GJKKO ka urdhëruar nisjen e hetimeve nga SPAK ndaj deputetit të Partisë Demokratike dhe ish-prokurorit Arjan Ndoja, i cili dyshohet për “pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “fshehjen apo mosdeklarimin e pasurisë”.
Vendimi është marrë nga gjyqtari Erjon Çela, i cili ka konstatuar pavlefshmërinë absolute të kërkesës së Prokurorisë së Tiranës për pushimin e çështjes. Sipas GJKKO-së, kërkesa e paraqitur nga prokuroria nuk plotëson kushtet ligjore dhe për këtë arsye aktet i janë kthyer SPAK-ut, institucioni që ka kompetencën lëndore për të vijuar hetimet për deputetin Ndoja.
Çështja lidhet me procedimin penal nr. 1804 të vitit 2023, ku Ndoja dyshohet për shkelje të parashikuara nga nenet 287 dhe 257/a të Kodit Penal.
Mësohet se ndaj Ndojës, prej vitit 2023, kishte nisur një hetim pasuror dhe pastrim parash.
Ndoja u bë deputet nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ndërsa Prokuroria e Tiranës i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, që të pushojë çështjen.
Por Gjykata e Tiranës ka shpallur moskompetencën dhe i është drejtuar GJKKO-së të shprehet mbi këtë kërkesë.
Sot, gjyqtari Çela ka konstatuar pavlefshmërinë absolute të kërkesës për pushimin e hetimeve.
Ai ka vendosur që të gjitha aktet e hetimit që ka kryer Prokuroria e Tiranës prej 2 vitesh, të kalojnë në SPAK. Ndërkohë që Prokurorinë e Posaçme e urdhëron që të regjistrojë procedimin penal dhe të nisë hetimet për deputetin Ndoja.
GJKKO theksoi se pushimi i procedimit, i kërkuar nga Prokuroria e Tiranës më 25 korrik 2024, është i pavlefshëm në mënyrë absolute.
Redaksia kontaktoi z. Ndoja për një koment mbi vendimin dhe hetimet, por ai nuk u përgjigj.
SPAK pritet të vazhdojë hetimet për ish-prokurorin Ndoja, ndërsa vendimi i GJKKO-së konfirmon se çështja nuk mund të pushonte nga Prokuroria e Tiranës. Hetimet përfshijnë dyshimet për pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, duke u ndërlidhur në një kontekst më të gjerë që lidhet edhe me ngjarjet e dhunshme dhe grupet kriminale që kanë shënjestruar ish-prokurorin.
Sipas hetimeve, në gusht 2019 grupi i Durrësit i drejtuar nga Plaurent Dervishaj kishte nën vëzhgim ish-prokurorin Ndoja, familjarët dhe miqtë e tij. Dy muaj më vonë, më 1 nëntor, atentati ndaj Ndojës rezultoi tragjik. Ndoja mbeti i plagosur rëndë, miku i tij Rrumi gjithashtu, ndërsa shoferi i tyre 24-vjeçar, Andi Maloku, gjeti vdekjen. Ata udhëtonin në një fuoristradë, e cila u qëllua pranë mbikalimit të Shkozetit nga një Mercedes Benz E Class. Policia gjeti më pas makinën e përdorur nga atentatorët në fshatin Shkafanë të Ishmit, e braktisur me dy automatikë, një pistoletë me zhurmëshues dhe veshje të lidhura me ngjarjen.
Hetimet identifikuan Ariol Halilajn si personin që transportoi autorët dhe Redjan Rrajën si një prej atentatorëve. Rraja u arrestua katër ditë pas ngjarjes, ndërsa Halilaj gjashtë muaj më vonë.
Bisedat e zbardhura nga aplikacioni Sky ECC tregojnë përfshirjen e Dervishajt.
“Me i çuar haber atij Arjanit që e keni prej meje, fjalë për fjalë […] nuk ka më radhë, babën, vëllai, kush t’më dalë në rrugë […] E dija se kush ishte në makinë dhe doja t’i kapja të dy, po nuk ishte e shkruar sepse u bllokua arma e parë dhe u dha mundësi për t’u shmangur,”
Një tjetër mesazh i grupit flet për korruptimin e një oficeri policie.
“T’ia blej një makinë se na duhet, është mik i mirë shumë për Zotin, të më kishit thënë që në fillim mua, i kisha zhdukur të gjitha [provat] tha,” – thuhet në dosjet hetimore.
Këto transkriptime tregojnë jo vetëm për pasojat e atentatit, por edhe për përpjekjet e Dervishajt për të kontrolluar hetimet dhe për të shpëtuar bashkëpunëtorët e tij.
Për atentatin e 1 nëntorit 2019, Prokuroria e Posaçme akuzoi 11 persona, përfshirë Dervishajn, Redjan Rrajën dhe Ariol Halilajn. Gjykata e Posaçme ka dhënë dënime të rënda ku Redjan Rraja është dënuar me burgim të përjetshëm dhe Ariol Halilaj 35 vite burg. Të tjerët presin të gjykohen.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.


























