Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Tiranës ka vendosur pezullimin nga detyra të drejtorit të Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse në Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Gëzim Sala, i cili akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Përveç pezullimit, gjykata ka caktuar edhe masën e sigurisë “ndalim i daljes jashtë shtetit” ndaj Salës, ndërsa hetimet ndaj tij vijojnë në gjendje të lirë.
Sipas Prokurorisë, Gëzim Sala ka lejuar punësimin në kundërshtim flagrant me ligjin të Muçi Shaljanit, i cili u vra në atentatin mafioz të ndodhur në rrethrrotullimin e Rinasit në nëntor 2025, ku mbeti i vrarë edhe Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit.
Nga hetimet rezulton se Muçi Shaljani është pranuar si punonjës i AMP-së vetëm 6 ditë pas paraqitjes së kërkesës, pa kaluar asnjë nga procedurat ligjore të parashikuara për rekrutim. Ai është emëruar me urdhër të posaçëm, me motivacionin “pranohet me kontratë të përkohshme dhe për nevoja emergjente”, ndërkohë që ligji kërkon konkurrim të hapur, verifikime, testime dhe periudhë prove.
Prokuroria thekson se Sala ka nënshkruar dokumentacionin vetëm formalisht, duke pranuar se procedura nuk ishte ligjore, por gjithsesi ka urdhëruar punësimin urgjent të Shaljanit. Ky i fundit është paguar nga AMP nga data 16.09.2025 deri më 11.11.2025, ditën e atentatit, pa u paraqitur asnjëherë në punë dhe pa kryer asnjë detyrë konkrete.
Hetimet ngrenë dyshime të forta se rekrutimi i Muçi Shaljanit nuk ka qenë i rastësishëm, por është kryer për qëllime që nuk lidhen me funksionin institucional të AMP-së. Sipas organit të akuzës, dyshohet se pozicioni i dhënë, i lidhur me vëzhgimin, mund të jetë përdorur për t’i shërbyer grupeve kriminale.
Një tjetër element që rëndon pozitën e Salës, sipas Prokurorisë, është fakti se ai ka vijuar të qëndrojë në detyrë dhe të qarkullojë shkresa zyrtare, përfshirë edhe dokumente që lidhen me veprime hetimore ndaj punonjësve të policisë, duke krijuar pengesa reale për hetimet që kishin nisur edhe ndaj vetë tij.
Atentati i Rinasit, ku u vra punonjësi i AMP-së dhe Gilmando Dani, po hetohet tashmë nga SPAK, pasi Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencë për shkak të rrethanave të rënda dhe dyshimeve për përfshirje të strukturave kriminale.
Në njoftimin zyrtar, Prokuroria Tiranë konfirmon se Gëzim Sala ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, duke anashkaluar ligjin organik për AMP-në dhe aktet nënligjore për rekrutimin e punonjësve.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e punësimit të paligjshëm, rolin e personave të tjerë të përfshirë dhe lidhjet e mundshme me veprimtari kriminale.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.






















