Erion Veliaj, proces i pafund. Seancat paraprake shtyhen për herën e 9-të

Kryebashkiaku i Tiranës mbetet në paraburgim, ndërsa dosja e gjerë me 60.000 faqe përfshin akuza për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre, duke përfshirë edhe bashkëshorten e tij.

816
Erion Veliaj
Credit: LSA - Erion Veliaj

Procesi gjyqësor për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, po përballet me një ngërç të vazhdueshëm në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar (GJKKO), pasi seanca paraprake e radhës është shtyrë për herën e 9-të.

Ajo që duhej të mbahej më 12 dhjetor 2025, tashmë është caktuar të zhvillohet më 5 janar 2026, duke vazhduar kështu një seri vonesash që kanë karakterizuar procesin që nga fillimi i tij.

“Seancat gjyqësore paraprake për Erion Veliajn janë shtyrë  të paktën 8 herë që nga momenti kur çështja u caktua për gjykim paraprak në Gjykatën e Posaçme, nga 29 shtatori 2025 deri tani,  për shkak të mungesave të avokatëve të mbrojtjes ose kërkesave të tyre që gjykata i konsideroi të pabazuara kjo ka penguar përfundimin e procesit paraprak brenda afateve ligjore” –  deklaroi Prokuroria një javë më parë.

Në seancën e fundit, paraprake, ishin të thirrur Veliaj, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, si dhe persona të tjerë, përfshirë biznesmenin Shkëlqim Fusha.

Gjatë seancës, Veliaj ripërsëriti kërkesën për të dalë nga qelia e qelqtë dhe të qëndrojë pranë avokatit të tij Artan Gjermeni, por gjykata rrëzoi këtë kërkesë.

Po ashtu, Veliaj depozitoi një kërkesë për revokimin e vendimit të ndërmjetëm të dhënë nga kjo gjykatë më 2 dhjetor 2025, ku nga ana e Gjykatës është pranuar kërkesa për vënien në dispozicion të akteve të dosjes, në një formë të lexueshme.

Sipas Prokurorisë, Veliajt i janë vënë në dispozicion materialet e çështjes, një volum prej afërsisht 60.000 faqe, në mënyrë elektronike 21 gb.

Gjatë seancës së fundit, ai vendosi të largojë avokatin mbrojtës Gjermeni, duke detyruar gjykatën të caktojë një avokate kryesisht, e cila do të jetë Valentina Teodoresku.

Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në paraburgim që nga muaji shkurt 2025 dhe akuzohet për një seri veprash penale, duke përfshirë pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre etj. Dosja është e gjerë dhe përfshin zyrtarë të ndryshëm, biznesmenë dhe të afërm të Veliajt. Ndër to, edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, është marrë e pandehur dhe akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.