Në një seancë të mbushur me emocione dhe tension, ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u paraqit para Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur të drejtën e tij për të ushtruar mandatit e zgjedhur nga qytetarët.
Veliaj, i zgjedhur tre herë radhazi nga qytetarët e kryeqytetit, e përshkroi situatën e tij si një periudhë të gjatë padrejtësie dhe denigrimi publik.
Çështja Veliaj përfundoi në Gjykatën Kushtetuese, pasi Këshilli i Ministrave vendosi të kërkojë shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme në disa bashki, përfshirë edhe Bashkinë e Tiranës.
Erion Veliaj u ankua në Gjykatën Kushtetuese pas vendimit të këshillit bashkiak për shkarkimin e tij nga detyra.
Ky ankimim, sipas nenit 115 të Kushtetutës, pezullon firmën e kryeministrit Rama për shkarkimin e tij, dhe automatikisht bllokon mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë e Tiranës deri kur gjykata të dalë me një vendim.
Veliaj e cilësoi procesin e shkarkimit si “një padrejtësi mbi padrejtësinë e ndalimit”, duke argumentuar se ai është ndëshkuar pa një vendim përfundimtar gjyqësor. Ai vuri në dukje se mungesa në detyrë, e përdorur nga Këshilli Bashkiak si arsye për shkarkim, nuk ishte zgjedhje personale, por pasojë e ndalimit të tij nga autoritetet.
“Si mund të quhet shkelje mungesa e një kryebashkiaku që është fizikisht i ndaluar nga vetë organet e shtetit, në bazë të një vendimi që nuk është i formës së prerë?” – pyeti ai, duke e quajtur këtë një “kontradiktë kushtetuese”.
Duke cituar figura historike si Martin Luther King dhe Alexander Hamilton, Veliaj theksoi rëndësinë e drejtësisë kushtetuese si mburojë për demokracinë.
“Vetëm kjo gjykatë mund ta rikthejë shtetin në binarët e Kushtetutës dhe të mbrojë qytetarin nga abuzimi i pushtetit që ai vetë ia ka dhënë.” – tha Ai.
Me një ton emocional, Veliaj rikujtoi vitet e tij në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, duke përmendur projektet infrastrukturore, ndërtimin e shkollave, këndeve të lojërave, dhe ndihmën për qytetarët gjatë tërmetit dhe pandemisë.
“E kam drejtuar Tiranën me gjithë forcën e shpirtit dhe mendjes sime. Askush nuk mund të më akuzojë se kam munguar në detyrë. Më rrëmbyen nga zyra, por jo nga dashuria për qytetin tim,” – tha ai.
Në vijim, Veliaj u përpoq të shfaqte betejën e tij si simbol të qëndresës qytetare përballë pushtetit arbitrar. Ai paralajmëroi se shkarkimi i tij mund të kthehet në precedent për të goditur çdo të zgjedhur që bie ndesh me interesat politike të radhës.
“Nëse pranohet që një kryetar bashkie mund të hiqet pa vendim fajësie, atëherë nesër çdo qytetar mund të ndëshkohet për atë që i faturohet politikisht, jo për atë që ka bërë.”
Në mbyllje të fjalës, ai iu drejtua trupës gjykuese me një apel që tingëlloi si një lutje për drejtësi më shumë se si një argument juridik:
“Ju jeni sot ura midis popullit dhe pushtetit. Ju jeni ata që mund të vendosni nëse demokracia do të mbetet një fjalë në letër apo një ndjenjë e gjallë për çdo qytetar.”
Në seancën Kushtetuese, mbrojtja e kryebashkiakut kërkoi shfuqizimin e vendimit të qeverisë dhe të Këshillit Bashkiak për shkarkimin e tij, duke e cilësuar këtë veprim si politik dhe të pambështetur në ligj.
Avokatët e Veliajt argumentuan se neni 62, pika “c” i ligjit për vetëqeverisjen vendore nuk mund të përdoret për shkarkimin e një kryebashkiaku, ndërsa neni 115 i Kushtetutës parashikon qartë se një masë e tillë mund të merret vetëm në rastet e shkeljeve të rënda të Kushtetutës ose të ligjit.
Sipas mbrojtjes, procesi që çoi në shkarkimin e Veliajt ishte i paracaktuar. Kërkesa e parë për shkarkimin e tij u paraqit në shkurt nga këshilltari Endri Shabani, menjëherë pas arrestimit të Veliajt, dhe më pas u pasua nga këshilltarët e opozitës. Megjithatë, këto kërkesa nuk u morën parasysh deri në momentin kur këshilltarët socialistë paraqitën propozimin për shkarkim, i cili u votua dhe u miratua.
Seanca në Gjykatën Kushtetuese pritet të vijojë me parashtrimet përfundimtare të palëve, përpara se trupa gjykuese të marrë vendimin final mbi ligjshmërinë e shkarkimit të Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut të Tiranës.
Erion Veliaj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës është nën masën e “arrestit në burg”, ku qëndron prej 10 Shkurtit 2025.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur akuza të rënda për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie ndaj kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.
Në njoftimin zyrtar të SPAK, të dërgimit të dosjes për gjykim renditen 13 akuza për kryebashkiakun Erion Veliaj dhe 12 për bashkëshorten tij, Ajola Xoxa si dhe akuzat për 16 persona të tjerë të pandehur si bashkëpunëtorë të familjes së kryebashkiakut të Tiranës.
Sipas materialeve të administruara nga organi i akuzës, është provuar se në të paktën nëntë raste të veçanta, të pandehurit kanë përfituar shuma monetare, të paktën 1.1 milionë euro, dhe pasuri të paluajtshme nga subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse.
Nga qelia e burgut Erion Veliaj, apo dhe nëpërmjet avokatëve të tij, ka mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si një komplot politik të orkestruar nga kundërshtarët e tij.
Ndërsa avokatët e Veliajt, nëpërmjet deklaratave publike pretendojnë se procesi hetimor ndaj kryebashkiakut është iniciuar mbi një kallëzim anonim dhe të dhëna të pasakta, pa prova apo indicie të mjaftueshme që të krijojnë dyshimin e arsyeshëm ligjor.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.

























