Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme dënimin me gjithsej 56 vite burg për pesë të pandehur të përfshirë në një prej fraksioneve të dosjes së njohur si “Revanshi”, hetim që përfshin trafik droge, armësh dhe plane për atentate ndaj personazheve të njohur të botës së krimit.
Mes të pandehurve ndodhen edhe dy të afërm të ish-deputetit socialist Eduard Ndreca. Për Armando Ndrecën, vëllain e ish-deputetit, SPAK kërkoi dënimin me 15 vite burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 10 vite. Ndërsa për Elvis Ndrecën, kushëri i ish-deputetit, u kërkua dënimi me 9 vite burg, që me uljen e një të tretës zbret në 6 vite.
Për ish-efektivin e forcave speciale RENEA, Adrian Pikli, prokurorët kërkuan 10 vite e 6 muaj burgim, që me gjykim të shkurtuar reduktohen në 7 vite. Për Edison Muçekun u kërkua dënimi me 9 vite burg, i reduktuar në 6 vite, ndërsa për Deivis Bajramajn SPAK kërkoi 12 vite burgim, që përfundimisht zbresin në 8 vite.
Sipas organit të akuzës, të pandehurit kanë qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, tregtinë e paligjshme të armëve si dhe sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve.
Hetimet e SPAK kanë zbuluar se më 4 nëntor 2020, në zonën e Urës së Tapizës në Fushë-Krujë, Albert Zaja dhe persona të tjerë kanë organizuar një atentat ndaj Durim Bamit dhe Ervin Kodrës. Sipas dosjes hetimore, sulmi nuk arriti objektivin, por konsiderohet pjesë e përplasjeve mes grupeve kriminale që vepronin në atë periudhë.
Një tjetër episod i dokumentuar nga prokuroria lidhet me periudhën maj-korrik 2020, kur Albert Zaja dhe Edison Muçeku dyshohet se siguruan armë, mjete dhe logjistikën e nevojshme për vrasjen e Hamza Terziut. Ndërkohë, gjatë muajve korrik-gusht të të njëjtit vit, Elvis Ndreca akuzohet se ka siguruar kushtet për realizimin e një atentati ndaj Durim Bamit, i njohur si një nga personazhet më të spikatur të botës së krimit në zonën e Niklës.
Sipas SPAK, aktiviteti kriminal nuk kufizohej vetëm te atentatet. Hetimet pretendojnë se në tetor të vitit 2020, Armando Ndreca ka organizuar dhe financuar një grup që prodhoi dhe trafikoi rreth 243 kilogramë kanabis në qarkun e Lezhës.
Në një tjetër linjë hetimore, Deivis Bajramaj dhe ish-efektivi i RENEA-s Adrian Pikli dyshohet se gjatë viteve 2020-2021 janë përfshirë në tregtinë e paligjshme të armëve dhe municioneve. Sipas prokurorisë, armët janë shitur edhe te persona me precedentë penalë, duke furnizuar grupe kriminale aktive në vend.
Dosja “Revanshi” konsiderohet një nga hetimet më të gjera të SPAK kundër krimit të organizuar dhe është ndarë në disa fraksione për shkak të numrit të madh të episodeve kriminale dhe personave të përfshirë. Në hetim janë përmendur emra të njohur të botës së krimit dhe politikës, përfshirë ish-deputetin socialist Arben Ndoka, të shumëkërkuarin dhe të zhdukurin prej vitesh Ervis Martinaj, Aldo Avdylin, Durim Bamin, Endrit Doklen dhe Fatmir Hysenin.
Për Albert Zajën, i konsideruar nga SPAK si një prej figurave kyçe të disa episodeve kriminale të përfshira në dosje, procedimi është veçuar dhe po ndiqet në një çështje të ndarë.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.
























