“Call Center”-i që mashtronte Evropën, 8 të arrestuar vendosen në burg

Hetuesit zbuluan një strukturë të mirëorganizuar me poste pune, kamera dhe vëzhgues jashtë godinës. Pajisjet u zhvendosën në “Downtown One” dhe u sekuestruan qindra kompjuterë dhe dokumente.

752
Call centerat dhe 2 kullat Downtown dhe Atti Tower
Credits: shteg.org - Call centerat dhe 2 kullat Downtown dhe Atti Tower

Gjykata e Posaçme ka lënë sot në fuqi masat “arrest me burg” për tetë persona të arrestuar në flagrancë nga SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), në operacionin kundër një rrjeti kriminal të “Call Center”-ave.

Të arrestuarit u paraqitën para gjykatës për t’u njohur me masat e sigurisë. Arrest me burg u la në fuqi për Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Hysen Xhepexhiu dhe Klaudio Kaçupi, ndërsa për Rentjan Peposhi dhe Odeas Kuqi u vendos arrest me burg me afat 20 ditë.

Hetimet për këtë grup kriminal nisën pas dorëzimit të materialeve nga emisioni italian “Le Iene” i “Mediaset”.

Materialet përfshinin pamje filmike të një qendre thirrjesh (Call Center), e cila u identifikua në dy kate të kullës “Atti Tower”, në rrugën “Ibrahim Rugova”, përballë Katedrales Ortodokse në Tiranë. Nga videot e siguruara nga gazetari i “Le Iene”, i infiltruar si punonjës në këtë call center, u evidentua se qendra e thirrjeve ishte e mirëorganizuar dhe funksiononte në katet 9 dhe 13 të “Atti Tower”. Në pamje dallohej një strukturë me poste pune të ndara, role të përcaktuara dhe staf që operonte në italisht, frëngjisht, spanjisht dhe gjermanisht. Personat e punësuar telefononin qytetarë europianë dhe i mashtronin, duke i bindur të kryenin transaksione me kriptovaluta në llogari të menaxhuara nga drejtuesit e grupit.

SPAK njofton se drejtues të këtij rrjeti janë tre vëllezërit Agim Prekaj, Alfred Prekaj dhe Arjan Prekaj, të cilët janë shpallur në kërkim. Hetimet zbuluan se grupi kriminal nuk kishte vetëm një bazë në “Atti Tower”, por edhe në godinën tjetër të shtrenjtë të kryeqytetit, “Downtown One”, ku dyshohet se ishin ngritur struktura të tjera operative.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, grupi kriminal kishte ngritur një strukturë sigurie me kamera statike dhe personel vëzhgimi civil jashtë qendrës, që njoftonte për çdo ndërhyrje të mundshme. Mbrëmjen e 15 janarit 2026, pas përfundimit të punës, vëzhguesit jashtë “Atti Tower” njoftuan pronarët për një ndërhyrje të mundshme të organeve ligjzbatuese.

Në orët e para të mëngjesit të 16 janarit 2026, pajisjet kompjuterike u larguan dhe ambientet u boshatisën. Kur hetuesit e BKH shkuan në “Atti Tower” më 16 janar, gjetën zyrat bosh. Pas identifikimit të mjeteve që transportuan pajisjet, u realizua kapja në flagrancë e disa personave, kryesisht transportues, që kishin lëvizur pajisjet nga “Atti Tower” në një ambient tjetër të marrë me qira në kullën “Downtown One”.

Hetuesit u ngjitën në katin e pestë të “Downtown One”, ku gjetën një tjetër “Call Center” në ndërtim e sipër. Në këtë ambient u sekuestruan pajisje kompjuterike, telefona, hard disqe, laptopë, karta SIM, dokumente dhe blloqe shënimesh. Disa nga personat e kapur po transportonin një kosh mbeturinash me materiale nga call center-i i boshatisur në “Atti Tower”.

Pas kërkimit të përforcimeve nga policia e Tiranës, u arrestuan në flagrancë Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi dhe Odeas Kuqi. Më pas u ndaluan edhe dy persona të tjerë, të dyshuar si punonjës të call centerit, të cilët akuzohen për mashtrim kompjuterik.

Më 17 janar u lëshuan urdhrat e ndalimit për tre vëllezërit Agim Prekaj, Alfred Prekaj dhe Arjan Prekaj, të cilët dyshohet se janë organizatorët e grupit dhe vijojnë të jenë në kërkim. Gjatë operacionit janë ushtruar kontrolle në 28 ambiente, përfshirë banesa, automjete, zyra dhe garazhe. Janë sekuestruar qindra pajisje kompjuterike, sisteme monitorimi të kamerave, pajisje rrjeti kompjuterik, pajisje memorizuese, servera, dokumente të Qendrës së Thirrjeve dhe subjektit “Infinite” shpk, si dhe subjekte të tjera në proces verifikimi. Janë sekuestruar gjithashtu automjete dhe motomjete të përdorura nga autorët e dyshuar, si dhe një automjet luksoz Ferrari, që dyshohet se i përket organizatorëve.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.