Gjykata Kushtetuese mblidhet, por nuk jep vendim për Ballukun

Mediat raportuan mbledhjen e gjyqtarëve më 3 shkurt 2026, por zyra e shtypit të gjykatës nuk konfirmoi as mbledhjen, as ndonjë vendim të marrë.

694
Kryeministri Edi Rama dhe zv/kryeministrja dhe ministrja per infrastrukturen dhe energjine, Belinda Balluku
Credits: LSA - Kryeministri Edi Rama dhe zv/kryeministrja dhe ministrja per infrastrukturen dhe energjine, Belinda Balluku

Për të dytën herë, Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë një vendim mbi ligjshmërinë e pezullimit nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku. Më 3 shkurt 2026, mediat raportuan se gjykata u mblodh për të shqyrtuar ankesën e kryeministrit Rama, i cili pretendon se Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka tejkaluar kompetencat e saj duke shkarkuar një anëtar qeverie. Megjithatë, zyra e shtypit të Gjykatës Kushtetuese nuk konfirmoi mbledhjen e gjyqtarëve, as nuk dha informacion nëse nga shqyrtimi arriti të merrej ndonjë vendim.

Pavarësisht akuzave për shkelje të barazisë në tendera, Balluku vazhdon të jetë zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke rikthyer përkohësisht rolin e saj në qeveri pas ankimimit të kryeministrit.

Shtyrja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka ndikuar drejtpërdrejt edhe tek Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve, i cili nuk ka marrë ende vendim për kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e zv/kryeministres dhe deputetes Belinda Balluku.

Njëjtë si mbledhjet e Gjykatës Kushtetuese, Këshilli është mbledhur dy herë dhe nuk ka arritur në një përfundim. Mbledhja e parë u shty sepse anëtarët kërkuan të njiheshin me dokumentacionin voluminoz të dosjes, që tejkalonte 10 mijë faqe. Mbledhja e dytë u shty pa afat, duke pritur fillimisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas neneve 118 dhe 119 të rregullores së Kuvendit, Këshilli ka për detyrë të hartojë brenda 2 javësh një raport për seancën plenare, ku rekomandohet miratimi ose rrëzimi i autorizimit për masa sigurie, si arrest në burg ose shtëpi, heqje të lirisë në çdo formë, ose kontroll personal dhe të banesës. Raporti më pas u shpërndahet deputetëve. Në rast se kuvendi nuk merr vendim brenda 3 muajve nga kërkesa, ajo shfuqizohet automatikisht.

Zëvendëskryeministrja Balluku u mor zyrtarisht e pandehur nga SPAK më 31 tetor 2025, nën akuzën për shkelje të barazisë në tendera. Më 20 nëntor 2025, ndaj saj u mor masa “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”. Hetimi filloi për dy çështje specifike, por u zgjerua më pas. Më 16 dhjetor 2025, SPAK kërkoi heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Balluku me synim arrestimin e saj.

Që nga ajo datë, kryeministri i vendit ka bërë një sërë deklaratash në mbrojtje të saj dhe ka akuzuar gjykatën e posaçme si shkelëse të drejtësisë.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur lidhur me procedurat e tenderit të tunelit të Llogarasë dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe, ndërsa ka ankimuar në GJKKO edhe masat e sigurisë ndaj saj, pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë vendit.

Ndërkohë, qeveria i është drejtuar Kushtetueses me pretendimin se GJKKO ka ndërhyrë në kompetencat e ekzekutivit dhe ka caktuar masa të papajtueshme me imunitetin që ministri gëzon si deputet.

Sipas dokumenteve që kanë rrjedhur në media, hetimi është zgjeruar dhe aktualisht hetimi përfshin pothuajse të gjithë investimet në Unazën e Madhe, si dhe procedurën koncesionare PPP për aksin Thumanë-Kashar, me një vlerë të parashikuar rreth 245 milionë euro.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.