Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë të pandehur zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për akuzën për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, një vepër penale që parashikon deri në pesë vite burg.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Balluku është nën hetim për përfshirjen e mundshme në aferën e ndërtimit të tunelit të Llogarasë. Zv/kryeministrja u paraqit pasditen e së shtunës, më 31 tetor 2025, përpara prokurorëve të çështjes, ku u njoh me akuzat zyrtare të ngritura ndaj saj.
Megjithëse prokurorisë i është dashur të përfshihet me numrin dy në një korrespondencë fletëthirrjesh prej rreth 10 dëshmish, Balluku u paraqit pasditen e së premtes më 31 tetor 2025 përballë prokurorëve, ku dhe i janë njoftuar akuzat e ngritura ndaj saj.
“Në kuadër të këtij procedimi penal, sot, më 31.10.2025, i është njoftuar akuza të pandehurës Belinda Balluku, me funksionin e lartë shtetëror, ministre e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’, në bashkëpunim”, – thuhet në njoftimin për shtyp të Prokurorisë së Posaçme, sipas së cilës vepra penale për të cilën akuzohet ministrja e Infrastrukturës i referohet Kodit Penal, parashikon një dënim prej 5 vitesh heqje lirie nëse ajo gjendet fajtore.
Për rreth 45 minuta, prokurorët e çështjes i kanë shpjeguar numrit dy të qeverisë dyshimet e arsyeshme që rëndojnë mbi të, që sipas njoftimit zyrtar kanë të bëjnë me veprimet e ministres në lidhje me tenderin e ndërtimit të tunelit të Llogarasë, me një vlerë prej 200 milionë eurosh.
“Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e ministres së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, procedura është rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy lekë pa TVSH)” – sqaron Prokuroria e Posaçme, duke specifikuar edhe akuzat, por edhe korrespondencën me numrin dy të qeverisë shqiptare që nga 21 tetori 2025.
Edhe pse ka refuzuar të paraqitet më herët në prokurori, Balluku u tha gazetarëve se shpreson që ndaj saj do të ketë një hetim që respekton parimet e drejtësisë.
“Në respekt të organeve të drejtësisë kam pranuar kërkesën e SPAK për një çështje në hetim. Si zyrtare publike e shoh si një proces që jam shpresëplotë se do të jetë i bazuar në llogaridhënie dhe parimet e drejtësisë,” – deklaroi Balluku.

Procedurat e ndërtimit të tunelit të Llogarasë, i përshkruar nga zv/kryeministrja Belinda Balluku si një “motorr i ri me shumë kuaj fuqi për industrinë e turizmit”, janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme pas dyshimeve të ngritura për abuzime me fondet publike që nga viti 2024.
Edhe pse u hap me bujë në korrik 2024 për të lehtësuar trafikun gjatë sezonit turistik, tuneli u mbyll pas vetëm tre muajsh për të vijuar punimet, pa një datë të saktë për rihapjen. Kjo e çoi vlerën totale të investimit mbi 260 milionë euro.
| Vlera | Përshkrimi | |
| Vlera fillestare e kontratës së ndërtimit | 200 milion € me TVSH | Kjo ishte vlera e kontratës fituese të shpallur për konsorciumin turk |
| Shtesa buxhetore me akte normative (2022) | 50 milion € | E miratuar nga Qeveria përmes dy akteve normative në dhjetor 2022, sipas KLSH-së |
| Vlera e supervizimit të punimeve | 1.9 milion € | Për kontratën e supervizimit (bashkimi i operatorëve ku përfshihet edhe kompania e lidhur me ish-drejtorin e ARRSH) |
| Projekte dhe studime të mëparshme | 1 milion € | Për studimin e fizibilitetit gjatë qeverisë Berisha |
| 7.5 milion € | Për rishikimin dhe projektin e detajuar gjatë qeverisë Rama |
Ndërtimi i tunelit nisi më 15 nëntor 2021, pas një gare tenderuese që u fitua nga një konsorcium turk, “Intekar Yapi” dhe “Asl Insaat”.
Fillimisht, studimi i fizibilitetit i vitit 2010 u hodh poshtë nga qeveria aktuale, që miratoi një projekt të ri me kosto 7.5 milionë euro. Tenderi fillimisht u fitua nga një kompani shqiptare, por u anullua pa shpjegime. Më pas, tenderi iu dha konsorciumit turk, me një ofertë rreth 12 milionë euro më të lartë se ajo e kompanisë shqiptare, duke shkaktuar dëm ekonomik për buxhetin e shtetit.
Procesi i vlerësimit ngre dyshime për shkelje ligjore, pasi nuk është e qartë nëse operatorët e huaj kishin licencat e nevojshme. Punimet u kryen kryesisht nga një kompani shqiptare, e cila nuk ishte e deklaruar si nënkontraktore, duke shkelur rregullat për nënkontraktimet (në Shqipëri, nënkontraktimet nuk mund të tejkalojnë 50% të kontratës).
Në dhjetor 2022, me dy akte normative të miratuara nga zv/kryeministrja Balluku, buxheti i projektit u rrit me 50 milionë euro, pa analizë të qartë justifikuese. Pagesat deri në korrik 2024 arritën 178 milionë euro për kompaninë turke.
Tenderi për supervizimin e punimeve iu dha një bashkimi operatorësh ku përfshihej kompania “Net Group”, e lidhur me ish-drejtorin e ARRSH, Evis Berberi, i arrestuar për korrupsion dhe pastrim parash. SPAK ka vërtetuar se Berberi përfitonte para nga tenderat publikë përmes ndërmjetësve, duke përfshirë kompaninë “DAAM” sh.p.k., ku janë vendosur masa sekuestrimi preventive.
Sipas SPAK, Berberi ka favorizuar kompanitë e tij në gjashtë tendera, me vlerë rreth 2.3 milionë euro, që u kanalizuan më pas te DAAM sh.p.k., kompani që ai e kontrollonte indirekt. Për të fshehur përfitimet, u përdorën fatura fiktive dhe dokumente të manipuluara, ndërsa paratë u shfrytëzuan edhe për shpenzime private. Një nga tenderët më voluminozë ishte projekti i “kullave të karikimit për makina elektrike”, ku përfitimet reale të kompanisë nuk përputheshin me shërbimet e ofruara.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.


























