Çështja ndaj Evis Berberit dhe vartësve të Ballukut kalon për gjykim

Gjykata e Posaçme vendos dërgimin për gjykim të ish-drejtorit të ARRSH dhe 20 të tjerëve, për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave; SPAK pretendon përfitime të dyshuara milionëshe nga tenderat publikë.

741
Zv/ kryeministrja e ministrja e infrastrukturës dhe energjisë, Belinda Balluku, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare te Ujësjelles-Kanalizimeve, Klevis Jahaj, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi dhe Drejtori i Përgjithshëm i OSHEE, Enea Karakaci duke folur gjatë konferncës së parë për shtyp të vitit 2024, kur u fol për arritijet e 2023 dhe për planet e 2024.
Credits: LSA - Zv/ kryeministrja e ministrja e infrastrukturës dhe energjisë, Belinda Balluku, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare te Ujësjelles-Kanalizimeve, Klevis Jahaj, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi dhe Drejtori i Përgjithshëm i OSHEE, Enea Karakaci duke folur gjatë konferncës së parë për shtyp të vitit 2024, kur u fol për arritijet e 2023 dhe për planet e 2024.

Çështja penale ndaj Evis Berberit, ish-drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, dhe vartësve të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, kalon për gjykim. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të hënën, më 9 dhjetor 2025, dërgimin për gjykim të çështjes, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) më 2 qershor 2025.

“Trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Bib Ndreca, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, vendosi Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe dërgimin për gjykim të procedimit penal nr. 214/1, të vitit 2023, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të të pandehurve, Evis Berberi…” – thuhet në njoftimin zyrtar të GJKKO.

Gjatë seancës paraprake të datës 4 dhjetor, Berberi kërkoi gjykim të shkurtuar dhe kontestoi vlefshmërinë e disa akteve hetimore, duke kërkuar që të mos përdoren si prova të dhënat e nxjerra nga celularët e tij, të sekuestruar gjatë operacionit hetimor. Së bashku me dosjen, për gjykim i kalojnë edhe kërkesat e 21 prej të pandehurve për gjykim të shkurtuar, të cilat do të shqyrtohen nga trupi gjykues në themel.

Fashikulli i gjykimit përfshin të gjitha aktet e hetimit paraprak të SPAK, si dhe dokumentet e administruara gjatë seancës paraprake.

SPAK pretendon se ka indicie të arsyeshme që Evis Berberi ka kanalizuar 2.3 milionë euro në kompaninë “DAAM” sh.p.k, të cilën kontrollonte indirekt. Sipas Prokurorisë së Posaçme, tenderi për supervizimin e punimeve iu dha një bashkimi operatorësh ku përfshihej edhe kompania “Net Group”, e lidhur me Berberin. SPAK pretendon se Berberi përfitonte para nga tenderat publikë përmes ndërmjetësve, duke favorizuar kompanitë e tij në gjashtë tendera, ndërsa një pjesë e përfitimeve dyshohet se ishte kamufluar përmes faturave fiktive dhe dokumenteve të manipuluara, dhe disa fonde janë përdorur për shpenzime personale.

Hetimet e SPAK tregojnë se përfitimet e dyshuara janë kamufluar përmes faturave fiktive dhe dokumenteve të manipuluara, ndërsa një pjesë e fondeve është përdorur për shpenzime personale. Ndër projektet më të mëdha të përfshira në hetim është ai i “kullave të karikimit për automjetet elektrike”, ku vlerat e deklaruara dyshohet se nuk përputheshin me përfitimet reale.

Emri i Berberit lidhet gjithashtu me dosjen ku është marrë e pandehur zv/kryeministrja Belinda Balluku, konkretisht në hetimin e tenderit të Lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Pas sekuestrimit të telefonit të Berberit, prokuroria ka zbardhur një sërë komunikimesh të dyshuara mes tij dhe Ballukut lidhur me këtë procedurë prokurimi.

Pas sekuestrimit të telefonit të Berberit, prokuroria ka zbardhur një sërë komunikimesh të dyshuara mes tij dhe Ballukut lidhur me këtë procedurë prokurimi.

Ish-drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi ndodhet në paraburgim që prej 13 marsit 2024, pas hetimeve të nisura nga Prokuroria e Posaçme.

Përveç ish-kreut të ARRSH-it, të pandehur janë marrë edhe tre bashkëpunëtorë të tij si dhe 18 zyrtarë shtetërorë, të akuzuar për ngritjen e një skeme që dyshohet se ka lehtësuar përfitimin e paligjshëm të fondeve publike në vlera të larta.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.