Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli më 5 shkurt 2026 fajtorë Gersi Kaçorrin, Besnik Ukën dhe Artur Jahjën për korrupsion në zgjedhje, duke i dënuar me burgim, dënime që u reduktuan dhe u pezulluan për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Sipas vendimit nr. 8, të dhënë nga trupi gjykues (i përbërë nga Flora Hajredinaj, Etleva Deda dhe Rudina Palloj) Gersi Kaçorri u shpall fajtor për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal, dhe u dënua me 1 vit burg. Në zbatim të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 8 muaj dhe ekzekutimi i tij u pezullua, me vënie në provë për 1 vit e 6 muaj.
Besnik Uka dhe Artur Jahja u shpallën fajtorë për “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, sipas neneve 328/b dhe 25 të Kodit Penal. Edhe për ta, dënimi prej 1 viti burg u reduktua në 8 muaj dhe u pezullua, me të njëjtën periudhë prove.
Kodi Penal parashikon për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje dënime nga 1 deri në 5 vjet burg, ndërsa në këtë rast gjykata aplikoi minimumin e dënimit dhe vendosi pezullimin e ekzekutimit për të tre të pandehurit.
Gjykata urdhëroi gjithashtu që gjatë periudhës së provës, të dënuarit të mbajnë kontakte me shërbimin e provës, të mos kryejnë vepra të tjera penale dhe të mos shoqërohen me persona të dënuar. Po ashtu, u vendos konfiskimi i aparateve telefonike dhe kartave SIM të sekuestruara gjatë hetimit, si prova materiale në proces. Shpenzimet proceduriale u ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.
Çështja u hetua nga SPAK, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, në kuadër të procedimit penal nr. 55 të vitit 2025. Sipas akuzës, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, premtuan, ofruan dhe shpërndanë shuma monetare zgjedhësve të Bashkisë Kurbin, me qëllim ndikimin në mënyrën e votimit në mbështetje të Partisë Socialiste.
Në sfond, SPAK ka bërë me dije se gjatë hetimeve për krime zgjedhore janë administruar 192 materiale, nga të cilat 43 janë regjistruar si procedime penale dhe ndodhen në fazë hetimi. Sipas të dhënave zyrtare, në shumicën e këtyre rasteve mbizotëron akuza për korrupsion aktiv në zgjedhje, ndërsa procedimet e tjera lidhen me korrupsion aktiv dhe pasiv, përdorim të funksioneve publike për qëllime politike, si dhe kanosje apo dhunim të zgjedhësve.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.
























