Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e Llagamit, Vokshi mbetet fitues

Me shumicë 4 me 3, Gjykata Kushtetuese vendosi mbi kontestimin e procesit të përzgjedhjes së gjyqtarit Asim Vokshi për vendin vakant të kësaj gjykate, duke konfirmuar ligjshmërinë e procedurave të ndjekura nga KED dhe Gjykata e Lartë.

1383
Gjykata Kushtetuese
Credits: Faqja zyrtare e Gjykatës Kushtetuese

Një vendim me shumicë të ngushtë 4 me 3, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Naureda Llagamit, e cila kontestonte procedurën e përzgjedhjes së gjyqtarit Asim Vokshi për vendin vakant të kësaj gjykate.

Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, trupa ka vlerësuar njëzëri se ka juridiksion për të shqyrtuar çështjen, por është ndarë mbi legjitimitetin e kërkueses. Katër nga shtatë gjyqtarët vlerësuan se Llagami nuk legjitimohet për të kërkuar rivlerësim të procesit të zgjedhjes.

“Kërkuesja si individ mund të vërë në lëvizje gjykimin kushtetues mirëpo kjo dispozitë kërkon që akti i pushtetit publik të ketë cënuar të drejtat dhe liritë themelore të garantuara nga Kushtetuta.” – sqaron njoftimi.

Pakica, tre anëtarë të trupës, argumentoi se individët që garojnë për funksionet kushtetuese legjitimojnë interesin për të kërkuar kontrollin e kushtetutshmërisë.

Për shkak të mungesës së kuorumit, kërkesa e Llagamit u rrëzua. Gjykata gjithashtu rrëzoi kërkesën e saj për përjashtimin e dy anëtarëve të Kushtetueses që janë pjesë e KED, ndërkohë që Zaçaj nuk ishte pjesë e trupës që shqyrtoi kërkesën.

Procesi për emërimin e anëtarit të Kushtetueses ka qenë i tensionuar dhe shoqëruar me dyshime për manipulim të votave.

Dokumentet tregojnë se në mbledhjen e 30 shtatorit, Llagami mori 8 vota, Vokshi 6, një votë u shpall e pavlefshme dhe një kandidat tjetër nuk mori vota.

Regjistrimi audio i mbledhjes, i cili ka qarkulluar në media, përshkruan kundërshtime dhe ndërhyrje gjatë votimit. Megjithatë, Gjykata e Lartë e konsideroi procesin “ligjor, transparent dhe të dokumentuar në çdo hap të tij” dhe mohoi çdo manipulim.

Gjyqtari Asim Vokshi u shpall fitues i pozicionit vakant në Gjykatë Kushtetuese më 30 shtator.  Sipas rregullave, asnjëri nuk arriti të sigurojë 3/5 e votave, ndaj fitues u shpall Vokshi, i cili në pikëzimin e KED kishte siguruar vendin e parë.

Llagami kontestoi këtë procedurë fillimisht në Gjykatën Administrative dhe më pas në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se vota e shpallur e pavlefshme “e shprehte qartë vullnetin në favor të saj.”

Presidenti Bajram Begaj vendosi të mos dekretojë Asim Vokshin deri në marrjen e një vendimi nga ana Kushtetueses, duke argumentuar se kjo do të shmangte “çdo precedent të dëmshëm për institucionin.”

Gjykata Kushtetuese është institucioni më i lartë që garanton zbatimin e Kushtetutës dhe ekuilibrin ndërmjet tre pushteteve kryesore të shtetit. Ajo ka në përbërje 9 anëtarë, nga ku tre emërohen nga Presidenti i Republikës, tre nga Kuvendi dhe tre nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët e Kushtetueses qëndrojnë në detyrë për 9 vjet pa të drejtë riemërimi.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.