Një skemë mashtrimi me ilaçe të rimbursueshme, që shkaktoi një dëm prej 7 miliardë lekësh ndaj buxhetit të shtetit, është zbuluar nga Prokuroria e Tiranës. Skema funksiononte përmes deklarimit të shitjeve fiktive të medikamenteve të llojit “Foster” dhe “Trimbow” nga kompanitë “CFO Pharma”, “Pharma Plus” dhe “Nedix Albania”, pa kryer asnjë blerje reale. Në këtë mënyrë, ilaçet rezultonin në listat e inventarit, duke lejuar përfitime të paligjshme nga fondet e rimbursimit të barnave.
Nga hetimet e bëra janë konstatuar shitje fiktive nga kompanitë “CFO Pharma”, “Pharma Plus” dhe “Nedix Albania” e për rrjedhojë janë lëshuar 8 masa sigurie, 7 prej të cilave janë ekzektuar.
Prokuroria bën me dije se administratori i “CFO Pharma” shtetasi Frigur Milla, ka paraqitur në inventar blerje fiktive të medikamenteve nga subjektet “Nedix Albania” dhe “Pharma Plus”.
Sipas prokurorisë, subjektet e lartpërmendura, në listën e inventarit kanë deklaruar shitje fiktive të medikamente të llojit “Foster” dhe “Trimbow”, ndërkohë që hetimet e bëra zbuluan se nuk kishte patur ansjë shitje konkrete.
“Subjekti “Pharma Plus” ka deklaruar 2000 kuti “Foster” dhe 1107 kuti “Trimboë” në vlerë 10 milion lekë të reja, pa asnjë blerje. Subjekti “Medix Albania” ka deklaruar 4000 kuti “Foster” dhe 11 500 kuti “Trimboë”, në vlerë 60 milionë lekë, pa asnjë blerje” njofton Prokuroria e Tiranës.
Hetimet e nisura pas kallëzimit të bërë nga administratori i kompanisë importuese “Medicamenta” zbuluan gjithashtu falsifikime dokumentesh nga drejtori i FSDKSH-së, Spartak Zekja, si dhe nga tre punonjëse të institucionit, Romina Agalliu, Zade Mali dhe Esjana Gjishti. Ato kishin konstatuar në inventar medikamente që në fakt nuk ekzistonin.
Spartak Zekja ndaj të cilit rëndon akuza e falsifikimit të dokumenteve, pasi ka nënshkruar kontratë për qarkullimin e barnave të listës së barnave që rimbursohen nga shpërndarësi farmaceutik përmes Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe shpërndarësit farmaceutik “Pharma Plus”.
Prokuroria njofton se janë lëshuar 8 masa sigurie, prej të cilave 7 janë ekzekutuar. Ndërkohë, për të njëjtën skemë janë caktuar masa detyrimi për paraqitje për punonjëset e implikuara dhe administratorët e kompanive përfshirë Alba Zylfo, Jona Berberi dhe Lorena Ballabani, për veprat penale “Falsifikim dokumentesh” dhe “Fshehje të ardhurash”. Drejtori i FSDKSH-së Spartak Zekja është arrestuar, ndërsa Frigur Milla është shpallur në kërkim.
Një muaj më parë opozita denoncoi manipulimet e kryera nga “CFO Pharma” e Nadir Çaushollit që sipas tyre shpesh-herë i kanë shkaktuar dëme miliona lekësh buxhetit të shtetit.
Sipas zëdhënëses për Antikorrupsionin në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, kjo nuk është hera e parë që komopania e Çaushollit përfshihet në skema të paligjshme.
Në 2016, Prokuroria e Tiranës konstatoi një dëm ekonomik prej 2.2 milionë eurosh ndaj shtetit nga receta false dhe abuzime me barnat e rimbursueshme, për të cilën Çausholli u arrestua.
Por pavarësisht arrestimit të tij, bizneset e Çaushollit kanë lulëzuar në fusha të ndryshme, përfshirë këtu dhe linjën e autobusëve “Green Line” në Tiranë, e cila në dhjetor të 2024 me një vendim të Agjencisë së Prokurorimit Publik, u përjashtua nga tenderat publikë.
Ndërsa në korrik të 2024, për shkak të pikasjes së rasteve të mashtrimit, APP vendosi përjashtimin e kompanisë “CFO Pharma” për 6 muaj nga kontratat publike.
Eriselda është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH). Ajo ka përfunduar studimet universitare në nivel bachelor në Fushën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës.
Me përkushtim ndaj gazetarisë hulumtuese, Eriselda fokusohet kryesisht tek çështjet që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe transparencën institucionale.




















