Këshilli i Mandateve vendos për fatin e Ballukut më 23 Shkurt

Mbledhja e tretë e Këshillit të Mandateve vendos fatin e zv/kryeministres, ndërkohë qeveria propozon ndryshime ligjore që mbrojnë funksionarët e lartë nga pezullimi nga detyra.

627
Protesta e qytetarëve përballë Parlamentit
Credits: LSA - Protesta e qytetarëve përballë Parlamentit

Pritja prej më shumë se dy muajsh që kur SPAK i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, për të hapur rrugë masave të arrestit ndaj saj, duket se po i afrohet fundit.

Këshilli i Rregullores së Mandateve dhe Imunitetit do të mbajë mbledhjen e tretë më 23 Shkurt, pas dështimeve të dy të mëparshme për marrjen e një vendimi. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, njoftoi se pas kësaj mbledhjeje pritet të përgatitet raporti që më pas do të shqyrtohet në seancën parlamentare të datës 5 Mars.

Vendimi vjen në kulmin e një klime politike të tensionuar. Opozita ka organizuar protesta që kërkojnë arrestimin e Ballukut, ndërsa kryeministri Edi Rama ka propozuar ndryshime ligjore që synojnë të mos lejojnë gjykatën të pezullojë nga detyra funksionarët e lartë politikë.

“Ka ardhur koha që askujt mos t’i shkojë në mend që me fuqinë e prokurorit dhe verbërinë e gjykatës, të marrë peng një funksion kushtetues.” – deklaroi Rama.

Socialistët dorëzuan në Kuvend një draft ligjor për ndryshime në Nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, duke përjashtuar nga pezullimi disa postet e larta, përfshirë kryeministrin, zv/kryeministrin, presidentin, Avokatin e Popullit, kreun e KLSH-së dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Drafti synon të rrisë mbrojtjen ligjore ndaj funksionarëve ndaj vendimeve gjyqësore.

Mbledhja e fundit e Këshillit të Mandateve për heqjen e imunitetit të Ballukut përfundoi pa vendim pas pesë orësh debatesh. Këshilli vendosi shtyrjen e vendimmarrjes për një datë të pacaktuar, duke argumentuar nevojën për kohë për njohjen me provat voluminoze mbi 10 mijë faqe të dorëzuara nga SPAK.

Opozita kërkoi që mbledhja e ardhshme të mbahet menjëherë, ndërsa PS propozoi 20 Janarin si datë alternative. Pas debatit, Kryetari i Këshillit, Niko Peleshi, mbylli mbledhjen pa caktuar datë të re.

SPAK argumenton se zv/kryeministrja Balluku përbën rrezik real për hetimin dhe interesin publik, duke përfshirë manipulime në tendera dhe presion ndaj dëshmitarëve. Hetimi ka nisur për Tunelin e Llogarasë (190 milion euro) dhe Unazën e Madhe të Tiranës, dhe është zgjeruar për të përfshirë koncesionin Thumanë–Kashar (245 milion euro) dhe tenderë të tjerë publikë, gjithsej rreth 600 milion euro.

Prokuroria ka evidentuar se Balluku ka ushtruar presion ndaj vartësve të saj dhe ka ndërhyrë në procesin e prokurimeve, duke favorizuar kompani të caktuara. Sipas SPAK, liria e saj mund të pengojë hetimin dhe të rrezikojë provat.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.