
Belinda Balluku rikthehet sot në detyrë si Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, pas 21 ditësh që ajo nuk e ushtroi funksionin e saj, për shkak të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në mbledhjen e datës 12 dhjetor 2025, Gjykata Kushtetuese vendosi të pezullojë efektet e vendimeve të mëparshme dhe rigjykimin e rigjykimin e çështjes në një seancë publike.
Me këtë vendim të ri, masa ndaluese nuk do të zbatohet derisa Gjykata Kushtetuese të përfundojë shqyrtimin e plotë të çështjes lidhur me akuzat që rëndojnë mbi zëvëndëskryeministren.
Kushtetuesja argumentoi se vendimet e pezullimit duhen stopuar përkohësisht, pasi çështja lidhet me kompetencat e institucioneve dhe balancën mes pushteteve, duke kërkuar një analizë më të thelluar.
“Me shumicë votash, pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku” – ishte njëri ndër vendimet që u morën në mbledhjen e gjyqtarëve.
Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata Kushtetuese vendosi me shumicë votash kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike që do të zhvillohet më 22 janar 2026.
Gjithashtu, gjyqtarët nën cilësinë e subjekteve të interesuara thirrën dhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kuvendin e Shqipërisë dhe Presidentin e Republikës.
Kjo do të thotë se, për momentin, Belinda Balluku kthehet në detyrë, deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, e cila do të vendosë nëse masat e marra ndaj saj kanë qenë mbivendosje e pushteteve duke prishur balancën mes tyre.
Reagimet politike
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rikthimin në detyrë të zv.kryeministres Belinda Balluku, shaktoi reagime politike që e komentojnë vendimin si një mbrojtje të interesave të kryeministrit Edi Rama.
Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, e përshkroi vendimin si një përpjekje për të shpëtuar Ramën, duke theksuar se Balluku nuk është e shpëtuar nga drejtësia, por vendimi i jep vetëm kohë kryeministrit. Shehaj nënvizoi se fati i Ramës është i vendosur në Perëndim dhe se asnjë vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk mund ta shpëtojë atë, duke i cilësuar gjyqtarët si mbështetës të qeverisë së “korruptuar”.
Nga ana tjetër, kreu i Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, sugjeroi se vendimi lidhet me frikën dhe hallet e gjyqtarëve, ndërsa Tedi Blushi, kryetar i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, e konsideroi këtë si një provë të kapjes së plotë të Gjykatës Kushtetuese nga qeveria e Ramës. Blushi e vlerësoi vendimin si një humbje të madhe për popullin shqiptar, duke theksuar se Gjykata, që duhej të ishte barriera për abuzimet e pushtetit, është shndërruar në një instrument politik për të garantuar pandëshkueshmërinë dhe imunitetin e Ramës dhe mbështetësve të tij.
Reagimet theksojnë shqetësimin e opozitës për ndikimin e politikës në sistemin e drejtësisë dhe pasojat që mund të ketë kjo për vendin.
Prej 31 tetorit 2025, zëvendëskryeministrja Balluku është marrë e pandehur me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera gjatë procesit të ndërtimit të tunelit të Llogarasë. Projekti konsiderohet një nga më të shtrenjtët në pesë vitet e fundit në infrastrukturën e vendit.
Prej më shumë se një muaji numri dy i qeverisë ka qenë kryefjala në media dhe debatet publike jo vetëm për akuzat që rëndojnë mbi të, por edhe për shkak të reagimeve të shumta që kryeministri Rama ka bërë në mbrojtje të saj.
Kryeministri Edi Rama është shprehur publikisht disa herë në mbrojtje të Ballukut, duke e konsideruar vendimin si antikushtetues dhe duke akuzuar SPAK-un për tejkalim të kompetencave.
Analistë politikë të ndryshëm kanë dhënë mendimet e tyre lidhur me reagimet forta të kryeministrit Rama për të cilin pezullimi i zv.kryeministres ishte “antikushtetues”.
“Vendimi i kryeministrit për ta mbrojtur zv.Kryeminisitren duke e paraqitur këtë si konflikt kushtetues dhe duke bërë në mënyrë periodike deklarata publike është abuziv.” – u shpreh eksperti Afrim Krasniqi.
Por nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese duket se për 41 ditë, deri në seancën e ardhshme më 22 janar 2026, zv.kryeministrja njëkohësisht dhe Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës do të hedhë firmën e saj për “punët e lëna pezull”.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.

























