Apeli lë në fuqi dënimin për ish-deputetin socialist të Durrësit

Jurgis Çyrbja u gjend fajtor për shpërdorim të funksionit publik, duke ndarë informacione sekrete dhe duke ndikuar në zgjedhje në bashkëpunim me persona të lidhur me krimin.

331
Jurgis Çyrbja duke dalur nga SPAK
Credits: LSA - Jurgis Çyrbja duke dalur nga SPAK

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi këtë të premte dënimin për ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja, si dhe për dy të pandehurit e tjerë, Altin Hajri dhe Ahmet Masha, të akuzuar për korrupsion në zgjedhje, përkrahje të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror.

Vendimi u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Daniela Shirka, me anëtarë Florjan Kalaja dhe Tereza Merkaj.

Çyrbja ishte dënuar në shkallë të parë me 3 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i tij u ul në 2 vite. Ai u lirua më 21 shkurt të këtij viti, pasi konsiderohet se e kishte përfunduar vuajtjen e dënimit.

Apeli konfirmoi gjithashtu dënimin me 2 vite burg për Altin Hajrin për veprat penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje” dhe “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, si dhe dënimin me 1 vit e 8 muaj burg për Ahmet Mashën për “Tregimi i sekretit shtetëror” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, të kryera në bashkëpunim.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ish-deputeti Çyrbja ka bashkëpunuar me persona të lidhur me krimin e organizuar gjatë periudhës maj 2020 – mars 2021, duke përdorur funksionin e tij publik për të siguruar dhe shpërndarë informacione konfidenciale.

Hetimet zbuluan se të pandehurit kanë siguruar në disa raste të dhëna nga sistemi TIMS dhe informacione sekrete të Policisë së Shtetit, përfshirë plane operacionesh për kapjen e personave në kërkim në të gjithë vendin, veçanërisht në Qarkun e Durrësit.

Këto të dhëna, sipas SPAK, u janë transmetuar personave në kërkim, duke u dhënë mundësi të shmangnin arrestimin dhe të pengonin operacionet policore.

Në total, Çyrbja u shpall fajtor për disa vepra penale, përfshirë “Tregimin e sekretit shtetëror” në dy raste, “Përkrahjen e autorit të krimit” në dy raste dhe “Korrupsionin aktiv në zgjedhje”.

Sipas hetimeve, komunikimet mes të pandehurve janë kryer përmes platformave të enkriptuara “SkyECC” dhe “Matrix”, ku janë zbuluar edhe biseda që sugjerojnë shkëmbim mbështetjeje elektorale me ndikim në institucionet e drejtësisë.

Altin Hajri, i cili vijon të jetë në kërkim, dyshohet se ka siguruar vota për Çyrbjan në këmbim të ndërhyrjeve të mundshme në organet e zbatimit të ligjit.

Jurgis Çyrbja u arrestua më 20 tetor 2024 me urdhër të SPAK. Ai ka mbajtur mandatin e deputetit për dy legjislatura dhe dha dorëheqjen nga funksioni pak para arrestimit, në kohën kur hetimet kishin hyrë në fazën përfundimtare.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.