
Prokuroria e Posaçme kërkon arrestimin e zv/kryeministres, dhe i kërkon Kuvendit heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të rikthyer Belinda Ballukun në detyrën e SPAK ka ashpërsuar masat parandaluese ndaj zv.kryeministres duke kërkuar arrestimin e saj.
Në një njoftim për mediat, thuhet se Spak ka dorëzuar të martën në Kuvend kërkesën për heqjen e mandatit të Ballukut, ku përveç akuzave për të cilat ajo është marrë e pandehur, janë renditur edhe raste të tjera për të cilat ajo është nën hetim.
Zv.kryeministrja, njëkohësisht dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë është akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” lidhur me procedurat e prokurorimit të Tunelit të Llogarasë.
Gjithashtu SPAK ka listuar edhe shtatë procedura të tjera prokurorimi, 6 prej të cilave janë përsa i përket ndërtimit të Unazës së Madhe Tiranë ku zv.kryeministrja dyshohet për kryerjen e së njëjtës vepër penale si me tunelin e Llogarasë.
“Plotësimin dhe vazhdimin e punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT; Ndërtimin e segmenteve rrugore Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2 dhe Loti 3;Ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4 deri në Loti 7” – thuhet në njoftimin e SPAK.
Pak sekonda pas njoftimit, kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetin X, duke e konsideruar këtë “një modë të vrazhdë” që ka çuar në rritjen e numrit të të paraburgosurve dhe e quajti “fakt të turpshëm” pa lidhje me standardet demokratike europiane.
Rama theksoi se Partia Socialiste nuk do ta paragjykojë kërkesën e SPAK, por do të përgatisë një qëndrim “të drejtë, të qartë e të denjë” si forca udhëheqëse e vendit.
“…këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë” -u shpreh kryeministri.
Nga ana tjetër, deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku në faqen zyrtare facebook shkruan lidhur me njoftimin e SPAK dhe reagimin e Ramës, ku ky i fundit sipas saj nuk do t’a dorëzojë.
“…mazhoranca socialiste duket e vendosur të votojë kundër kërkesës së SPAK” – thotë në postim deputetja Tabaku.
Nuk është hera e parë që prokurorët i kërkojnë masa shtrënguese për zv/kryeministren Balluku në kuadër të hetimeve që po kryhen ndaj saj.
Fillimisht, ajo u mor në hetim pa masë sigurie për shkeljen e barazisë në tendera, ku mesazhet e ish-drejtorit të ARRSH-së, Ervis Berberi, sugjeronin se tenderat rrugorë ishin të dirigjuar nga ministrja dhe fituesit zgjidheshin nga ajo, ndërsa garat ishin fiktive.
Gjyqtari Erjon Çela vendosi më 20 nëntor pezullimin e Ballukut nga detyra dhe bllokimin e pasaportës, duke evidentuar rrezikun e përsëritjes së veprimeve nga zv.kryeminsitrja. Por vendimi i Gjykatës Kushtetuese më 12 dhjetor e riktheu atë në detyrë, duke pranuar argumentin e Ramës se ishte cënuar ndarja e pushteteve dhe se emërimi i ministres ishte kompetencë ekskluzive e kryeministrit.
Kundërsulmi i SPAK

Pas rikthimit në detyrë me vendim gjykate, SPAK ka përshkallëzuar kërkesën për arrest, duke tentuar të vendosë masë sigurie më të ashpër ndaj Belinda Ballukut.
Rama, ndërkohë, po mban një qëndrim të qartë kundër autorizimit, duke ruajtur mbrojtjen e Ballukut, ndërsa thekson se nuk mund të paragjykojë prokurorët, por do të japë opinionin e mazhorancës me përgjegjësi.
Që prej 31 tetorit ku zëvendëskryeministrja Balluku është marrë e pandehur dhe më 20 nëntor ku u mor masa “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” kryeministri i vendit Edi Rama, ka bërë një sërë deklakaratash në mbrojtje të saj.
Më herët Kryeministri e cilësoi vendimin e GJKKO si shkelës të kompetencave të ekzekutivit dhe disbalanconte pushtetet.
Përpos deklaratave, kryeministri gjithashtu e ankoi vendimin e Gjykatës së Posaçme në Gjykatën Kushtetuese.
“Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” – ishte kërkesa e kryeministrit të Republiksë së Shqipërisë.
Gjykata Kushtetuese në datën 12 dhjetor 2025 mbajti seancën për caktimin nëse vendimi i GJKKO rrezikonte kompetencat kushtetuese të pushtetit ekzekutiv. Me shumicë votash, u vendos pezullimi i vendimit të pezullimit të detyrës ndaj Ballukut.
Teksa pritej që më 22 janar 2026 të zhvillohej seanca plenare publike për fatin e Ballukut, Prokuroria e Posaçme doli sot me vendimin që ajo duhet arrestuar.
Në podcastin e tij “Flasim” kryeministri Rama bëri një përshëndetje për ish kryeprokurorin e SPAK Altin Dumani dhe kryeprokurorin e ri Klodian Braho.
“Kryeprokurorit të ri të SPAK Klodian Braho i uroj ta çojë spakun në këtë 3 vjeçar të fundit të ciklit 9 vjeçar në një nivel tjetër përsa i takon profesionalizmit në luftën kundër krimit të organizuar dhe sidomos në luftën kundër korrupsionit.” – u shpreh kreu i qeverisë.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.
























