Autoritetet italiane kanë arrestuar Markelian Hotin, 27-vjeçar, i konsideruar nga hetuesit europianë si një nga trafikantët kryesorë shqiptarë. Hoti është vëllai i deputetes së Partisë Demokratike, Elda Hoti, e cila nuk ka komentuar akuzat ndaj tij.
Ai ishte i fshehur së bashku me të fejuarën në një B&B (shtrat dhe mëngjes) në zonën periferike të Ponte di Nona në Romë, ku strukturat mikpritëse nuk kishin regjistruar praninë e tij, duke e bërë të “padukshëm” për autoritetet.
Hoti ishte në kërkim ndërkombëtar për trafik ndërkombëtar droge, pas një mandati arresti europian të lëshuar nga autoritetet belge në janar 2025, për “organizatë kriminale për trafik narkotikësh”, vepër që parashikon deri në 15 vite burg.
Hetimet kanë treguar se ai kishte një rol kyç në një organizatë kriminale që shpërndante kokainë nga Porti i Anversit në Belgjikë, përmes automjeteve të mëdha deri në Dubai. Një ngarkesë prej 50 kilogramë kokainë e fshehur në kontenierë shërbeu si provë kyçe për identifikimin e tij.
Hetuesit e “Squadra Mobile” e Romës, të koordinuar nga Roberto Pititto, e gjetën Hotin në B&B-në ku ai qëndronte si “fantazmë”, falë mosregjistrimit të tij në portalin ‘Alloggiati Web’ nga pronari i strukturës.
Pasi u verifikua identiteti i tij, Hoti u dërgua menjëherë në burg, ku do të qëndrojë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore, derisa të përfundojë procedura e ekstradimit.
Arrestimi i Hotit vjen pas disa muajsh arratisjeje, gjatë të cilëve ai kishte arritur të shmangte autoritetet, dhe tregon efektivitetin e bashkëpunimit ndërkombëtar të policive në ndjekjen e krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria drejt Europës dhe Lindjes së Mesme.
Në të kaluarën, deputetja Elda Hoti është përballur me akuza të ngjashme për lidhje kriminale të familjes së saj. Në vitin 2021, Llesh Nikolli i kishte drejtuar KQZ-së një ankesë, duke akuzuar deputeten se kishte fshehur ndryshimin e emrit të babait të saj nga David në Artan Hoti, për shkak të të shkuarës së tij kriminale, por deputetja i kishte mohuar këto akuza.
Elda Hoti është deputete shqiptare që mban mandatin që nga viti 2017. Fillimisht u zgjodh në Parlament si pjesë e një partie politike të mëparshme, por më vonë iu bashkua opozitës dhe aktualisht përfaqëson Partinë Demokratike. Gjatë karrierës së saj politike, është përballur me sfida dhe debate publike lidhur me aktivitetin e familjes së saj, por ka vazhduar të jetë aktive në politikën shqiptare dhe në Parlament.
Elda Hoti është deputete që nga viti 2017. Fillimisht ajo u zgjodh në parlament si deputete e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), dhe në vitin 2021 u etiketua si tradhëtare pasi braktisi LSI-në në 2019, për të hyrë në parlament si pjesë e opozitës së re. Ajo u rikthye sërish në Parlament aktualisht si deputete e Partisë Demorkatike pasi deputeti Mark Marku dha dorëheqjen nga mandati.
Elda Hoti doli deputete nga lista e Partisë Demokratike me aleatët pas dorëheqjes së kreut të listës së Lezhës, Mark Marku. Më herët, ajo ka qenë deputete e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila nuk e dorëzoi mandatin në vitin 2017.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.
























