Arrest në burg për tre të dyshuar në dosjen e call center-ave

Hetimet i lidhin me një rrjet që dyshohet se mashtroi qytetarë në BE dhe shkaktoi dëme mbi 50 milionë euro përmes platformave të rreme të investimeve.

15
Qendra Call Center
Credits: Policia e Shtetit - Qendra Call Center

Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Granit Pepnikën, Xhoni Hitajn dhe Redion Rexhmatin, të arrestuar në kuadër të një hetimi të zgjeruar për skema mashtrimi përmes call center-ave, që dyshohet se kanë dëmtuar qytetarë në vende të Bashkimit Evropian.

Sipas autoriteteve, Pepnika dhe Hitaj akuzohen për “mashtrim kompjuterik”, ndërsa Rexhmati për “përkrahje të autorit të krimit”. Pepnika u ndalua nga Policia e Vlorës dhe Forca Operacionale më 3 korrik në një vilë në Dhërmi, ndërsa Hitaj u arrestua në të njëjtin operacion.

Hetimet paraprake e lidhin Pepnikën si një nga personat e dyshuar në organizimin e rrjetit të call center-ave, përmes të cilëve qytetarë evropianë bindeshin të investonin në platforma të rreme financiare. Sipas dosjes hetimore, skema dyshohet të ketë shkaktuar një dëm ekonomik që tejkalon 50 milionë euro.

Nga hetimet rezulton se Pepnika zotëronte 50% të shoqërisë “Gama Media Communication”, e themeluar në vitin 2021, e cila dyshohet se ishte e lidhur me aktivitetin e call center-ave të përfshirë në skemë.

Çështja lidhet me një operacion të mëparshëm të zhvilluar në prill, kur Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim me autoritetet austriake, goditi disa rrjete call center-ash që operonin në disa zyra në Tiranë.

Gjatë atij operacioni u arrestuan 10 persona dhe u sekuestruan rreth 900 mijë euro cash, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e plotë të rrjetit dhe rolit të secilit të përfshirë.

Fenomeni i call center-ave të përfshirë në mashtrime financiare u shfaq në Shqipëri si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar që synonte investitorë, kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas hetimeve të autoriteteve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë, si edhe investigimeve gazetareske, operatorët kontaktonin qytetarë me telefon, duke u prezantuar si këshilltarë financiarë ose brokerë investimesh, dhe i bindnin të investonin në platforma të rreme të tregtimit të kriptovalutave, aksioneve apo produkteve të tjera financiare. Fillimisht, viktimave u shfaqeshin fitime fiktive për t’i nxitur të investonin shuma gjithnjë e më të mëdha, por kur kërkonin të tërhiqnin fondet, paratë nuk mund të rikuperoheshin.

Hetimet kanë zbuluar se rrjeti operonte përmes dhjetëra kompanive të regjistruara në Shqipëri, të lidhura me shtetas shqiptarë dhe të huaj, ndërsa fondet e përfituara nga mashtrimet qarkullonin përmes llogarive bankare dhe tërhiqeshin në para cash. Operacionet e përbashkëta të SPAK-ut, Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese evropiane kanë çuar në arrestime, sekuestrime asetesh dhe ngritjen e akuzave për mashtrim kompjuterik, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.