SPAK thërret 40 dëshmitarë për vrasjen e Gjin Ndojit në dosjen “Metamorfoza”

Seanca në GJKKO shoqërohet me debate mes prokurorëve dhe mbrojtjes për përputhshmërinë e orareve të komunikimeve të SKY ECC me kohën e vrasjes së 27-vjeçarit.

632
Grupet kriminale shqiptare
Credits: shteg.org - Grupet kriminale shqiptare

Prokurorët e SPAK kanë kërkuar thirrjen e 40 dëshmitarëve për të dhënë deklarata lidhur me vrasjen e Gjin Ndojit, gjatë seancës të së hënës, 16 shkurt 2026, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në kuadër të dosjes së njohur si ‘Metamorfoza’ për krime të rënda.”

Në këtë proces po gjykohet biznesmeni Pëllumb Gjoka, Behar Bajri dhe Edmond Preka të cilët gjatë seancës së sotme nuk ishin të pranishëm dhe akuzohen për “Vrasje me paramendim” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Mes 40 dëshmitarëve që prokuroria ka kërkuar, shumica janë emra të njohur në botën e krimit. Njëri prej tyre është vëllai i viktimës, Jozi Kraja alias Jozi Ndoj, i cili është ekstraduar nga Zvicra për dyshimet se gjatë periudhës dhjetor 2020 – maj 2024 mundësoi kryerjen e vrasjes së dy vëllezërve Durim dhe Valter Bami.

Një tjetër dëshmitar është Gentian Sylaj, i arrestuar në Belgjikë si pjesë e një strukture kriminale të specializuar në vjedhje dhe grabitje me dhunë.

Sipas prokurorit dhe ish kreu i SPAK Arben Kraja dëshmitarët po kërkohen për të dëshmuar mbi episodin që po akuzohen të pandehurit, pra vrasjen e 27 vjeçarit Gjin Ndoj.

Sipas dosjes “Metamorfoza”, Gjin Ndoji, i njohur edhe me mbiemrin Boriçi, u vra në gusht 2020 me dy plumba në kokë dhe një në shpatull, pas dështimit për të përmbushur një detyrë kriminale dhe dyshimeve për tradhti ndaj Martinajt. Ngjarja ndodhi në kulmin e bashkëpunimit mes grupeve të Ervis Martinajt dhe Behar Bajrit, të cilët shkëmbenin favore dhe ekzekutime për interesa të ndërsjella.

Seanca u karakterizua nga debatet mes prokurorëve dhe avokatëve mbrojtës lidhur me përputhshmërinë e orareve të komunikimeve të siguruara nga platforma SKY ECC me kohën e regjistruar të vrasjes së Ndojit. Vrasja dyshohet se lidhet me një borxh prej 100 mijë eurosh që viktima kishte ndaj Ervis Martinajt.

Njëri nga prokurorët e çështjes, Arben Kraja, deklaroi se procesverbali përmban orare që nuk përputhen me kohën e kryerjes së vrasjes. Ai sqaroi se mospërputhja vjen si pasojë e serverave të SKY ECC, të cilët nuk përputhen me orën lokale në Shqipëri.

Nga ana e tij, avokati mbrojtës i Pëllumb Gjokës, Gurali Brahimllari, ngriti pikëpyetje mbi hetimet dhe besueshmërinë e provave, duke e cilësuar një pjesë të procesverbaleve si të manipuluara.

“Vrasja ka një çast dhe përcaktohet fiks. Pjesa dërrmuese e materialit thotë që ngjarja ka ndodhur në 2 ose 2:30. Vetëm procesverbali i Pëllumb Gjokës është devijuar, duke thënë që ka ndodhur në orën 4,” – deklaroi Brahimllari.

Kjo mospërputhje, sipas prokurorit vjen si pasojë e serverave të SKY ECC të cilat nuk përputhen me orën lokale në Shqipëri.

Më 23 korrik 2023 Gjykata e Posaçme miratoi kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Gjokës dhe 14 të dyshuarve të tjerë: Behar Bajri, Denis Bajri, Ervis Martinaj, Edmond Preka, Klaodor Hakaj, Prekë Kodra, Astmer Bilali, Aleks Ndreka, Bardhyl Mavraj, Eljon Hato, Arsad Bashli, Ardrit Hasanbegaj, ish-shef i Krimeve në Policinë Shkodër, Oltian Bistri, ish-drejtor Forcës Operacionale dhe Xhevahir Lita, ish-prokuror i Shkodrës.

Çështja penale është ndarë, ku tre prej të pandehurve Pëllumb Gjoka, Behar Brajoviq dhe Edmond Preka po gjykohen veçmas për akuzat për vrasje.

Në këtë proces, Gjoka akuzohet për veprat penale të sigurimit të kushteve për të kryer vrasje, korrupsionit pasiv, armëmbajtjes pa leje, grup të strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.