Pas më shumë se një viti hetimesh mbi pasuritë e ish-drejtuesit të Forcës Operacionale, Oltion Bistri, Gjykata e Posaçme nuk mori ende një përgjigje përfundimtare mbi origjinën dhe fatin e pronave që SPAK dyshon se nuk justifikohen me të ardhurat e deklaruara.
Tre ekspertë financiarë u paraqitën këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por analiza financiare e kërkuar nga gjykata nuk ishte përfunduar ende. Përballë trupit gjykues, njëri prej ekspertëve deklaroi se volumi i madh i dokumenteve dhe verifikimeve nuk kishte bërë të mundur mbylljen e aktit të ekspertimit, duke kërkuar edhe disa javë kohë shtesë.
“Akt ekspertimi nuk është ende gati plotësisht. Kërkojmë 2-3 javë maksimumi për shkak të volumit, s’kemi arritur ta përfundojmë”, u shpreh eksperti në sallë.
Në seancë ishte i pranishëm edhe prokurori i SPAK, Arben Kraja, i cili nuk kundërshtoi kërkesën e ekspertëve dhe kërkoi që atyre t’u lihej koha e nevojshme për të përfunduar analizën financiare. GJKKO vendosi shtyrjen e seancës për më 11 qershor, në orën 09:00.
Por pas kësaj shtyrjeje qëndron një prej proceseve më të ndërlikuara pasurore të lidhura me dosjen “Metamorfoza”, hetimi që tronditi strukturat e policisë, drejtësisë dhe botën e krimit të organizuar pas zbërthimit të komunikimeve në Sky ECC.
Oltion Bistri, dikur një nga drejtuesit më të rëndësishëm të Forcës Operacionale të Policisë së Shtetit, u arrestua në vitin 2023 së bashku me biznesmenin Pëllumb Gjoka, ish-zyrtarin e policisë Ardit Hasanbegaj dhe prokurorin Xhevahir Lita.
Sipas SPAK, grupi dyshohet se kishte krijuar lidhje të forta mes zyrtarëve dhe organizatave kriminale, duke shkëmbyer informacione sekrete, favore dhe ndërhyrje në funksion të interesave kriminale.
Në procesin penal të zhvilluar paralelisht në GJKKO, Bistri dhe Hasanbegaj akuzohen për korrupsion pasiv dhe nxjerrje të sekretit hetimor, ndërsa pjesa më e ndjeshme e çështjes duket se është zhvendosur tashmë te pasuritë.
Hetimi pasuror i SPAK përqendrohet në apartamente, njësi tregtare, vila, garazhe dhe prona të tjera të lidhura me Bistrin dhe familjarët e tij, për të cilat prokuroria dyshon se janë në shpërpjesëtim me të ardhurat e deklaruara. Në maj të vitit 2024, GJKKO vendosi sekuestrimin e një sërë pasurish në emër të Bistrit dhe personave të lidhur me të, mes tyre apartamente qindra metra katrorë, njësi tregtare dhe prona të tjera në Tiranë.
Por ajo që e bëri edhe më delikate këtë dosje ishte lëvizja e kryer mbi disa prona të lidhura me kompaninë Arlis Ndërtim. Sipas dokumenteve gjyqësore, vetëm pak ditë pas arrestimit të Bistrit në gusht 2023, familjarë të tij dhe kompania firmosën një seri kontratash revokimi, duke zhbërë marrëveshjet e mëparshme për apartamente dhe njësi tregtare.
Mes tyre rezulton edhe një kontratë e lidhur drejtpërdrejt me Oltion Bistrin për një apartament me sipërfaqe 100.6 m2. Sipas vendimit të gjykatës, kontrata e prenotimit ishte firmosur në vitin 2019 për vlerën 50.300 euro dhe u revokua më 18 gusht 2023, pak pas shpërthimit të operacionit “Metamorfoza”.
Në të njëjtën periudhë u revokuan edhe kontrata të tjera për apartamente 400 m2 dhe njësi tregtare që lidhen me familjarë të Bistrit, me vlera që në dokumente variojnë nga 200 mijë deri në 320 mijë euro.
Më pas, kur SPAK kërkoi sekuestrimin e pronave, kompania iu drejtua gjykatës duke pretenduar se këto pasuri nuk ishin më në pronësi të familjarëve të Bistrit, pasi kontratat ishin revokuar dhe pronat ishin rikthyer në emër të shoqërisë ndërtuese. Në vend të apartamenteve dhe njësive tregtare, në sekuestro kaluan shuma monetare të depozituara në favor të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Kompania “Arlis Ndërtim” argumentoi se, meqë kontratat ishin zgjidhur, pasuritë nuk ishin më në emër të familjarëve të Bistrit dhe për këtë arsye nuk duhej të mbeteshin nën sekuestro. Në vend të tyre, “Arlis-Ndërtim” pranoi të depozitonte në llogaritë e AAPSK-së shumat monetare që korrespondonin me vlerat e kontratave.
Kjo kërkesë u pranua edhe nga organi i akuzës.
“Pranimin e kërkesës së kërkuesit shoqëria ‘ARLIS – NDËRTIM’ sh.p.k., heqjen e sekuestros për pasuritë e mësipërme, duke kaluar shumat përkatëse monetare që i përkojnë vlerës së këtyre pasurive, në llogarinë e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara”, është shprehur më parë prokurori i çështjes Arben Kraja.
Sipas dokumenteve të administruara në gjykatë, në tetor 2024 kompania transferoi në llogaritë e AAPSK-së shuma që korrespondonin me vlerat e kontratave të revokuara: 230 mijë euro, 320 mijë euro, 200 mijë euro dhe 50.300 euro, të lidhura me apartamentet dhe njësitë objekt hetimi.
Por pikërisht këtu lind edhe një nga debatet kryesore të kësaj dosjeje: diferenca mes çmimeve të deklaruara në kontrata dhe vlerës reale të tregut.
Në vendimin e gjykatës rezultojnë apartamente me sipërfaqe deri në 400 metra katrorë të deklaruara me vlerë 200 mijë euro, si edhe një apartament 100.6 m2 i deklaruar me vlerë 50.300 euro.
Në një Tiranë ku çmimet e apartamenteve janë rritur vazhdimisht gjatë viteve të fundit dhe ku sektori i ndërtimit është përmendur shpesh në raportet ndërkombëtare si një nga fushat më të ekspozuara ndaj pastrimit të parave, këto diferenca kanë ngritur pikëpyetje të forta edhe në këtë proces.
Procesi penal për dosjen “Metamorfoza” vijon paralelisht në GJKKO. Në seancën e dytë në themel, biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe gjashtë të pandehur të tjerë u përballën me akuza për grup të strukturuar kriminal, vrasje me paramendim, grabitje me armë, korrupsion ndaj funksionarëve të drejtësisë dhe vepra të tjera të rënda penale. Në të njëjtën dosje, Oltion Bistri dhe Ardit Hasanbegaj akuzohen për korrupsion pasiv dhe nxjerrje të të dhënave sekrete.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.

























