Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar sot kërkesën e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, për lirim nga paraburgimi, duke lënë në fuqi masën e arrestit me burg.
Kjo ishte përpjekja e dytë e Kokës për të dalë nga qelia, duke pretenduar përfundimin e afatit të paraburgimit në lidhje me dosjen e inceneratorit të Tiranës. Ish-ministri u shpall fajtor për procedurat e ndjekura për ndërtimin e inceneratorëve dhe u dënua më 16 prill 2025 me tre vite burg.
Koka, përmes një kërkese ligjore, iu drejtua gjykatës me pretendimin për “konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit”, duke iu referuar nenit 263/3 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit paraburgimi humbet fuqi nëse nga dita e dhënies së vendimit të dënimit në shkallë të parë kanë kaluar afatet pa u dhënë vendimi në gjykatën e apelit.
Dokumentet gjyqësore tregojnë se deri më tani, Koka është shpallur fajtor dhe është dënuar për aferat e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit, ndërsa për procedurat që çuan në ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, vendimi i shkallës së parë u dha më 16 prill 2025.
Ish-ministri iu drejtua më parë Gjykatës së Posaçme për këtë “konstatim” në tetor 2025, por një muaj më pas e njëjta çështje u paraqit në GJKKO. Sot, trupa gjykuese e drejtuar nga Miliana Muça vendosi të lërë të pa ndryshuar masën e sigurisë të datës 24 tetor 2025.
Lefter Koka është dënuar me gjashtë vite e tetë muaj burg nga Gjykata e Apelit për Korrupsion dhe Krim të Organizuar për aferat e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit. Në shkallën e parë, Koka ishte dënuar me pesë vite e gjashtë muaj burg për “Shpërdorim detyre në bashkëpunim”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Gjithashtu, ish-ministrit iu sekuestruan pasuri të konsiderueshme, përfshirë disa apartamente dhe 88,9% të aksioneve në kantinën e pijeve alkoolike “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Durrës. Ai gjithashtu humbi të drejtën për të mbajtur pozicione publike për pesë vite. Sipas organeve kompetente, të ardhurat e Kokës nuk justifikonin pasuritë në emër të tij dhe të afërmve.
Lefter Koka ka qenë ministër i Mjedisit që nga viti 2013, ndërsa në shtator 2021 dha dorëheqjen nga mandati i deputetit, duke nisur një betejë të gjatë me drejtësinë.
Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.
Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.


























