Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur vendimin për 22 të pandehur të akuzuar për kultivimin, prodhimin dhe përpunimin e narkotikëve, si dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal në Shkodër.
Vendimi u dha më 26 nëntor 2025, pas një procesi gjyqsor njëvjeçar që përfshiu kultivimin e lëndëve narkotike për dy episode kryesore në Malësinë e Madhe.
Gjykata, ka gjetur fajtorë 20 prej të pandehurëve dhe ka dhënë pafajsinë vetëm 2 prej tyre.
Grupi prej 22 personash, u arrestua në ngjarjen e datës 17 të Qershorit të 2022, ku gjatë operacionit të policisë u gjetën parcelat e mbjellura me bimë narkotike në zonën e fashatrave të Shkodrës.
Në fshatin Vallas të Oblikës, policia zbuloi parcela me 32 mijë rrënjë kanabis dhe sekuestruan 246 kg lëndë narkotike të tharë.
Hetimi identifikoi Arian Popën si organizatorin e veprimtarisë, ndërsa pjesë e grupit ishin Arben Uruçi, Ardjan Tahiri, Samet Dahati, Besar Lejthiza, Izmir Dahati, Ermis Sela dhe Afrim Dahati. Dy shtetase, Liljana Çopani dhe Vajdije Allamani, u akuzuan për përpunimin e kanabisit.
Më 12 tetor 2022, në fshatin Bleran-Bardhaj, policia kontrolloi dy banesa të vëllezërve Pjetër dhe Roland Gjoni. Aty u gjet një serë e improvizuar me plastikë dhe 86.05 kg kanabis, pjesë e të cilit ishte në proces tharjeje. Organizator i këtij aktiviteti u identifikua Pjetër Gjoni.
Në total, dy episodet sollën sekuestrimin e 332 kg kanabis dhe asgjësimin e 32 mijë rrënjëve të bimëve narkotike.
Nga hetimi i SPAK rezulton se grupi kishte krijuar një sistem të mirëorganizuar për kultivimin, transportimin dhe përpunimin e drogës, duke përfshirë edhe ambientet e banesave të improvizuara dhe parcelat e mbjella me mijëra rrënjë bimësh narkotike.
Sipas Prokurorisë, veprimtaria e tyre ishte e koordinuar, me një hierarki të brendshme dhe me ndarje funksionesh që siguronte vazhdimësinë e kultivimit dhe përpunimit të kanabisit në të dy episodet.
20 të pandehur u shpallën fajtorë dhe morën dënime që shkojnë deri në 8 vite burg. 10 të tjerë u vunë në provë për 3 vite, ndërsa dy të pandehur, Roland Gjoni dhe Besar Lajthiza, u shpallën të pafajshëm dhe u hoq masa e arrestit.
Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.
Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.
























