Vrasja në Bari që zbuloi rrjetin kiminal shqiptaro-italian

SPAK dhe Antimafia e Barit çmontojnë një organizatë të strukturuar që operonte mes Shqipërisë dhe Italisë, e përfshirë në trafik droge, pastrim parash dhe një vrasje mafioze në Barletta.

350
Grupet kriminale
Credits: shteg.org - Grupet kriminale

15 masa sigurie, rreth 1 milionë euro cash dhe kompani tregtare kanë rënë në rrjetën e autoriteve të drejtësisë gjatë një operacioni të përbashkët të organizuar nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Drejtoria Distriktuale Antimafia e Barit (DDA).

Goditja e grupit të strukturuar kriminal, i cili operonte mes Italisë dhe Shqipërisë, u lajmërua gjatë një konference të përbashkët për shtyp mes kreut të SPAK Klodian Braho dhe autoriteteve italiane.

Grupi, i udhëhequr nga Igli Kamberi ishte nën shënjestër të organeve hetimore prej të paktën 1 viti, kohë kur Kamberi u burgos në Itali i akuzuar për vrasjen e 26 vjecarit Francesco Diviesti, në 25 Prill 2025, në Barleta të Italisë.

Do të ishin hetimet e nisura për këtë ngjarje kriminale, që orientuan autoritet në gjurmimin e grupit, duke zbuluar një strukturë që merrej me pastrimin e parave me origjinë nga trafiku i drogës, të cilat më pas trasportoheshin nga Italia drejt Shqipërisë.

Vrasja që zbuloi grupin shqiptaro-italian

Francesco Diviesti
Credits: La Republica – Francesco Diviesti

Natën e 25 prillit 2025, një konflikt i zakonshëm në një bar të qytetit Barletta në jug të Italisë do të shndërrohej në fillimin e një historie që do të zbulonte një rrjet të gjerë kriminal mes Italisë dhe Shqipërisë.

Francesco Diviesti, 26 vjeç, u pa për herë të fundit atë mbrëmje, teksa debati brenda lokalit tensionohej. Dëshmitarët treguan se pak më vonë ai u largua me forcë drejt një zone të izoluar në Canosa di Puglia, mes shpellave të Murgias së Sipërme.

Aty, sipas hetimeve të mëvonshme, i riu u ekzekutua me pesë plumba të qëlluar nga dy armë të ndryshme. Më pas autorët tentuan të zhduknin çdo gjurmë.

“Diviesti u është qëlluar 5 herë nga dy pistoleta dhe më pas, i është vënë flaka brenda disa gomave, me qëllim që kufoma të digjej, sipas një metode të përdorur në vitet ’90, në këtë zonë” – thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Pikërisht kjo mënyrë ekzekutimi ngriti menjëherë dyshimet e autoriteteve italiane. Hetimi kaloi në duart e Drejtorisë Antimafia të Barit, e cila brenda katër ditësh arriti të gjente trupin e Diviestit. Por ndërsa hetuesit rindërtonin lëvizjet e viktimës dhe autorëve, ata nisën të zbulonin se pas vrasjes fshihej një organizatë shumë më e madhe kriminale.

Gjurmët çuan drejt një grupi shqiptar me bazë në Tiranë, i dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash nga Italia drejt Shqipërisë. Hetimet zbuluan një rrjet të strukturuar që operonte në të dy anët e Adriatikut, duke përdorur lidhje kriminale, kompani tregtare dhe transferta parash për të lëvizur fitimet e drogës.

“Rindërtimi i vrasjes së Diviesti-t dhe identifikimi i grupit kriminal të përfshirë në pastrimin e produkteve të veprës penale u bë i mundur falë një hetimi më të gjerë ndaj shtetasve shqiptarë të vendosur në Puglia – sqaron prokuroria.

Dy muaj pas vrasjes, më 25 qershor 2025, një nga shqiptarët e dyshuar si i përfshirë në ekzekutim u arrestua në Roszke të Hungarisë. Ai ishte larguar nga Italia vetëm dy ditë pas krimit. Arrestimi nuk erdhi për akuzën e vrasjes, por pasi u kap me 24 kilogramë kokainë të pastër.

Në të njëjtën kohë, hetuesit sekuestruan mbi 412 mijë euro cash tek familjarë të të dyshuarit dhe dokumentuan përfshirjen e tre shtetasve italianë në aktivitetin kriminal.

Ndërsa hetimet zgjeroheshin, autoritetet shqiptare dhe italiane nisën një operacion të përbashkët për të goditur të gjithë strukturën kriminale. Provat treguan se grupi kishte krijuar një mekanizëm të sofistikuar për pastrimin e parave të drogës përmes kompanive dhe llogarive bankare në Shqipëri.

Operacioni final çoi në sekuestrimin e 4 kompanive tregtare, 8 automjeteve, 10 llogarive bankare dhe rreth 680 mijë eurove cash, para që ishin bllokuar më herët në Pikën Kufitare të Muriqanit pas informacioneve të siguruara nga autoritetet italiane të DIA-s në Bari.

Ajo që nisi si hetim për një të ri të zhdukur në Barletta, përfundoi në zbulimin e një prej rrjeteve më të organizuara kriminale shqiptaro-italiane, të përfshirë në trafik droge, pastrim parash dhe ekzekutime mafioze.

Miliona euro, kompani dhe llogari bankare

Konferenca për shtyp e SPAK dhe Antimafias italiane
Konferenca për shtyp e SPAK dhe Antimafias italiane

Në orët e para të mëngjesit të së Martës 26 Maj 2026, u bë e mundur goditja e kësaj strukture kriminale, duke lëshuar 15 masa sigurie prej të cilave 10 “arrest me burg”, 6 prej tyre të ekzekutuara në territorin italian, 3 masa “detyrim paraqiteje” dhe 1 “arrest në shtëpi”.

Ndaj tyre rëndojnë 6 vepra penale, ku ndër më të rëndat janë ato të “Vrasje me paramendim e kryer duke përdorur metoda mafioze të ekzekutimit” dhe “Pastrim ndërkombëtar i produkteve të veprës penale nga Italia në Shqipëri”.

Masat janë vendosur ndaj 11 shetasve shqiptarë dhe 4 italianë, ndërsa u ekzekutuan në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar që përfshiu 3 qytete në Tiranë, burgun e Romës dhe qytetin e Madridit në Spanjë.

Në Shqipëri u arrestua Ergys Kastrati, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritet italiane prej 2 vitesh. I njohur ndryshe me pseudonimin “Bishja”, Kastrati u lokalizua në një vilë pranë zonës së Tegut, ndërsa në pranga ra dhe bashkëshortja e tij, Desmira Ceco.

Gjithashtu, në territorin shqiptar u arrestuan edhe 2 persona të tjerë të cilët dyshohet se kishin rol në transferimin e parave.

Paralelisht me arrestimet, Spak ka urdhëruar bllokimin e aseteve të luajtshme dhe të paluajtshme të grupit kriminal në të cilat përfshihen 8 automjete, 10 llogari bankare dhe 4 shoqëri tregtare.

Igli Kamberit i është sekuestruar subjekti “Igli Kamberi” një aktivitet në fushën e shërbimeve ushqimore dhe kateringut i regjistruar në zonën e Kasharit, ndërsa në masë sekuestro janë vendosur edhe llogari bankare të familjarëve të tij.

Autoritet kanë urdhëruar sekuestrimin e llogarive të bashkëshortes, Nevila Kamberit si dhe nënës së saj, ndërsa pritet edhe bllokimi i aktivitetit të një biznesi bujqësor në pronësi të babait të saj.

Në listën e pasurive të bllokuara përfshihen edhe asetet e Ergys Kastratit, i cilësuar si një nga figurat kyçe të grupit kriminal. Autoritetet kanë sekuestruar dy llogari bankare të regjistruara në emër të tij dhe bashkëshortes së tij, Desmira Ceco.

Masat pasurore kanë prekur gjithashtu edhe Saimir Pirrën, Sokol Fushën dhe Edi Brahajn, të cilët dyshohen se kanë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm i grupit nën hetim.

Ndërkohë, janë urdhëruar masa konfiskimi edhe ndaj Bardhok Gjergjit, lidhja e të cilit me këtë grup mbetet ende në verifikim. Hetimi parashikon gjithashtu bllokimin e aktivitetit të një kompanie në sektorin e automjeteve, si dhe sekuestrimin e disa mjeteve luksoze dhe një llogarie bankare.

Në konferencën për shtyp, drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, e vlerësoi operacionin si një nga më të suksesshmit deri më tani.

“Bashkëpunimi i sotëm është më i miri që kemi pasur ndonjëherë në Shqipëri. Strukturat e përbashkëta funksionojnë kur ka vullnet dhe angazhim, dhe rezultatet hetimore janë plotësisht të arritshme”, u shpreh ai.

Sipas tij, operacioni i fundit është pjesë e një projekti hetimor shumëvjeçar mes SPAK dhe Drejtorisë Antimafia të Barit (DDA), i cili ka vijuar në të njëjtën linjë me operacionet e mëparshme si “Shefi”, “Shpirti” dhe “Ura”. Në total, këto hetime kanë çuar në vendosjen e rreth 170 masave sigurie, sekuestrimin e pasurive në vlerën e miliona eurove dhe kapjen e mbi 7 tonëve drogë  (kokainë, heroinë, kanabis), gjatë tetë viteve të fundit.

Ky bashkëpunim vjen në një moment kur grupet kriminale shqiptare po përshkruhen gjithnjë e më shumë si aktorë të rëndësishëm në tregjet ilegale ndërkombëtare. Raportet e institucioneve europiane të sigurisë tregojnë një prani në rritje dhe një konsolidim të këtyre grupeve në rrjetet e krimit të organizuar transnacional, veçanërisht në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe aktivitetet e paligjshme ekonomiko-financiare.

Gjatë së njëjtës konferencë, edhe prokurori italian Giuseppe Gatti vlerësoi rolin dhe ndikimin e këtyre strukturave kriminale.

“Ky operacion na jep mundësinë të analizojmë më qartë krimin e organizuar. Sot mund të themi se organizatat kriminale shqiptare janë ndër më të përhapurat dhe më të fortat në Bashkimin Europian. Për një kohë të gjatë ato janë nënvlerësuar, pasi konsideroheshin të lidhura vetëm me prostitucionin apo emigracionin e paligjshëm. Sot realiteti tregon një nivel shumë më të lartë organizimi dhe një rol të drejtpërdrejtë në narkotrafikun ndërkombëtar”, u shpreh ai.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.