Gjykata Kushtetuese rikthen Veliajn në krye të Bashkisë së Tiranës

Vendimi rrëzon shkarkimin e qeverisë dhe pezullon dekretin e Presidentit për zgjedhjet e pjesshme lokale.

1228
Erion Veliaj
Credits: LSA - Erion Veliaj

Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin për çështjen e Erion Veliajt, duke pranuar plotësisht kërkesën e tij dhe rrëzuar vendimin e qeverisë për shkarkimin nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Vendimi i GJK-së, i miratuar me pesë vota pro dhe tre kundër, i hap rrugën rikthimit të Veliajt në detyrë.

Veliaj kishte kërkuar shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25 shtator 2025, që e largonte nga posti, duke e cilësuar atë në kundërshtim me Kushtetutën. Ai kishte kërkuar gjithashtu anulimin e dekretit të Presidentit Bajram Begaj për caktimin e datës 9 nëntor si ditë të zgjedhjeve të pjesshme lokale në Tiranë.

Gjykata vlerësoi fillimisht se ka juridiksion për të kontrolluar VKM-në, duke theksuar se Neni 115, pika 2, i Kushtetutës i ka dhënë asaj kompetencën të shqyrtojë vendimin e shkarkimit të kryetarit të bashkisë si organ i zgjedhur drejtpërdrejt i qeverisjes vendore.

“Kjo kompetencë i është dhënë Gjykatës me qëllim mbrojtjen e parimit të autonomisë vendore dhe të së drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Në kuptim të nenit 115, pika 1, të Kushtetutës shkarkimi nga detyra i organit të zgjedhur drejtpërdrejt të njësisë së qeverisjes vendore është një koncept kushtetues” – thuhet në njoftimin për shtyp që ndau zyra e shtypit të Gjykatës Kushteuese, në të cilën theksohet se shqyrtimi i çështjes ka të bëjë vetëm me procesin e shkarkimit, jo me procesin penal të regjistruar ndaj Erion Veliajt.

“Shqyrtimi dhe vlerësimi i çështjes ka të bëjë vetëm me procesin e shkarkimit të kërkuesit nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë, pra jo me procesin penal të regjistruar në ngarkim të tij.” – vijon njoftimi zyrtar.

Sa i përket procedurës së ndjekur për shkarimin nga detyra të Veliaj, Gjykata Kushtetuese vlerëson se nuk ishte një proces i rregullt.

“Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se procedura e ndjekur në rastin konkret nga këshilli bashkiak dhe më tej nga Këshilli i Ministrave, duke mos e njoftuar kërkuesin, nuk ka garantuar të drejtën e tij për proces të rregullt në aspektet e së drejtës për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur.” – sqarohet në njoftim.

Gjykata vlerësoi gjithashtu se shkarkimi i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës nuk ishte i justifikuar me shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe ligjeve, rrethana këto që do të legjitimonin shkarkimin e Valiajt nga detyra.

“Këshilli i Ministrave, teksa vendosi shkarkimin e kërkuesit nga detyra sipas nenit 62, shkronja ‘c’, të ligjit nr. 139/2015, nuk e ka justifikuar shkarkimin me shkeljen e rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve.”

Pas nëntë muajsh në paraburgim, kryebashkiaku Erion Veliaj kërkoi para Gjykatës Kushtetuese rrëzimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij.

Në seancën e parë gjyqësore, Veliaj argumentoi se ndaj tij ishte zhvilluar një proces i padrejtë dhe i motivuar politikisht.

“Jam rrëmbyer nga zyra ku më kanë zgjedhur qytetarët dhe trajtuar si kriminel, ndonëse s’kam kryer asnjë shkelje. Kjo nuk është çështje personale, por një provë për demokracinë,” deklaroi ai gjatë mbrojtjes së tij.

Veliaj, i cili ndodhej në mandatin e tretë si kryebashkiak, u arrestua në shkurt nga SPAK me akuzat për korrupsion dhe pastrim parash në 13 episode të dyshuara, të cilat ai i mohon.

Pas arrestimit, Këshilli Bashkiak i Tiranës, me nismë të kryeministrit Edi Rama, kërkoi shkarkimin e tij për mungesë në detyrë për më shumë se tre muaj, kërkesë që u miratua nga qeveria dhe më pas u dekretua zgjedhja e re nga Presidenti.

Ky vendim u kontestua nga Veliaj në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar si antikushtetues dhe politikisht të motivuar.

Në seancën e mbajtur në mëngjesin e së premtes, përfaqësuesit ligjorë të palëve debatuan mbi bazën ligjore të shkarkimit.

Qeveria këmbënguli se vendimi ishte një “akt teknik” dhe jo një masë ndëshkuese, duke argumentuar se ai bazohej vetëm në ligjin për Vetëqeverisjen Vendore.

Ndërsa pala e Veliajt, e përfaqësuar nga avokati Ermal Yzeiri, kundërshtoi këtë qëndrim, duke theksuar se Kushtetuta kërkon elementin e “fajit” për t’u realizuar një shkarkim, gjë që në rastin e Veliajt nuk ishte provuar.

“Edhe në rastet e mungesës në detyrë, duhet të provohet se ajo është e qëllimshme dhe me faj,” argumentoi Yzeiri, duke shtuar se Veliaj nuk ishte dëgjuar në asnjë fazë të procesit nga organet përkatëse.

Përfaqësuesi i qeverisë, Herald Jonuzaj, mbrojti qëndrimin se shkarkimi nuk kishte lidhje me nenin 115 të Kushtetutës, por ishte “konstatim i një fakti ligjor”. Ai kërkoi gjithashtu që Gjykata Kushtetuese të shpallte moskompetencë për këtë çështje.

Nga ana e saj, Presidenca, përmes këshilltarit ligjor Ilirjan Rusmali, kundërshtoi shqyrtimin e dekretit për zgjedhjet, duke e quajtur atë jashtë juridiksionit të Gjykatës. Rusmali mbrojti dokumentin e Presidencës, në të cilin ishte përdorur termi “kurth” për vendimin e pezullimit të dekretit, duke e përkufizuar si “gjuhe të çiltër dhe të sinqertë institucionale”.

Në përfundim, ai kërkoi që, nëse shkarkimi i Veliajt do të njihej si i ligjshëm, atëherë Gjykata të shpallte vetë datën e re të zgjedhjeve për Tiranën.

Pas debateve të shumta me dyer të mbyllura, më 3 nëntor 2025, trupa gjykuese hodhi poshtë kërkesat për moskompetencë dhe pranoi plotësisht ankesën e Erion Veliajt, duke e rikthyer atë në detyrë si kryebashkiak i Tiranës.

Pesë anëtarët e trupës gjykuese, që mbështetën vendimin, iu referuan Nenit 115 të Kushtetutës, sipas të cilit kryetari i bashkisë mund të shkarkohet vetëm për shkelje të rënda.

Vendimi gjithashtu vëren se Këshilli Bashkiak kishte shkelur ligjin me vendimin për shkarkimin e Veliajt nga posti i kryebashkiakut.

Erion Veliaj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës është nën masën e “arrestit në burg”, prej 10 Shkurtit 2025.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur 13 akuza akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie ndaj kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.

Sipas materialeve të administruara nga organi i akuzës, është provuar se në të paktën nëntë raste të veçanta, të pandehurit kanë përfituar shuma monetare, të paktën 1.1 milionë euro, dhe pasuri të paluajtshme nga subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse.

Nga qelia e burgut Erion Veliaj, apo dhe nëpërmjet avokatëve të tij, ka mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si një komplot politik të orkestruar nga kundërshtarët e tij.

Eriselda Mikeli
+ posts

Eriselda është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH). Ajo ka përfunduar studimet universitare në nivel bachelor në Fushën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës.
Me përkushtim ndaj gazetarisë hulumtuese, Eriselda fokusohet kryesisht tek çështjet që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe transparencën institucionale.