Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur pretencën ndaj ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja, i akuzuar për nxjerrje të sekretit shtetëror, përkrahje të autorit të krimit dhe korrupsion në zgjedhje.
SPAK kërkon nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dënimin e Çyrbjas me 3 vite burgim, ndërsa në rast se gjykata pranon gjykimin e shkurtuar, dënimi i tij do të reduktohet në 2 vite burg.
Të njëjtin dënim, Prokuroria e Posaçme kërkon edhe për Altin Hajrin, i cili akuzohet për korrupsion në zgjedhje dhe tregim të sekretit shtetëror.
Hajri është akuzuar si pjesë e krimit të organizuar për disa vepra penale si dhe dyshojet se është “mbrojtur” nga ish-deputeti i PS-së Ergys Çyrbja, i cili gjatë kërkimit policor e ka strehuar në banesën e tij.
Ndërsa për Ahmet Mashën, kunati i vëllait të ish-deputetit, është kërkuar 2 vite e 6 muaj burg, ose 1 vit e 8 muaj në rast gjykimi të shkurtuar.
Sipas SPAK, Çyrbja dyshohet se ka nxjerrë informacione sekrete të Policisë së Shtetit dhe të sistemit TIMS, duke ndihmuar persona në kërkim, përfshirë Altin Hajrin, t’i shmangeshin ndjekjes penale.
Gjithashtu, ai akuzohet se ka ofruar ndikim në organet ligjzbatuese në këmbim të mbështetjes elektorale gjatë zgjedhjeve të vitit 2021.
Përveç akuzave të mësipërme, prokurorët dyshojnë se Çyrbja ka shpërdoruar detyrën në katër raste të ndryshme, përmes firmosjes së dokumenteve mbi pronësinë e rreth 25 mijë metrave katrorë tokë në zonën e Rrashbullit, Durrës.
Më 8 tetor 2024, deputeti socialist u thirr në pyetje nga prokurorët e SPAK.
Vetëm një ditë më vonë, ai njoftoi dorëheqjen nga mandati i deputetit, duke e justifikuar atë me probleme shëndetësore. Megjithatë, mëngjesin e 11 tetorit, Çyrbja u paraqit sërish në Prokurorinë e Posaçme dhe, pas një seance 30-minutëshe, u shpall zyrtarisht person nën hetim për “shpërdorim detyre”.
Hetimet ndaj ish-deputetit socialist të Qarkut të Durrësit duket se kanë nisur që në vitin 2021, pas një kallëzimi të Partisë Demokratike në SPAK ndaj disa zyrtarëve lokal.
Edhe pse emri i Çyrbjas nuk ishte përmendur drejtpërdrejt në kallëzim, Prokuroria e Posaçme dyshon se ai, në cilësinë e ish-kreut të Kadastrës së Durrësit, është përfshirë në dhënien e lejeve të legalizimit në mënyrë të paligjshme në disa raste.
Çyrbja nuk ka bërë asnjë koment publik për akuzat e ngritura ndaj tij.
Ai është deputeti i tretë i Partisë Socialiste në Qarkun e Durrësit që përballet me drejtësinë gjatë mandatit të tretë qeverisës të kësaj force politike.
Në shtator 2021, Lefter Koka nuk pranoi mandatin e deputetit, pavarësisht fitores në zgjedhje, për t’u arrestuar më pas nga SPAK në kuadër të hetimeve për aferën e inceneratorëve. Ai është dënuar me 5 vite e 8 muaj për inceneratorin e Elbasanit dhe me 6 vite e 8 muaj për atë të Fierit.
Në korrik 2023, edhe deputeti Rrahman Rraja dha dorëheqjen pas përfshirjes së familjarëve të tij në një ngjarje të dhunshme në Krujë dhe pas nisjes së hetimeve për pasuritë e tij të dyshuara.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.



























