DASH zbulon arsyen e heqjes së sanksionit ndaj Berishës

Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se përjashtimi nga masa e vitit 2021 i shërben një “interesi kombëtar bindës” të SHBA-së; Berisha këmbëngul se nuk ka qenë kurrë “non grata”.

41
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha
Credits: LSA - Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha

Departamenti Amerikan i Shtetit ka argumentuar arsyet mbi vendimin për heqjen e sanksionit që prej vitit 2021 ndalonte hyrjen në Shtetet e Bashkuara të ish-kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Në një reagim për “shteg.org”, DASH konfirmoi se janë lëshuar përjashtime për disa përcaktime të nenit 7031(c), të vendosura gjatë administratës së mëparshme, duke argumentuar se ky vendim i shërben interesit kombëtar të SHBA-së.

“Departamenti i Shtetit ka lëshuar përjashtime për disa përcaktime 7031(c) të vendosura gjatë administratës së mëparshme, sepse dhënia e përjashtimeve i shërben një interesi kombëtar bindës”, thuhet në përgjigjen e zyrës së shtypit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Vendimi i jep fund një mase që ishte vendosur ndaj Berishës dhe familjes së tij të ngushtë në maj të vitit 2021. Në atë kohë, ish-sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi se Sali Berisha, bashkëshortja e tij, Liri Berisha, si dhe fëmijët e tyre, Shkëlzen Berisha dhe Argita Berisha Malltezi, nuk do të lejoheshin të hynin në SHBA për shkak të asaj që administrata amerikane e cilësoi si përfshirje në korrupsion domethënës dhe minim të demokracisë.

Pas konfirmimit të heqjes së sanksionit, Berisha deklaroi se nuk e ka konsideruar asnjëherë veten si person “non grata”, duke këmbëngulur se bëhej fjalë vetëm për një ndalim hyrjeje në Shtetet e Bashkuara.

“Sali Berisha nuk ka qenë kurrë non grata. Ka pasur një sanksion, vizën. Ka qenë një ndalim hyrjeje në SHBA për ato arsye që janë deklaruar atëherë”, tha ai gjatë një komunikimi me gazetarët.

I pyetur nëse vendimi i ri përfshin edhe familjarët e tij, Berisha nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por përsëriti se masa e mëparshme kishte të bënte me ndalimin e hyrjes në territorin amerikan.

Zhvillimi është konsideruar si një fitore e rëndësishme politike për liderin demokrat, i cili prej më shumë se tre vitesh e kishte kundërshtuar vendimin e administratës amerikane dhe e kishte cilësuar atë si të padrejtë.

Megjithatë, sipas analistit Lutfi Dervishi, pyetja kryesore pas këtij vendimi nuk lidhet më me Berishën, por me të ardhmen e Partisë Demokratike.

“Me heqjen e ‘non gratës’, Berisha fitoi një betejë personale dhe morale. Por sfida e PD-së mbetet e njëjta: si të ndërtojë të ardhmen pa e pasur gjithmonë të ardhmen të lidhur me të shkuarën”, shprehet Dervishi.

Sipas tij, pas më shumë se tre dekadash, në të cilat Partia Demokratike ka gravituar rreth figurës së Berishës, mbetet për t’u parë nëse kjo fitore do të shënojë një kapitull të ri për opozitën shqiptare apo vetëm një tjetër rikthim të liderit historik të saj.

Investigative Journalist
Gazetare at  | [email protected] |  + posts

Lindita Çela është një gazetare investigative e shquar, e njohur për raportimet e saj të përpikta dhe të guximshme mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri. Me një karrierë që shtrihet për mbi dy dekada, Çela është konsoliduar si një figurë e rëndësishme në fushën e gazetarisë investigative, duke fituar vlerësime si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar për punën e saj.