësi e tyre”, u shpreh ai, duke theksuar se çdo hetim i mëparshëm për këtë çështje është kryer vite më parë dhe ka prodhuar dënime.

Ai vijoi të deklaronte se nuk ishte thirrur më parë nga drejtësia për këtë dosje.

“Nuk jam thirrur kurrë. Nëse do të isha thirrur, do të kisha shkuar 10 herë. Nuk më kanë thirrur sepse kanë frikë nga dëshmitë e mia.”

Berisha e konsideroi protestën e 21 janarit si “më të dhunshmen që ka njohur vendi”, duke akuzuar Partinë Socialiste se kishte “agjendë dhune”.

Rihapja e dosjes vjen pasi Gjykata e Lartë, më 12 mars 2024 dhe në zbatim të një vendimi të Strasburgut, urdhëroi SPAK-un të hetojë ngjarjen si “krim shtetëror”.

Hetimi synon të sqarojë përgjegjësitë e funksionarëve të lartë shtetërorë të kohës, duke përfshirë Sali Berishën, ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha dhe ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi.

Nga protesta e 21 janarit të vitit 2011 mbetën të vrarë 4 protestues, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon, që u dënua nga apeli me 1 dhe 3 vjet burg për “vrasje nga pakujdesia”.

Në korrik 2024, SPAK regjistroi procedimin penal për tre vepra të rënda: “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, “shpërdorim detyre” dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”, të gjitha të kryera në bashkëpunim.

Nëse Berisha nuk do t’i përgjigjet fletëthirrjes së re, ligji parashikon shoqërimin e detyruar nga Policia.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.