Gerond Meçe, aksioneri kryesor i disa kompanive teknologjike në vend, heshti një muaj për gjithçka sa i ndodhi paraditen e fund gushtit të 2025.
Dhe pse ishte kërcënuar me vdekje, më 22 shtator, ai kërkoi të takohej me një prokuror për të rrëfyer dhe me vete kishte gjithçka sa duhej për të vërtetuar dëshminë e tij.
Komunikimet në telefon, kamerat e sigurisë, shkresat zyrtare por mbi të gjitha dhe motivi se pse u mor peng për orë të tera. Konkurenca në tenderat miliona eurosh të Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, ku më herët kompanitë e Gerondit ishin shpallur fituese nga AKSHI, pa pasur një vështirësi.
Gerondi u tregoi prokurorëve se një fuoristradë e zezë, “Range Rover Defender”, me xhama të errët dhe me fenelina policie, i preu rrugën paraditen e 12 gushtit.
Një burrë i identifikuar si oficer i BKH-së iu afrua duke i thënë se ishin nga SPAK.
“Jemi SPAK-u, duhet të vish me ne,” i thanë, duke hapur derën e pasme, ndërsa dy persona të tjerë me uniforma të ngjashme iu afruan duke e futur në makinë.
Meçe, i bindur se po thirrej nga organet e drejtësisë, nuk kundërshtoi, por shumë shpejt kuptoi se ata nuk ishin policë të ligjshëm.
I vendosin një kapuç në kokë dhe gjatë gjithë rrugëtimit, biznesmeni ishte kërcënuar dhe kushti i vetëm për të shpëtuar i gjallë ishte bashkëpunimi me ta.
“Po të kërkojmë të bashkëpunosh, jo si me paswordin, se në të kundërt ke plumbin në kokë,” i thanë ata.
Makina, me pesë persona në bord, të cilët Gerondi ka memorizuar çdo pamje të tyre, ndaloi në fshatin Gracen, afër Elbasanit.
“E njeh këtë letër?” – e pyetën duke i dorëzuar një zarf të bardhë.
Brenda tij ishte një tabelë Excel me një listë të detajuar tenderash publikë dhe procedurash të ankimuara nga kompania e Meçes, pranë Komisionit të Prokurimit Publik. Vetëm gjatë vitit 2025, ABS kishte bërë rreth 20 ankime për procedura tenderash.
“Në momentin e parë nuk e kuptova, por më vonë pashë tabelën Excel ku ishin shënuar të gjitha procedurat që kompania ime kishte ankimuar,” u tha biznesmeni prokurorëve.
Rrëmbyesit kanë folur me Whatsapp edhe me administratorin e kompanisë, Shkëlqim Kërluku, duke i kërkuar të bënte procedurat e tërheqjes nga ankimimet.
Nën presionin e armëve, biznesmeni u thye. Brenda pak orësh, në zyrat e AKSHI-t ndodhi “mrekullia”. Ankesat u tërhoqën, KPK heshti ndërsa drejtoresha e AKSHI-it, Karçanaj firmosi menjëherë fituesin.
Në dosjen hetimore të prokurorisë janë të pasqyruar komunikimet, por dhe aplikimet e kompanisë në Komisionin e Prokurimit Publik, institucion ky që duket se ka “heshtur” pas denoncimit, vendosjen e kritereve teknike kufizuese dhe “qepjen” e tenderave për fitues të paracaktuar.
Institucioni i prokurimeve nuk iu përgjigj pyetjeve të “shteg.org” mbi kontrollin e grupeve kriminale në procedurat e tenderimit, por biznesmeni u lirua nga pengmarrësit vetëm kur ata u garantuan që ABS kishte bërë aplikimet për tërheqjen nga procedurat tenderuese.
Fenelinat e krimit të organizuar
Në deklaratën e tij, biznesmeni Meçe implikoi Ermal Beqirin, një tjetër biznesmen, kompanitë e të cilit u zhvilluan fuqishëm në epokën digjitale të qeverisjes socialiste, si personin që kishte porositur rrëmbimin.
Ai gjithashtu përmendi zv/drejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, duke thënë se ky i fundit kishte dërguar mesazhe që të mos merrej me tenderat e AKSHI-t.
“Pas çdo procedure të ankimuar nga kompania ime, fitues rezulton të jetë një kompani e lidhur me Ermal Beqirin. Kjo më bën të besoj se rrëmbimi ishte i organizuar,” i tha ai prokurorëve.
Pengmarrësit e veshur me uniforma të sajuara policie që rrëmbyen biznesmenin nuk janë identifikuar, por hetimet zbuluan se makina që ata përdorën i përket kompanisë Merkaj 3 sh.p.k. në pronësi të Endri Merkajt.
“Nga burimet e hapura është verifikuar fakti se shtetasi Endri Merkaj, së bashku me vëllain e tij Klajdi Merkaj, janë lidhje me interes të shtetasve Arjan Ormenaj dhe Arben Lamçe, pjesë e grupit kriminal “Çopja,” thuhet në dosjen hetimore.
Klajdi Merkaj është i arrestuar dhe dosja pritet të kalojë për gjykim në një procedim të lidhur me vëllezërit Çopja, ku ai akuzohet se kreu pastrim parash për llogari të tyre duke përdorur kompanitë e tij të ndërtimit, ndërsa administratori i kompanisë “Merkaj 3” i tha “shteg.org” se makina për të cilën flitet në dosje nuk i përket kompanisë së tij.
“Automjeti i bërë publik nga mediat, nuk është automjeti në pronësi të shoqërisë. Targat që i janë vendosur automjetit të përdorur në ngjarjen kriminale, duhet të jenë targa të fallcifikuara, të modifikuara apo të dubluara, pasi targat e vetme origjinale kanë qenë dhe janë të vendosura në automjetin e shoqërisë,” thotë Mimoza Merkaj.
Por për SPAK, makina e përdorur në pengmarrje nuk ishte e vetmja lidhje mes biznesit dhe krimit të organizuar.
Në zyrën e Agasit u sekuestruan kontrata shitjeje pasurish të paluajtshme që po ashtu të çonin te lidhja dhe kontakti me Çopjat.
“Këto të dhëna, në përputhje dhe me deklarimet e shtetasit Gerond Meçe, i cili shpjegon se ka konstatuar se dy nga personat që e kishin rrëmbyer kishin dialekt nga zona e Elbasanit, madje njëri prej tyre i kishte thënë se po ta shihte në Elbasan, do ta përshëndeste,” thuhet në dosje.

Zinxhiri i këtyre lidhjeve ishte edhe zv/drejtori i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, të cilin prokuroria e dyshon si person që ka lidhje me pengmarrjen e biznesmenit.
“Arsyeja përse nuk bëmë denoncim në polici është se nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, disa kohë më parë më ka çuar lajm nëpërmjet një personi që të rrija sa më shumë larg tenderave të AKSHI-t,” thuhet në dosjen hetimore, sipas së cilës edhe Prokuroria e Tiranës ishte e përfshirë në nisjen e një hetimi pasuror ndaj biznesmenit.
“Por rastësisht rreth muajve prill-maj 2025, mua më vjen një zarf i hapur, ku brenda kishte një letër ku Prokuroria e Tiranës kërkonte informacion bankar. Fill pas kësaj unë u interesova dhe mora vesh që kjo praktikë hetimore ishte iniciuar nga Erion Ismaili, që ishte nëndrejtor i Policisë së Tiranës,” thuhet në dëshminë e Gerond Meçes.
Prokuroria e Tiranës nuk bëri të ditur për “shteg.org” se mbi çfarë bazash ligjore ishte regjistruar procedimi penal ndaj Meçes, por Policia e Shtetit i tha “shteg.org” se nga ana e saj nuk ishte bërë asnjë kallëzim që ti referohej biznesmenit.
Që kur u bashkua në armatën e policisë, në maj 2018 si Shef i Seksionit për Korrupsionin në Shkodër, Ismaili ka kaluar me ritëm të shpejtë nëpër hierarkinë e Policisë së Shtetit. Në 2020 u emërua Shef i Seksionit të Sallës së Komandimit, më pas udhëhoqi Komisariatin e Policisë në Kuçovë, për të arritur në maj 2023 në Tiranë si Shef i Sektorit për Asetet Kriminale dhe më pas për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare. Në fund, në nëntor 2024, u emërua zv/drejtor për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.
Ismaili, sipas përgjigjes zyrtare që “shteg.org” mori nga Policia e Shtetit, në të gjitha detyrat që ka kryer është vlerësuar me rezultatin “Shumë të mirë”.
Por në dosjen e prokurorisë, zv/drejtori i policisë konsiderohet si një lidhje e Ergys Agasit, jo vetëm për shkak të takimeve të shumta të regjistruara në zyrën e biznesmenit, por dhe interesave të përbashkëta që janë:
“Krijohet dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se personi nën hetim Erion Ismaili, të ketë kryer veprën penale të ‘Konkurrencës së paligjshme nëpërmjet dhunës’, në kuadër të një formacioni të posaçëm, ‘Grup i strukturuar kriminal’” – thuhet në vendimet e gjykatës, ku oficeri i lartë i policisë është pezulluar nga detyra, ndërsa policia e shtetit thotë se ndaj tij ka nisur edhe një hetim disiplinor.
Ndërsa vendimi i Gjykatës së Posaçme për masën e sigurimit hedh dritë mbi mënyrën e veprimit të grupit nën drejtimin e Ergys Agasit.
Sipas dokumentit, përdorimi i dhunës për të përvetësuar fonde publike nuk ishte një episod i izoluar, por një praktikë e përsëritur, viktima të së cilës duket se kanë qenë edhe ministra të qeverisë Rama.
Çunat në lojë

Biznesmeni, dikur i “preferuar” i AKSHI-it, nuk ishte pengesa e vetme për grupin tek “Vesa Center” për të marrë nën kontroll tenderat e qeverisë.
Sipas dosjes hetimore, edhe ish-Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri, ka krijuar “pengesa” të cilat Ergys Agasi ishte gati të vendoste në lojë “çunat” e tij.
Prokuroria sjell si shembull një ngjarje të vitit 2019, e pahetuar më parë, ku ishin të përfshirë ish-deputeti i dënuar në aferën e inceneratorëve, Alqi Bllako, dhe Agasi.
Ergys Agasi, në komunikimet më 6 mars 2019 me Alqi Bllakon, flet për një “situatë” ku ish-ministri Damian Gjiknuri dyshohet se kishte krijuar “pengesa” për grupin e tij.
Nga përmbajtja e bisedave të sekuestruara, SPAK identifikon se shkak ishte bërë një person i quajtur “Labi” dhe që Agasi synonte ta emëronte administrator në një shoqëri private, e cila kishte fituar një koncesion me ministrinë e drejtuar deri në vitin 2018 nga Gjiknuri.
“Do ja *i robt do fusim cunat pastaj.”
Prokuroria thekson se ky rast ilustron qartë “modus operandi”-n e Agasit.
E njëjta logjikë, thuhet në vendim, shtrihet edhe te pengmarrja e shtetasit Gerond Meçe, i cili, si Gjiknuri, kishte krijuar pengesa përmes ankimimeve të shumta pranë KPP-së.
Ish-ministri dhe funksionari i lartë i partisë socialiste nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara nga “shteg.org”, por hetimet zbulojnë se dhuna ishte vetëm faza përfundimtare e mekanizmit të përvetësimit të fondeve.
Agasi regjistronte bisedat me ortakët dhe zyrtarët publikë në zyrën e tij pranë “Vesa Center” në Tiranë, regjistrime që tashmë ndodhen në duart e SPAK.
Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, i vizitonte rregullisht zyrat private të Ergys Agasit, ku sipas prokurorisë, “gatuheshin” kriteret e tenderave miliona eurosh.
Dosja përmban dhjetëra screenshot nga video të sekuestruara, ku diskutohet fiksimi i tenderave publikë.
Në këto takime, ku merrte pjesë edhe zv/drejtoresha Hava Delibashi, hartohej skema e manipulimit. Skema ishte sa teknike, aq edhe kriminale:
Qeveria shqiptare nuk komentoi akuzat e ngritura nga prokuroria, se si një grup i strukturuar kriminal drejtonte një prej institucioneve direkte të kryeministrit.
AKSHI menaxhon thuajse të gjithë sistemin e qeverisjes digjitale përmes e-Albania, përfshi dhe të ashtuquajtën ministria “Diella” e krijuar me Inteligjencë Artificiale.
“Bazuar në ligjin 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, ky ligj rregullon të drejtën e njohjes me informacionin që prodhohet ose mbahet nga autoritetet publike, por nuk sanksionon detyrim të autoritetit publik për të përgatitur analiza, komente, opinione, për t’ju përgjigjur pyetjeve” thuhet në përgjigjen zyrtare që “shteg.org” mori nga zyra e kryeministrit.
Zvenitja e Diellës
Për ekspertët e sigurisë, hetimet e prokurorisë mbi AKSHI-n, më shumë se sa një aferë korruptive në një institucion është tregues i një vullneti politik dhe një shteti të kapur nga krimi.
“Për mendimin tim kjo ka të bëjë direkt me vullnetin politik me të cilin orientohet krimi në Shqipëri. Në momentin që sot vullneti politik është i tillë që e ka dërguar krejtësisht shtetin në holli të kryerjes së veprave penale, të drogës, vjedhjes së tenderave, të manipulimit deri sa janë rrëmbyer persona apo rrihen ministra në zyrë. Do të thotë që nën kupolën e drejtuesve të shtetit, jo vetëm policia e shtetit, një rrjet i tërë i mirëorganizuar brenda dhe jashtë administratës shtetërore, funksionon në funksion të rritjes së nivelit të të ardhurave kriminale,” thotë Ergys Muzhaqi, ekspert sigurie.
Sipas vendimit të gjykatës, Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, i vizitonte rregullisht zyrat private të Ergys Agasit, ku sipas prokurorisë, “gatuheshin” kriteret e tenderave miliona eurosh.
Dosja përmban dhjetëra screenshot nga video të sekuestruara, ku diskutohet fiksimi i tenderave publikë.
Në këto takime, ku merrte pjesë edhe zv/drejtoresha Hava Delibashi, hartohej skema e manipulimit. Skema ishte sa teknike, aq edhe kriminale:
Vendosja e certifikatave specifike (CSP/CSI) që i dispononin vetëm kompanitë e preferuara të Agasit.
Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka gjetur shenja të ngjashme ligjore edhe për tendera po kaq të kushtueshëm të zhvilluara nga AKSHI për vitet 2019-2024.
Raporti vëren se AKSHI ka shfaqur një praktikë të vazhdueshme të vendosjes së kritereve kualifikuese tepër specifike dhe shpesh të paarsyeshme.
“Në shumë raste, pavarësisht se KPP mund të kërkonte rishikim të kritereve, AKSHI ka përdorur argumentin e ‘nevojës emergjente’ për shërbime IT për të vijuar me procedurat e paracaktuara, duke bërë që filtri ligjor të mbetej formal dhe i paaftë për të ndalur lidhjen e kontratave me vlerë mbi 161 milionë lekë,” thuhet në raport.
Edmond Liçaj, ekspert i sigurisë dixhitale, i tha “shteg.org” se AKSHI për tre vitet e fundit ka kryer 250 procedura prokurimi të ashtuquajtura “tendera sekret” dhe se institucioni që ka keqpërdorur këtë procedurë është AKSHI.
Sipas tij, kjo ka ndodhur pas sulmeve kibernetike që pësoi Shqipëria dhe u shfrytëzua situata e jashtëzakonshme kibernetike edhe pse kjo nuk u deklarua asnjëherë si e tillë.
“Një nga procedurat tenderuese më delikate të sigurisë kombëtare është kryer si grup i strukturuar kundër sigurisë kombëtare dhe kjo ka ardhur dhe si pasojë e lidhjeve të forta politike dhe drejtuesish të lartë. Kjo jo vetëm ka cenuar sigurinë kombëtare, por ka tentuar të menaxhojë sigurinë kombëtare nëpërmjet justifikimit të digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike,” thotë Liçaj, sipas të cilit pasojat nuk janë vetëm të abuzimet financiare, por edhe tek keqpërdorimi i të dhënave të qytetarëve nga krerët të caktuar kriminalë në vend.
Ekspertët thonë se, nisur nga sa është referuar në dosjen hetimore, kemi të bëjmë me çënim të sigurisë kombëtare më shumë sesa thjesht me afera korruptive.
“Për mua, kjo është një situatë që përbën kërcënim real për sigurinë kombëtare. Kur infrastruktura kritike digjitale bie nën kontrollin e interesave kriminale, pasojat mund të jenë shumë më të rënda sesa thjesht një aferë korrupsioni,” thotë Besmir Semanaj.
Dosja hetimore e prokurorisë së posaçme tregon se në biseda të transkriptuara, Agasi i cakton kriteret e tenderave të AKSHI-t dhe përcakton hapur fondet limit për kryerjen e punëve.
Në një takim më 16 mars 2024 me Karçanajn dhe Beqirajn, ai citohet të thotë:
“Projekti bën 2 milion, ne do ta bëjmë 4.”
“Nga këqyrja e pamjeve filmike, arsyeshëm krijohet bindja mbi lidhjet me interes që kanë këta shtetas me njëri-tjetrin, e cila, nga analizimi i përmbajtjes së bisedave të transkriptuara, krijon dyshimin e arsyeshëm mbi realizimin e një skeme kriminale në funksion të paracaktimit të procedurave të prokurimit, krijimit të avantazheve dhe përfitimit të paligjshëm prej tyre,” arsyeton prokuroria.
Në dosje identifikohen 19 procedura tenderimi ku dyshohet se grupi ka futur duart në një formë apo një tjetër. Bazuar në vlerat e përmendura në vendimin e gjykatës, vlera e këtyre kontratave pa TVSH është rreth 5.9 miliardë lekë apo 59 milionë euro.
Sipas, Open Data, kontraktimet me statusin “Klasifikuar” përfshijnë blerje shërbimesh ose pajisjesh për të cilat, për arsye sigurie, autoritetet shtetërore nuk publikojnë njoftime apo të dhëna të kontratave.
Për shkak se bëhet fjalë për kontrata të mbyllura, pa proces gare dhe me një grup të caktuar kontraktorësh, këto kontraktime shpesh mund të përballen me mungesë konkurrence. Informacioni mbi këto kontrata është i disponueshëm vetëm përmes Transaksioneve të Thesarit, ku paguhen kompanitë përfituese.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) është një nga autoritetet e autorizuara për kryerjen e kontratave të klasifikuara për qëllime sigurie shtetërore.
Për periudhën 2019 – 12 dhjetor 2024, AKSHI ka realizuar 1,122 transaksione me vlerë totale 6.64 miliardë lekë, ku viti 2022 rezulton me pagesa më të larta, rreth 1.74 miliardë lekë.
Ndërkohë, Agasi dhe Beqiri janë në arrati. Prokuroria e Posaçme akuzon edhe AKSHI-in, Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësen e saj, Hava Delibashi, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal që kishte për qëllim përvetësimin e tenderave të AKSHI-it, duke treguar kështu se një rrëmbim që u krye në një paradite të zakonshme në Tiranë, zbuloi një botë ku krimi, policia, politika dhe biznesi i teknologjisë ndërthuren frikshëm, e duket se gjithçka komandohej nga ai që ish zv/kryeministri Arben Ahmetaj e konsideronte si një ndërmjetës mes politikës dhe grupeve kriminale.
Lindita Çela është një gazetare investigative e shquar, e njohur për raportimet e saj të përpikta dhe të guximshme mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri. Me një karrierë që shtrihet për mbi dy dekada, Çela është konsoliduar si një figurë e rëndësishme në fushën e gazetarisë investigative, duke fituar vlerësime si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar për punën e saj.












































