Favorizuan ndërtime pa leje, nën hetim zyrtarë lokalë në Qarkun Shkodër

Prokuroria lokale Shkodër ka dërguar në gjyq kryeinspektorin dhe dy inspektorë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit pasi dyshohet se kanë favorizuar disa shtetas për ndërtime pa leje.

700
Inspektorë të IMT-së në Bashkinë Vau i Dejës
Credits: Facebook - Inspektorë të IMT-së në Bashkinë Vau i Dejës

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykim katër zyrtarë shteti për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”, sipas nenëve 248 dhe 300 të Kodit Penal.

Hetimet janë zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 457, të vitit 2025, dhe bazohen në materialet e referuara nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Më 9 prill 2025, u dërguan të dhëna operative që tregonin se disa shtetas në fshatrat Pistull dhe Paçram të Njësisë Administrative Hajmel, Bashkia Vau i Dejës, po kryenin ndërtime pa leje, të favorizuara nga punonjësi i policisë dhe nga inspektorët e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT).

Në përfundim të hetimeve, u morën të pandehur, një punonjës i Policisë së Shtetit, me detyrë ndihmës specialist i policimit në komunitet pranë Komisariatit të Policisë Vau i Dejës. Ai akuzohet për “Moskallëzim krimi” dhe “Shpërdorim detyre” dhe ndodhet nën masën e sigurimit personal shtrënguese “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Kryeinspektori i IMT-së në Bashkinë Vau i Dejës, akuzohet për “Moskallëzim krimi” dhe “Shpërdorim detyre” dhe ndodhet nën të njëjtën masë sigurimi.

Dy inspektorë të IMT-së në Bashkinë Vau i Dejës, të dy të akuzuar për të njëjtat vepra penale dhe nën masën e sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Një shtetas tjetër, i akuzuar për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” sipas nenit 301 të Kodit Penal.

Hetimet zbuluan se ndërtime pa leje po kryheshin në fshatrat Pistull dhe Paçram, të dy ngjitur dhe rreth 20 km nga qendra e Shkodrës. Bashkia Vau i Dejës ka 19,261 banorë dhe rreth 7,519 ndërtesa për qëllime banimi.

Në tetor 2025, Kryeministri Rama prezantoi masat për forcimin e kontrollit mbi territorin dhe mbrojtjen e hapësirave publike, duke theksuar se procesi i ndërtimit ka pasur deformime të vazhdueshme.

“Kemi parë deformime të vazhdueshme në procesin e ndërtimit.” -u shpreh kryeministri gjatë propozimit të masave.

Sipas, kryeministrit, shtesat e ndërtuara pa leje nga 2% deri në 10% do të konfiskohen për interes publik, për zyra ose strehim social, ndërsa ndërtimet që tejkalojnë 10% do të konfiskohen tërësisht.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.