Deklaratat e Kryeministrit Edi Rama në podcastin “Flasim”, ku ai u shpreh se hetuesit e Byrosë kishin refuzuar të dorëzonin armët dhe “nuk donin të linin patllaken jashtë”, shkaktuan reagimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të të cilin komentet e kryeministrit cilësoheshin si të pa-sakta.
Në një njoftim për median, zyra e shtypit e Prokurorisë së Posaçme reagoi duke mohuar se ka pasur përplasje mes hetuesve të saj dhe Gardës së Republikës gjatë hyrjes në ambientet e Këshillit të Ministrave. SPAK theksoi se procedurat e sigurisë janë respektuar, armët e zjarrit janë depozituar sipas rregullave dhe veprimet procedurale janë kryer normalisht.
Përplasja publike u krijua si pasojë e interpretimeve të ndryshme të situatës dhe tonit të deklaratave, në një kontekst të ndjeshëm politik dhe juridik. Hetuesit ndodheshin në Kryeministri për zbatimin e një vendimi gjyqësor ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, një çështje që ka nxitur debate të forta rreth vendimmarrjes së institucioneve të drejtësisë dhe reagimeve të Kryeministrit për të mbrojtur me këmbëngulje Belinda Ballukun.
“Patllakja” që ndezi polemikë
Në podcastin e tij “Flasim”, Kryeministri Edi Rama komentoi zhvillimet e fundit politike dhe institucionale në vend, duke u ndalur te proceset që lidhen me drejtësinë dhe vendimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Gjatë podcastit të datës 14 dhjetor, Rama deklaroi se hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit kishin shkuar në ambientet e Këshillit të Ministrave dhe nuk kishin pranuar të dorëzonin armët e zjarrit, siç parashikon rregullorja e sigurisë së Gardës së Republikës.
“Ca trimosha të BKH-së… kishin ardhur një ditë në godinën e këshilit të ministrave dhe nuk donin të linin patllaken te dera, sipas rregullores së sigurisë së lartë të Gardës së Republikës.” – tha kryeministri gjatë podcastit të datës 14 dhjetor.
Kjo deklaratë e kryeministrit, njëjtë si nëntë deklaratat e mëparshme në mbrojtje të zv kryeministres Balluku kanë ngjallur diskutime dhe polemika të shumta.
Në përgjigje të kryeministrit Rama, Byroja Kombëtare e Hetimit sqaroi se tre hetues të BKH janë paraqitur në ambientet e Këshillit të Ministrave për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme lidhur me pezullimin ndaj Zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas BKH-së, pasi janë futur në ambientet e brendshme, hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se armët e zjarrit nuk lejohen brenda institucionit.
Byroja theksoi se, pas verifikimit të sigurisë së ambientit të depozitimit, armët janë dorëzuar dhe veprimet procedurale janë vijuar normalisht, pa asnjë incident.
“Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale.” – thuhet në njoftimin e BKH.
Në njoftimin e saj zyrtar, BKH theksoi se nuk ka pasur asnjë debat apo përplasje mes hetuesve dhe Gardës së Republikës, duke hedhur poshtë pretendimet e Kryeministrit. Megjithatë, reagimi institucional i Byrosë u pasua nga një tjetër reagim i Kryeministrit Rama në rrjetin social X.
Rama sqaroi se nuk i kishte kritikuar hetuesit për armëmbajtje pa leje, por për, sipas tij, mungesë etike dhe ligjore që i shtyu të kërkonin hyrjen në Kryeministri me armë zjarri. Ai vijoi me tone ironike ndaj hetuesve të BKH-së, pavarësisht se ligji nr. 25/2019 u njeh atyre të drejtën për mbajtjen e armës gjatë ushtrimit të detyrës.
“Unë nuk i kritikova për armëmbajtje pa leje, po për padijen etike dhe ligjore që i shtyu të donin të hynin në kryeministri me patllake” – shprehet kreu i qeverisë.
Ligji nr. 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, u jep të drejtën hetuesve të BKH-së për mbajtjen e armës së zjarrit.
Pavarësisht se ky fakt u përmend në reagimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit nuk e ndaloi kryeministrin të bënte ironi me hetuesit e Byrosë.
“…Trimoshat e BKH-së që shfaqin shpesh boshllëqe shqetësuese etike e profesionale” – shton kreu i qeverisë.
Përplasja e radhës verbale, mes Kryeministrit dhe insitucioneve të drejtësisë, ndodhi në një kohë kur zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u rikthye në detyrë më 12 dhjetor 2025, pas një pezullimi 21-ditor. Gjykata Kushtetuese ka vendosur pezullimin e efekteve të vendimeve të mëparshme dhe rigjykimin e çështjes në një seancë publike më 22 janar 2026.
Zvëndëskryeministrja Belinda Balluku, që prej 31 tetorit është marrë e pandehur nën akuzën e shkeljes së barazisë në tendera gjatë procesit të ndërtimit të tunelit të Llogarasë dhe Lotit 4 në Unazën e Madhe Tiranë.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.


























