SHBA, në bashkëpunim me autoritetet meksikane, kanë vendosur sanksione ndaj biznesmenit shqiptar Luftar Hysa, katër vëllezërve të tij dhe disa anëtarëve të tjerë të familjes, si dhe ndaj një grupi kompanish në Meksikë dhe Kanada.
Sipas njoftimit zyrtar të Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC), Hysa dhe tre vëllezërit e tij Arben, Ramiz, Fatos dhe Fabjon Hysa, si dhe disa anëtarë të tjerë të familjes, janë përfshirë në listën e zezë të SHBA-së. Ata akuzohen për përdorimin e një rrjeti biznesesh bastesh dhe argëtimi në Meksikë për pastrimin e të ardhurave të fituara nga trafiku ndërkombëtar i narkotikëve, nën mbikëqyrjen e Kartelit Sinaloa.
Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) e Departamentit Amerikan të Thesarit njoftoi të enjten, më 13 nëntor, vendosjen e sanksioneve ndaj 27 individëve dhe subjekteve, ndërsa Rrjeti për Zbatimin e Krimeve Financiare (FinCEN) ka propozuar masa për të ndërprerë lidhjet e 10 kompanive meksikane të lojërave të fatit me sistemin financiar amerikan.
Sipas OFAC, individët dhe kompanitë e përfshira kanë përdorur investime në bizneset e lojërave të fatit dhe shërbimeve argëtuese për të pastruar fitimet nga aktiviteti i paligjshëm.
“Shtetet e Bashkuara dhe Meksika po punojnë së bashku për të luftuar pastrimin e parave në sektorin e lojërave të fatit. Mesazhi ynë është i qartë: ata që mbështesin aktivitetet kriminale do të mbahen përgjegjës,” deklaroi Nënsekretari i Thesarit, John K. Hurley.
Vendimi i OFAC parashikon ngrirjen e menjëhershme të të gjitha pasurive që individët e përfshirë mund të kenë në territorin amerikan, si dhe ndalon çdo transaksion financiar nga persona apo institucione amerikane që lidhen me ta.
Sipas dokumenteve të Thesarit, rrjeti Hysa operonte në Kanada dhe Meksikë, duke përdorur kompani të shumta si mbulesë për aktivitetet kriminale. Disa prej tyre janë: Rosetta Gaming, LH Pro-Gaming, Entretenimiento Palermo, Grupo Internacional CanHysaMex dhe Hysa Holdings Inc.
Në listën e sanksioneve janë përfshirë gjithashtu shtetasi meksikan Gilberto Lopez Lopez dhe shtetasja shqiptare Eselda Baku, vajza e Ramiz Hysës.
Emri i Luftar Hysës është përmendur më parë në media shqiptare dhe ndërkombëtare si një biznesmen i lidhur me struktura të larta të pushtetit në Tiranë. Në tetor 2020, Hysa, së bashku me biznesmenin Besnik Lulaj dhe deputetin gjerman Mark Hauptmann, mori pjesë në një takim në zyrën e kryeministrit Edi Rama, i shoqëruar nga ish-këshilltari për investimet e huaja Dorian Duçka.
Në atë kohë, vizita u prezantua si pjesë e një iniciative për bashkëpunim ekonomik, por autoritetet amerikane tashmë e lidhin Hysën me strukturat financiare të Kartelit Sinaloa, një organizatë që prej shkurtit 2025 është shpallur organizatë terroriste nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.




















