Liria e Lefter Kokës pas 4 viteve paraburgim për aferën e inceneratorëve

GJKKO konstatoi se paraburgimi i ish-ministrit të Mjedisit ka kaluar kohën e lejuar nga ligji për aferën e inceneratorëve.

729
Lefter Koka – arresti me burg për Lefter Kokën
Credits: Faqja Zyrtare e Lefter Kokës

Ish-ministri i Mjedisit ka fituar lirinë me vendim të Gjykatës së Posaçme e cila urdhëroi daljen e menjëhershme nga qelia e burgut të Lefter Kokës.

Gjatë seancës së 11 dhjetorit 2025, trupi gjykues arriti në përfundimin se Koka ka qëndruar në paraburgim më gjatë se lejon ligji, pas 4 vjetësh qëndrimi në burg, ku ai u arrestua për aferën e inceneratorëve me një kosto prej 430 milionë eurosh.

Në vendimin e gjyqtarit Bib Ndreca thuhet se “kohëzgjatja tërësore e paraburgimit ka kaluar mbi tre vjet”, duke e bërë të paligjshme vijimin e mëtejshëm të masës së sigurisë, për ish-ministrin e mjedisit.

“Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i kërkuesit Lefter H. Koka…”, thuhet në vendim, me kusht që ndaj tij të mos ekzistojë ndonjë masë tjetër shtrënguese apo dënim i pavuajtur.

Në tetor të vitit 2025, ish-funksionari i lartë i qeverisë Rama i kërkoi GJKKO-së lirim e menjëhershëm nga burgu dhe shuarjen e masës së sigurisë për të, duke pretenduar se ka kaluar afati 3-vjeçar i paraburgimit për inceneratorin e Fierit.

Dy muaj pas depozitimit të kërkesës, sipas njoftimit zyrtar, GJKKO konstatoi “humbjen e fuqisë së paraburgimit”, për Kokën, një masë që vijonte ndaj tij prej marsit të vitit 2022.

Vendimi i lirimit për ish-ministrin e mjedisit lidhet me çështjen e inceneratorit të Fierit, e cila është kthyer nga Gjykata e Lartë për rigjykim në Apel.

Ndërkohë, për inceneratorin e Elbasanit, Koka ka fituar më herët lirinë me kusht nga Gjykata e Durrësit, ndërsa për inceneratorin e Tiranës ai ka shlyer dënimin përmes kohës së qëndrimit në paraburgim.

Lefter Koka u arrestua më 29 mars 2022, me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve për koncesionin e inceneratorit të Elbasanit.

Sipas SPAK, ai kishte lejuar përfitime të padrejta për kompanitë fituese të kontratës koncesionare, të lidhur përmes procedurës së negocimit të drejtpërdrejtë pa shpallje.

Sipas SPAK, Koka ka lejuar përfitime të padrejta nga ana e pronarëve të kontratës së koncesionit, e cila u lidh përmes procedurës së negocimit të drejtpërdrejtë pa shpallje nën justifikimin e gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa Klodjan Zoto dhe Stela Gugallja akuzohen se kanë kryer transaksione të rreme me paratë e marra nga buxheti i shtetit për llogari të kontratës koncesionare.

Sipas SPAK, koncesioni është dhënë në kundërshtim me ligjin, ndërsa Albtek dhe Integrated Technology Services kanë bërë pagesa për kompani të cilat dukshëm nuk kanë kryer punimet për të cilat janë paguar.

“Gjatë hetimeve paraprake për këtë procedim penal janë mbledhur dhe janë siguruar provat e nevojshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shumat monetare 368.672.760 lekë dhe 91.963.141 lekë, që iu janë faturuar shoqërive “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. dhe që janë paguar më pas nga këto dy shoqëri tregtare, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit L.K,” thotë SPAK duke iu referuar akuzës për korrupsion ndaj Lefter Kokës.

Skandali i inceneratorëve nisi në vitin 2014 me një vendim të qeverisë për të shpallur një emergjencë mjedisiore, si justifikim për të dhënë koncesionin e inceneratorit të Elbasanit. I njëjti grup kompanish mori më pas koncesion për inceneratorin e Fierit dhe atë të Tiranës.

Në të njëjtën çështje janë hetuar edhe biznesmenët Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, të akuzuar për transaksione të rreme me fondet publike të koncesionit.

Gjithashtu, ish-ministrit Koka, në kuadër të hetimeve për inceneratorët, iu sekuestruan pasuri e konsiderueshme, përfshirë disa apartamente dhe 88,9% të aksioneve në kantinën e pijeve alkoolike “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Durrës. Ai gjithashtu humbi të drejtën për të mbajtur pozicione publike për pesë vite. Sipas organeve kompetente, të ardhurat e Kokës nuk justifikonin pasuritë në emër të tij dhe të afërmve.

Lefter Koka ka qenë ministër i Mjedisit që nga viti 2013, ndërsa në shtator 2021 dha dorëheqjen nga mandati i deputetit, duke nisur një betejë të gjatë me drejtësinë.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.