SPAK çon për gjykim dosjen “Ura” me 24 të pandehur

Hetimet e përbashkëta me Antimafian italiane zbuluan një organizatë kriminale që trafikonte drogë nga Amerika Latine drejt Europës; u sekuestruan rreth 4 tonë kokainë, 4 mln euro cash dhe pasuri me vlerë 12 mln euro.

296
Kokaina e sekuestruar nga operacioni “URA”
Credits: Policia e Shtetit Italian - Kokaina e sekuestruar nga operacioni “URA”

SPAK ka përfunduar hetimet për dosjen e koduar “Ura”, duke dërguar për gjykim në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar 24 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash. Hetimi, i zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Antimafia të Barit në Itali, ka zbuluar një organizatë kriminale që operonte mes Shqipërisë, Italisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian.

njoftimin zyrtar, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thekson se “hetimet e përbashkëta zbuluan veprimtarinë e një grupi të strukturuar kriminal, të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë dhe italianë me qëllim trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike”.

Sipas dosjes hetimore, grupi operonte nga territori shqiptar me degëzime në Itali, ndërsa organizonte importimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të kokainës që vinin nga Amerika e Jugut drejt vendeve të Bashkimit Europian.

“Grupi kriminal operonte nga territori shqiptar me degëzime në Itali, duke organizuar importimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të kokainës dhe lëndëve të tjera narkotike që vinin nga Amerika e Jugut”, thuhet në njoftim.

“Të ardhurat e përfituara nga aktiviteti i paligjshëm i trafikimit të lëndëve narkotike transportoheshin me shoferë të autobusave të transportit ndërkombëtar të pasagjerëve. Kjo për ta bërë të vështirë gjurmimin e tyre”, thekson Prokuroria.

“Nga aktet e administruara në kuadër të procedimit penal nr.36 të vitit 2019 rezulton se të pandehurit kanë komunikuar në platformën SkyECC për një periudhë të shkurtër kohe”, thuhet më tej në dosje.

Gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 4 tonë drogë në Itali dhe Holandë, në episode të ndryshme nga viti 2020. Mes rasteve më të mëdha janë 932 kilogramë kokainë të kapura në Reggio Calabria dhe 2020 kilogramë kokainë të sekuestruara në Rotterdam të Holandës.

Në kuadër të hetimit janë sekuestruar edhe mbi 4 milionë euro cash, si dhe 25 pasuri me vlerë rreth 12 milionë euro.

“Gjatë hetimeve paraprake u kryen veprime të mëtejshme hetimore me qëllim verifikimin e pasurive në zotërim të personave nën hetim, burimin e ligjshëm të tyre, si dhe gjetjen dhe sekuestrimin e pasurive, që mund të përbëjnë produkte të veprimtarisë kriminale”, – thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK.

Paralelisht me hetimin penal, Prokuroria e Posaçme ka zhvilluar edhe hetim pasuror ndaj 52 personave të përfshirë në procedim dhe familjarëve të tyre, me qëllim identifikimin e pasurive që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal.

Sipas organit të akuzës, grupi kriminal operonte nga territori shqiptar me degëzime në Itali, ndërsa siguronte importimin dhe shpërndarjen e kokainës që vinte nga Amerika e Jugut me destinacion tregun europian. Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Distrektuale Antimafia në Bari, në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore.

Me kërkesë të SPAK, GJKKO-ja ka vendosur sekuestrimin e një numri të konsiderueshëm pronash dhe njësish tregtare në Durrës, Currila dhe zonën e Plazhit, të regjistruara në emër të personave nën hetim apo shoqërive të lidhura me ta. Sipas Prokurorisë së Posaçme, “pasuritë e sekuestruara vlerësohen përafërsisht në 12 milionë euro”.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.