Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) shpalli të mërkurën, më 26 nëntor, fajtorë zyrtarin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Dritan Stoka, dhe kryeplakun e Lagjes së Re në Sauk, Agim Osma, për përfshirje në korrupsion zgjedhor dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm gjatë fushatës së zgjedhjeve vendore të vitit 2019.
Stoka dhe Osma u akuzuan për veprat penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, vepra të kryera në bashkëpunim. Sipas vendimit të gjykatës, të dy të pandehurit kishin kërkuar dhe siguruar lista zgjedhësish, duke ushtruar presion ndaj qytetarëve që të votonin në mënyrë të caktuar, në këmbim të favoreve të paligjshme si qëndrimi në punë ose pajisja me leje legalizimi për ndërtimet informale në zonën e Saukut.
Dritan Stoka, ish-punonjës i Drejtorisë së Përgjithshme të Kadastrës, u gjet fajtor për të dy akuzat dhe u dënua me 3 vite burg, të cilat u reduktuan në 2 vite heqje lirie për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ai do ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme.
Sipas SPAK-ut, Stoka përdorte funksionin e tij publik për të ushtruar presion ndaj qytetarëve dhe për të premtuar legalizime dhe favore të tjera administrative në këmbim të votave për Partinë Socialiste.
Gjykata provoi se ata kishin kërkuar nga qytetarë të ndryshëm hartimin e listave të zgjedhësve dhe ndikimin në mënyrën e votimit, kundrejt përfitimeve të parregullta si mbajtja në punë apo pajisja me leje legalizimi në zonën e Saukut, në Tiranë.
Edhe Agim Osma, në kohën e ngjarjes kryeplak i Saukut, u shpall fajtor për të njëjtat vepra penale dhe u dënua me 2 vite heqje lirie, pas reduktimit nga 3 vite burg.
Për Osmën, GJKKO vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke e vendosur atë në provë për 24 muaj. Më herët, Osma kishte qenë në arrest shtëpie për shkak të problemeve shëndetësore, masë e cila tashmë është shuar. Atij i ndalohet, gjithashtu, shoqërimi me persona të dënuar gjatë periudhës së provës.
Hetimet e SPAK zbuluan se të pandehurit kishin kërkuar dhe marrë përfitime të parregullta për të ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimit të disa qytetarëve. Nga përgjimet telefonike u dokumentua se ata ushtronin presion mbi votuesit dhe përcaktonin mënyrën e votimit të tyre, në këmbim të favoreve administrative.
Nga bisedat e përgjuara, të përfshira në fashikullin e procedimin penal ka rezultuar se përmes veprimeve të tyre, në bashkëpunim me njëri tjetrin, përmes kërkimit, marrjes dhe pranimit, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të përfitimeve të parregullta kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të disa shtetasve.
Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.
Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.


























