Konfirmohet rrezikshmëria e 2800 ton mbetjesh industriale në Durrës

Kontenierët e bllokuar u sekuestruan pas alarmit ndërkombëtar, dhe Prokuroria vendosi 33 masa sigurie ndaj drejtuesve të kompanive dhe zyrtarëve të përfshirë në eksportin e paligjshëm.

762
Pankarta gjatë protestës së ambjentalistëve në portin e Durrësit
Credits: LSA - Pankarta gjatë protestës së ambjentalistëve në portin e Durrësit

Më shumë se një vit pas sekuestrimit në portin e Durrësit, Prokuroria konfirmoi më 24 dhjetor 2025 se konteinerët e bllokuar përmbanin mbi 2800 ton mbetje të rrezikshme, me origjinë nga furnaltat e kompanisë turke “Kurum International”.

Hetimet e Prokurorisë së Durrësit zbuluan një rrjet të gjerë për eksportin ilegal të mbetjeve, ku ishin përfshirë jo vetëm kompanitë “Kurum” dhe “Sokolaj”, por edhe zyrtarë shtetërorë dhe ndërmarrje të tjera. Përmes falsifikimit të dokumenteve, mbetjet u përshkruan në mënyrë të gabuara si oksid hekuri ose oksid zinku, duke shmangur detyrimet ligjore për trajtimin e tyre.

Si rezultat i këtyre shkeljeve, Gjykata e Durrësit vendosi 33 masa sigurie, mes të cilave 26 masa arresti me burg dhe 7 masa arresti në shtëpi. Ndër personat e arrestuar janë administratorë dhe pronarë të kompanive të përfshira, drejtues të doganës, inspektorë të Autoritetit Portual dhe drejtues të AKM.

Sipas hetimeve, ekspertimi i kryer në Itali dokumentoi se mbetjet përkasin kategorisë së pluhurit të furrës elektrike (EAFD), të klasifikuara si të rrezikshme sipas legjislacionit shqiptar dhe standardeve ndërkombëtare. Përbërja kimike e tyre përfshin nivele shumë të larta të zinkut dhe hekurit, të shoqëruara me plumb, bakër, mangan, kalium, kalcium dhe squfur. Rreziku i këtyre substancave për shëndetin e njeriut dhe ekosistemin është i madh, duke i kthyer këto tonelata në një kërcënim serioz për mjedisin dhe sigurinë publike.

Ky rast përbën, sipas ekspertëve dhe hetimeve zyrtare, një nga krimet më të rëndë mjedisore të dekadave të fundit në Shqipëri.

Në nëntor të 2024, pas tre muajsh lundrim, një anije me 102 kontejnerë e dyshuar me ngarkesë mbetje toksike, u rikthye në portin e  Durrësit dhe u sekuestrua nga autoritetet.

Ngarkesa, e destinuar për Tajlandën, ishte nisur nga Shqipëria në korrik, e cila transportonte ngarkesën për llogari të kompanisë “Sokolaj sh.p.k.”, me marrës “GS Minerals Doo”, por u kthye mbrapsht pas një alarmi nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Baselit’, me seli në Seattle, të Shteteve të Bashkuara.

Mbetjet e rrezikshme

Anija Molivia me mbetje të rrezikshme
Credits: LSA – Anija Molivia me mbetje të rrezikshme

Dyshimet e para janë se këto mbetjet me të cilat u ngarkua anija “Moliva” kanë si burim “Metalurgjikun në Elbasan”.

Drejtori ekzekutiv i (BAN) Jim Puckett, organizatë e cila ndërkombëtarizoi çështjen ngriti dyshime të forta në lidhje me burimin e origjinës së mbetjeve.

“Mbetjet nuk janë të konfirmuara që vijnë nga metalurgjiku i Elbasanit, por është një agjent i kompanisë turke që e thotë (shënim Kurum), pra me pak fjalë jemi të sigurt me “95% siguri” që këto kontejnerë mbajnë mbetje toksike, por sërish mbetet për tu parë” – tha për “shteg.org” Puckett.

Hetimet zbuluan se nga nëntori 2023 deri në korrik 2024, përveç ngarkesës së bllokuar, kompania “Sokolaj” kishte eksportuar tre herë të tjera mbetjet e Kurum drejt Tajlandës dhe se zinxhiri i monitorimit dhe menaxhimit të mbetjeve nuk funksiononte, duke krijuar hapësirë për shkelje të rënda ligjore dhe ekonomike.

Drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), Drejtoria Doganore e Durrësit dhe kompania koncesionare EMS Albania Port Operator kanë dështuar të kontrollojnë, inspektojnë dhe raportojnë depozitimin dhe transportin e mbetjeve të rrezikshme.

Hetimi dokumenton se AKM nuk ka kryer inspektime periodike dhe nuk ka monitoruar cilësinë e vetëmonitorimeve të kompanive private. Dogana e Durrësit trajtoi praktikat në kundërshtim me ligjin, duke lejuar eksportin e mbetjeve, ndërsa EMS APO ka depozituar mbetjet pa verifikime dhe pa mekanizma sigurie për parandalimin e dëmit mjedisor.

Skema e paligjshme nuk ka qenë vetëm një problem mjedisor, por edhe ekonomik. Prokuroria zbuloi se kompania “Sokolaj” kishte përfituar mbi 242 mijë dollarë nga shitja e mbetjeve, duke i blerë ato për 75 mijë dollarë nga Kurum. Mbetjet kaluan më pas përmes kompanisë GS Minerals d.o.o, e kontrolluar nga i njëjti grup, duke krijuar dyshime për pastrim të të ardhurave të paligjshme.

102 kontejnerë me mbetje të rrezikshme, të eksportuar nga Shqipëria drejt Tajlandës, u kthyen pas alarmit të ngritur nga organizatat mjedisore. Më 8 nëntor 2024, ato u shkarkuan në Portin e Durrësit dhe më pas u vendosën në Porto Romano për ruajtje të sigurt deri në përfundimin e hetimeve.

Organizata mjedisore “Basel Action Network” (BAN) paralajmëroi se brenda konteinerëve mund të fshiheshin tonelata mbetjesh të rrezikshme, të cilat kishin origjinë nga hiri i oxhaqeve të furrave elektrike të çelikut (EAFD).

Si pasojë, Prokuroria e Durrësit nisi një hetim ndaj kompanisë eksportuese “Sokolaj” sh.p.k., e cila deklaroi se mbetjet i kishte blerë nga prodhuesi i shufrave të hekurit, “Kurum International”. Kompania “Kurum” mohoi çdo përfshirje në eksportin e mbetjeve të rrezikshme, ndërsa Gjovana Sokolaj, administratore e “Sokolaj”, pretendoi se mbetjet nuk ishin të rrezikshme.

Drejtori i BAN, Jim Puckett, i cili vizitoi Shqipërinë më 28 tetor dhe ishte i pranishëm në portin e Durrësit gjatë mbërritjes së anijes “Molivia”, bëri thirrje për një hapje publike të konteinerëve në një proces hetimor transparent. Ai kërkoi gjithashtu që qeveria shqiptare t’i siguronte organizatës një mostër të mbetjeve për analiza të pavarura.


Shënim: Ky publikim, është mundësuar me mbështetjen financiare të projektit GreenAL, i zbatuar nga Co-PLAN, COSV dhe VIS Albania. Pikëpamjet dhe përfundimet e përfshira këtu nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë Suedeze ose të Sida-s, Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim për Zhvillim (Sida).

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.