Digjet makina e gazetarit në Bulqizë, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme

Automjeti u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit; gazetari e lidh ngjarjen me punën e tij, ndërsa autoritetet dhe organizatat për mediat kërkojnë zbardhje të plotë të rastit.

325
Makina e djegur e Sami Currit
Credits: Sami Curri - Makina e djegur e Sami Currit

Një automjet në pronësi të një gazetari nga Bulqiza u përfshi nga flakët në orët e para të së dielës, në një ngjarje që po hetohet si zjarrvënie e qëllimshme.

Sipas policisë së Dibrës, ngjarja ndodhi rreth orës 02:58 të datës 26 prill, kur një makinë tip “Ford Fiesta”, e parkuar pranë banesës së gazetarit, u përfshi nga flakët. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë, zjarrfikësit dhe grupi hetimor, të cilët ndërhynë për shuarjen e zjarrit dhe nisën hetimet.

“Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon intensivisht veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, pasi paraprakisht dyshohet për djegie të qëllimshme,” deklaroi policia.

Sipas të dhënave paraprake, zjarri nuk shkaktoi dëme në automjetet e tjera të parkuara pranë. Vetë gazetari tha se u njoftua nga fqinjët për flakët dhe se makina ndodhej rreth 30 metra larg pallatit ku ai banon.

Sami Curri
Credits: Facebook – Sami Curri

Ai e lidhi incidentin me aktivitetin e tij profesional, duke sugjeruar se zjarrvënia kishte për qëllim ta frikësonte për shkak të raportimeve të tij mbi çështje lokale.

“Kjo gjëja është e qëllimshme dhe është totalisht me synimin për të sjellë një mesazh tek unë dhe për punën që bëj,” u shpreh ai.

Gazetari, me rreth një dekadë përvojë në këtë fushë, drejton median lokale “Bulqiza ime” dhe ka bashkëpunuar me BIRN. Ai është angazhuar kryesisht në raportime mbi pushtetin vendor, çështjet mjedisore dhe problematikat që prekin drejtpërdrejt komunitetin në zonën e Dibrës, shpesh duke trajtuar tema të ndjeshme.

Megjithatë, ai theksoi se nuk do të tërhiqet nga puna e tij, pavarësisht incidentit.

“Por së pari, iu them që ata që e kanë bërë këtë veprim, as nuk do të më kërcënojnë ose frikësojnë dot, sepse për mua gazetaria është një mision që i shërben interesit publik dhe do të vazhdojë me çdo lloj çmimi,” shtoi ai.

Ngjarja ka sjellë reagime edhe nga organizatat për mbrojtjen e gazetarëve, të cilat e cilësuan rastin shqetësues dhe kërkuan hetim të shpejtë dhe transparent, si dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve.

Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e këtij incidenti.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.