Në Tiranën e fasadave digjitale, ku suksesi i qeverisë matet me numrin e shërbimeve online, dhe shkëlqimin e Diellit, një dosje voluminoze e Prokurorisë së Posaçme ka grisur velin e propagandës.
Një dosje voluminoze e Prokurorisë së Posaçme ka hedhur dritë mbi një rrjet kriminal të lidhur me biznesin, politikën dhe policinë.
Hetimet dokumentojnë ekzistencën e një celule kriminale, që dyshohet se është drejtuar nga biznesmeni Ergys Agasi, i cili përmes lidhjeve politike dhe nepotizmit, kishte vendosur nën kontroll hierarkinë e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku tenderat e teknologjisë nuk fitoheshin përmes aftësive teknike, por përmes lidhjeve politike, nepotizmit dhe, në raste ekstreme, me pistoleta në kokë dhe fenelina policie.
Hetimet zbuluan se zyrtarë të lartë të AKSHI-t, përfshirë Drejtoreshën Mirlinda Karçanaj dhe zv/drejtoresha Hava Delibashi, firmosnin fitues të paracaktuar. Po ashtu, zv/drejtori i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, dyshohet të jetë përfshirë në rrjetin kriminal.
Nga dhjetori 2024 deri në shtator 2025, kompania e dyshuar EA Solution arkëtoi rreth 29 milionë euro nga tenderat e AKSHI-t.
Hetimet tregojnë fiksimin e tenderave, vendosjen e kritereve të veçanta për kompanitë e preferuara dhe përdorimin e dhunës për të përmbysur çdo pengesë.
Rasti që çeli kutinë e Pandorës ishte pengmarrja e Gerond Meçes, biznesmen dhe aksioner i disa kompanive teknologjike, paraditen e 12 gushtit 2025.
Një fuoristradë e zezë me xhama të errët dhe fenelina policie të sajuara i preu rrugën. Meçe u detyrua, nën kërcënimin e armëve, të tërhiqte ankime të kompanisë së tij ndaj tenderave të AKSHI-t, duke zbuluar një rrjet të mirëorganizuar kriminal.
Përveç hetimeve të Prokurorisë, ekspertët dhe raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) kanë ngritur shqetësime mbi mënyrën e tenderimit të AKSHI-t që, sipas Opendata, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për periudhën 2019 – 12 dhjetor 2024 ka realizuar 1,122 transaksione me vlerë totale prej 6.64 miliard lekë (~ 68.837.903 euro).
Ekspertët e sigurisë dixhitale paralajmërojnë se ky rrjet nuk rrezikon vetëm fondet publike, por integritetin e sistemit digjital të shtetit dhe sigurinë kombëtare.
Ndërkohë, Agasi dhe Beqiri janë në arrati, ndërkohë Prokuroria e Posaçme akuzon drejtoreshën e AKSHI-it, Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësen e saj, Hava Delibashi, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal që kishte për qëllim përvetësimin e tenderave të AKSHI-t, duke treguar kështu se një rrëmbim që u krye në një paradite të zakonshme në Tiranë, zbuloi një botë ku krimi, policia, politika dhe biznesi i teknologjisë ndërthuren frikshëm, e duket se gjithçka komandohej nga ai që ish zv/kryeministri Arben Ahmetaj e konsideronte si një ndërmjetës mes politikës dhe grupeve kriminale.
Lindita Çela është një gazetare investigative e shquar, e njohur për raportimet e saj të përpikta dhe të guximshme mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri. Me një karrierë që shtrihet për mbi dy dekada, Çela është konsoliduar si një figurë e rëndësishme në fushën e gazetarisë investigative, duke fituar vlerësime si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar për punën e saj.





























