Shpallet fajtor për blerje votash, por gjykata zbut dënimin për babain e kandidates

Babai i kandidates së PSD-së në Fier, Limonera Bozha, shpallet fajtor për korrupsion zgjedhor gjatë zgjedhjeve të 11 majit, me dënim të kthyer në shërbim prove.

615
Krimet zgjedhore – vota kundrejt legalizimesh në Sauk
Credits: shteg.org - Krimet Zgjedhore

Pandeli Bozha, babai i kandidates së PSD-së në Fier, Limonera Bozha, u shpall fajtor dhe u dënua sot nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për korrupsion aktiv në zgjedhje, pas hetimeve të zhvilluara nga SPAK për blerje votash gjatë zgjedhjeve të 11 majit, në favor të kandidates së PSD-së.

Vendimi u dha më 13 janar nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Bib Ndreca, pas një gjykimi të zhvilluar me procedurë të shkurtuar. GJKKO e dënoi Pandeli Bozhën me 1 vit e 6 muaj burg, dënim që u ul në 1 vit për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe më pas u pezullua, duke u kthyer në shërbim prove për një periudhë 24-mujore.

Në të njëjtën çështje, gjykata shpalli fajtor edhe Vladimir Lushkaj për korrupsion pasiv në zgjedhje, por vendosi përjashtimin e tij nga dënimi, pa caktuar masë konkrete ndëshkimi.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Pandeli Bozha ka përdorur kontakte personale dhe mjete financiare për të ndikuar tek qytetarët që të votonin, ndërsa Vladimir Lushkaj ishte personi që kishte pranuar pagesën për votën.

Si provë materiale, gjykata vendosi sekuestrimin e një kartmonedhe prej 2 mijë lekësh, e destinuar për blerjen e votës, e cila kalon në favor të shtetit. Gjithashtu, si provë u administrua edhe një fletë e ngjashme me fletën e votimit, ku ishte shënuar emri i kandidates L.B.

Pandeli Bozha ishte arrestuar më 8 maj me urdhër të SPAK dhe ndaj tij ishte vendosur fillimisht masa e arrestit shtëpiak për shkak të moshës dhe gjendjes së rënduar shëndetësore. Pas daljes nga GJKKO, kandidatja e PSD-së, Limonera Bozha, ka mohuar çdo përfshirje, duke deklaruar se as ajo dhe as familja e saj nuk kanë qenë të përfshira në blerje votash.

Gjykata vendosi gjithashtu që shpenzimet procedurale në vlerën 6,361.52 lekë t’u ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.