Altin Ndoci arratiset në mënyrë spektakolare nga spitali i Durrësit

38-vjeçari i akuzuar për vrasje shfrytëzoi pakujdesinë e efektivëve, për të dalë me vrap nga kati i tretë i spitalit ku u largua me një Audi që e priste në parkim.

778
Altin Ndoci, i arratisuri nga spitali burgut
Credits: Policia e Shtetit - Altin Ndoci, i arratisuri nga spitali burgut

Altin Ndoci, një person me rekorde kriminale, dhe nën hetim për akuzat e vrasjes, arriti të arratisej mesditën e së Martës, më 13 janar, nga Spitali i Durrësit.

I burgosur prej gjashtë vitesh, 38-vjeçari arriti të “fitojë lirinë” duke shfrytëzuar një vizitë mjekësore, e cila ishte planifikuar në pavionin e infektivit të spitalit rajonal të qytetit të Durrësit. Dhe pse ishte i shoqëruar nga 5 efektivë policie, të thënat e para flasin se vetëm dy prej tyre e shoqëruan Ndocin në ambjentet e brendshme të spitalit, ku ai ia doli të realizojë planin e arratisjes.

Ndoci ishte shoqëruar nga pesë efektivë policie: një shofer, dy të tjerë që qëndronin brenda makinës dhe dy që e shoqëronin në ambientet e spitalit.

Të dhënat paraprake tregojnë se fillimisht Ndoci i kërkoi njërit prej efektivëve të shkonte në tualet, që ndodhet ngjitur me dhomën ku po kryente ekzaminimet.

Njëri prej policëve ka hapur derën dhe tjetri ka tentuar t’i vendosë prangat. Në këtë moment, Ndoci i ka qëlluar dhe është larguar me vrap nga kati i tretë përmes shkallëve dhe ka zbritur në pjesën e jashtme të spitalit.

Duke dalë në pjesën e jashtme, ai iu drejtua drejt parkimit, ku dyshohet se e prisnin dy makina. Njëra prej tyre, një Audi A7 luksoz ngjyrë gri me targa AA700RS, u bë mjeti i largimit të tij, dhe dyshohet se më pas është nisur me shpejtësi në drejtim të Spitallës.

“Pavarësisht ndërhyrjes nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci arriti të largohet nga spitali”, tha Drejtoria e Burgjeve në një reagim zyrtar, në të cilin njoftohet pezullimi nga detyra i pothuajse gjithë zinxhirit drejtues të burgut të Durrësit.

Në total janë pezulluar 10 persona, duke përfshirë drejtorin e institucionit, Indrit Cërloj, zv/drejtorin dhe mjekun e burgut të Durrësit.

Dinamika e ngjarjes ngre dyshime të bazuara se arratisja e 38-vjeçarit ka qenë e planifikuar në detaje.

Nga Policia e Shtetit dhe SPAK mësohet se për shoqërimin e Ndocit nga burgu në spital nuk është kërkuar mbështetje me forca shtesë.

“Policia e Shtetit merr masa kur njoftohet nga burgjet, por për këtë rast nuk jemi njoftuar dhe nuk na është kërkuar ndihmë”, – deklarojnë autoritetet për Report TV.

Policia ka njoftuar për ngritjen e postoblloqeve të shumta në të gjithë rrugët e Durrësit, pika kontrolli në hyrje të qyteteve të Tiranës, Fierit apo Lezhës, si dhe po kryen kontrrolle në zonat përreth.

“Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes” – thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Burgjeve.

Altin Ndoci është një emër i njohur në botën e krimit. Me origjinë nga Lezha dhe banim në Tiranë, ai u arrestua nga SPAK para gjashtë vitesh gjatë operacionit “Plumbi i Artë” dhe akuzohej për vrasje me pagesë, grabitje dhe trafik droge.

Ndoci dyshohej se ishte i përfshirë në 2 vrasje të ndryshme me 4 viktima: të dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj dhjetorin e vitit 2019 në Durrës dhe ekzekutimin e Anxhelo Avdijës dhe Dorian Shkozës në vitin 2020, po në qytetin bregdetar.

Por në prill të 2024-ës Gjykata e Posaçme pushoi akuzat, duke e shpallur të pafajshëm. Megjithëse mori pafajësi, Altin Ndoci nuk mund të lirohej nga burgu. Ndaj tij SPAK ngriti akuza të tjera të rënda për vrasje, pas dëshmive të Nuredin Dumanit dhe Erion Alibejt, dy të penduar të tjerë të drejtësisë.

Ishte Nuredin Dumani, një tjetër i penduar i drejtësisë, që përmendi emrin e Ndocit në disa ngjarje kriminale. Mbi 38-vjeçarin rëndojnë akuza për vrasjen e Andi Zylyfit në dhjetor të 2018 dhe plagosjen e Ardit Urucit, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje.

Edhe Erion Alibeaj, një tjetër i penduar i drejtësisë, akuzon Ndocin se ka marrë pjesë në atë që njihet si “Masakra e Bradaneshit”, ku në dhjetor të 2018 mbetën të vrarë 3 persona, mes tyre edhe vëllai i Alibeaj, Endrit Alibeaj.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.