Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të rihapë pjesërisht shqyrtimin gjyqësor për çështjen e inceneratorit të Tiranës, vetëm për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka.
Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga relatore Ilirjana Olldashi dhe anëtaret Nertina Kosova e Daniela Shirka, të cilat pranuan kërkesën e prokurorit të SPAK, Dritan Prençi, për shqyrtimin e një prove të re që nuk ishte administruar në momentin e dhënies së vendimit në shkallën e parë.
Prokurori Prençi kërkoi në GJKKO përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor të provave të administruara më herët, duke theksuar se në kohën e vendimmarrjes nuk ekzistonin rrethana të reja që, sipas tij, duhen vlerësuar tashmë nga Apeli. Ai kërkoi gjithashtu rivlerësimin e provave në funksion të ankimeve të paraqitura nga palët, përfshirë edhe atë që lidhet me Lefter Kokën, ndaj të cilit është shuar masa e arrestit.
Nga ana tjetër, mbrojtja e ish-ministrit kundërshtoi kërkesën e SPAK, duke e cilësuar atë të pabazuar ligjërisht dhe proceduralisht. Sipas mbrojtjes, Lefter Koka është gjykuar dhe dënuar për inceneratorin e Tiranës, ndërsa në 16 prill 2025 gjykata e shpalli fajtor dhe shtoi masën e arrestit, pasi dënimi përkonte me kohën e kaluar në paraburgim.
Pas këshillimit, Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e SPAK për përsëritje të pjesëshme të shqyrtimit gjyqësor. Në kuadër të këtij procesi, do të pyeten si dëshmitarë Jetmir Llapaj dhe Silena Tola, kjo e fundit e pandehur në një hetim të lidhur.
Kujtojmë se në prill të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme dha vendimin për çështjen e inceneratorit të Tiranës, duke dënuar 7 të pandehur me gjithsej 15.6 vite burg, nga 26 vite që kishte kërkuar SPAK. Lefter Koka u dënua fillimisht me 3 vite burg, dënim që pas gjykimit të shkurtuar u reduktua në 2 vite dhe u konsiderua i shlyer me kohën e qëndrimit në paraburgim.
Afera e inceneratorëve nisi me dhënien e koncesionit të Elbasanit dhe u zgjerua më pas me Fierin dhe Tiranën, nën argumentin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama se vendi kishte nevojë emergjente për impiante të djegies së mbetjeve. Incineratori i Fierit ishte kontrata e dytë koncesionare e dhënë nga qeveria, ndërsa e treta u firmos për Tiranën.
Të tre kontratat u fituan nga kompani të kontrolluara nga i njëjti grup biznesmenësh të ndërlidhur, konkretisht Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, përmes shoqërive të ndryshme tregtare të krijuara posaçërisht për këto projekte.
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, u akuzua për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash në lidhje me aferën e të 3 inceneratorëve. Ai dyshohej se kishte përdorur detyrën e tij për të favorizuar kompanitë koncesionare dhe për të lejuar përfitime dhe transferime të paligjshme parash tek persona ose kompani të lidhura me të. Akuza lidhnin të treja kontratat koncesionare, të cilat sipas hetimeve kishin shkaktuar mbi 150 milionë euro kosto për buxhetin e shtetit, ndërkohë që disa nga biznesmenët dhe zyrtarët përfitues përfunduan gjithashtu nën hetim dhe u gjykuan po për akuza të rënda që kanë lidhje me korrupsionin.
Sipas hetimeve, tre skemat koncesionare i kanë kushtuar deri tani taksapaguesve shqiptarë të paktën 150 milionë euro, ndërkohë që impiantet nuk kanë funksionuar sipas qëllimit të shpallur.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.

























