Mbledhja maratonë e Këshillit të Mandateve, e cila u zhvillua gjatë ditës së sotme për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, përfundoi pa marrë asnjë vendim. Pas pesë orësh diskutimesh, këshilli vendosi të shtyjë vendimmarrjen për një moment të dytë të pacaktuar, duke argumentuar nevojën për kohë që të njiheshin me provat e përfshira në një dosje mbi 10 mijë faqe.
Ndërkohë që pritej të diskutohej çështja Balluku në zyrat e Kuvendit, Kryeministri Rama zhvilloi mbledhjen e rradhës së Këshillit të Ministrave. Në media u raportua se Balluku ngjiti shkallët e Kryeministrisë për një takim që duket se zgjati rreth dy orë, në përfundim të të cilit kryeministri u pa duke dalë nga zyra e tij.
Nga qeveria nuk ka asnjë njoftim zyrtar mbi çështjen Balluku por gjatë ditës së sotme rrodhën informacione, qoftë mbi reaksionin e prokurorisë së posaçme mbi të cilat bazohen mazat kufizuese për zv/kryeministren, por dhe pjesë nga dosja për të cilën thuhet se është mbi 10 mijë faqe.
Mbledhja e dështuar e të mandatuarve

Rreth 10 mijë faqe të Prokurorisë u përdorën si mjet për të penguar deputetët e mazhorancës socialiste që të merrnin një vendim në Këshillin e Mandateve, në lidhje me zv/kryeministren Belinda Balluku. Dosja voluminoze, mbi 10 mijë faqe, përmbante materialet që Prokuroria kishte dorëzuar tek anëtarët e Këshillit, duke argumentuar arsyet pse SPAK kërkonte masa më të rrepta shtrënguese ndaj Ballukut, e cila ishte nën hetim që nga nëntori i vitit 2025.
Këto dokumente u bënë shkak për debate të gjata mes 10 anëtarëve të Këshillit, ku opozita kërkoi që të kishte akses të plotë në to që në fillim të mbledhjes. Avokatja e Ballukut gjithashtu kërkoi materialet, duke zgjedhur të mos merrte pjesë në mbledhjen e Këshillit të Imunitetit ku diskutohej autorizimi për arrestimin e klientes së saj.
Pak para mbërritjes së drejtuesit të ri të SPAK, Klodian Braho, dhe dy prokurorëve që hetojnë Ballukun, Balluku iu drejtua Kryeministrisë për mbledhjen e qeverisë.
Pas debateve të ashpra mes palëve, Këshilli vendosi që materialet e dosjes t’u shpërndaheshin deputetëve dhe avokatit Ardian Kalija, duke nisur një diskutim të gjatë mbi kohën e nevojshme për njohjen me to. Sipas prokurorëve, tre deri në pesë ditë ishin të mjaftueshme për anëtarët e Këshillit, ndërkohë që pozita kërkoi që mbledhja të mbahej në fillim të javës tjetër.
“Nuk ka ndodhur që Këshilli i Mandateve të mbyllet pa caktuar një datë tjetër. Gjithmonë koha ka qenë minimumi 48 orë, maksimumi 72 orë. Me afatet që kanë vendosur, kjo çështje i bie që të shqyrtohet në shkurt; deri në shkurt Balluku ka ngrënë bakllavanë, provat dhe dëshmitarët. Kjo është e paprecedentë”, deklaroi anëtari i Partisë Demokratike në Këshill, Gazment Bardhi.
Opozita insistoi që mbledhja e ardhshme të thirrej të hënën ose të martën, ndërsa PS propozoi 20 janarin si datë për seancën e radhës.
Pas katër orë e gjysmë debati dhe një pushimi 20-minutësh, drejtuesi i Këshillit të Imunitetit, Niko Peleshi, mbylli mbledhjen pa caktuar një datë të re.
Ndërkohë që në Këshillin e Mandateve debatohej për afatin e rishqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme mbi arrestimin e Ballukut, në media filluan të rridhnin informacione, qoftë mbi realizimin e prokurorit të çështjes dorëzuar Kuvendit, po ashtu dhe faqe nga dosja voluminoze prej 10 mijë faqesh.
Në relacionin drejtuar Kuvendit, SPAK argumenton se zv/kryeministrja Belinda Balluku përbën rrezik real për hetimin, për provat dhe për interesin publik, duke e cilësuar atë si “një personalitet që, për shkak të rrethanave konkrete dhe funksionit që ushtron, mund të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj”.
Hetimi ndaj Ballukut ka nisur fillimisht për dy çështje, për procedurat e ndjekura në ndërtimin e Tunelit të Llogarasë me vlerë rreth 190 milionë euro dhe Lotin 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.
Por, sipas dokumenteve që rridhnin në media, hetimi është zgjeruar ndjeshëm dhe tashmë përfshin pothuajse të gjithë investimet në Unazën e Madhe, si dhe procedurën koncesionare PPP për aksin Thumanë–Kashar, me vlerë të parashikuar rreth 245 milion euro.
Në dokument, prokuroria rendit konkretisht disa procedura prokurimi, përfshirë segmentet “Sheshi Shqiponja – Lumi i Tiranës”, “Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri”, lotet 5, 6 dhe 7 të Unazës së Jashtme, si dhe procedurën PPP “Thumanë–Fushë Krujë–Vorë–Kashar”. Përfitues të këtyre procedurave, sipas SPAK, janë kompani të ndryshme ndërtimi, për të cilat dyshohet se janë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik dhe atë për konfliktin e interesit.
Në relacionin drejtuar Kuvendit, SPAK sqaron se ndaj Ballukut rëndojnë hetime për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, shtatë lote të Unazës së Madhe në Tiranë, si dhe tre tenderë të tjerë, përfshirë koncensionin Thumanë-Kashar.
Kërcënime dhe tendera

Në relacionin e firmosur nga prokurori Dritan Prençi, zv/kryeministria Belinda Balluku përshkruhet si “një personalitet që mund të kryejë krime të rënda”, duke nënvizuar se rreziku është real për hetimin, për provat dhe për interesin publik.
Të paktën kjo konfirmohet nga materialet e rrjedhura në media, ku prokurorët kanë konstatuar intimidimin e dëshmitarëve të çështjes për të cilën Belinda Balluku është nën hetim.
Sipas prokurorisë, këto përpjekje janë konstatuar edhe pas momentit kur Balluku është njohur zyrtarisht me akuzat ndaj saj.
“Nga përdorimi i metodave speciale, kanë rezultuar të dhëna se nga ana e të pandehurës Belinda Balluku … ka ushtruar presion në forma të ndryshme ndaj personit të pyetur në këtë procedim, konkretisht shtetases M.K., vartëse e saj”, thuhet në dosje, sipas së cilës M.K. ka qenë anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në tenderin e Tunelit të Llogarasë.
Po ashtu, prokurori vëren se një pjesë e dokumentave që nevojiten për hetimin gjenden në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, që vazhdon të drejtohet nga Balluku.
Pjesë e dokumentave që nevojiten për hetimin“ gjenden në institucione të ndryshme, dokumentacioni kryesor gjendet pranë Institucionit Qëndror që drejton vetë kjo shtetase, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pyeten dëshmitarë të ndryshëm, si persona zyrtarë, vartës të kësaj të pandehure etj” – thuhet në relacion, ku dhe argumentohet se Balluku, duke qenë ende në detyrë, vijon të menaxhojë fonde publike për investime infrastrukturore, ç’ka krijon mundësinë e përsëritjes së të njëjtave vepra penale.
“Sidomos duke pasur parasysh se po hetohen disa procedura prokurimi dhe se e pandehura menaxhon në vazhdim fondet publike për investimet publike të tjera”, thuhet në dokument.
Në të njëjtin material, SPAK bën të ditur se hetimi do të vijojë të zgjerohet dhe nuk do të kufizohet vetëm te Belinda Balluku.
Në relacionin e dorëzuar deputetëve, prokuroria thekson se Balluku dyshohet se ka manipuluar të paktën 11 tendera publike dhe se ka ushtruar presion ndaj një vartëseje të saj, edhe pasi ishte marrë e pandehur dhe ende nuk ishte pezulluar nga detyra.
SPAK ka identifikuar 11 tendera të dyshuar, duke përfshirë tenderin e Llogarasë me vlerë 190 milionë euro, 7 lotet e Unazës së Madhe (450 milionë euro), koncesionin Thumanë-Kashar (245 milionë euro), rrugën Porto Romano-Durrës (12 milionë euro) dhe mirëmbajtjen e akseve të veriut (440 mijë euro). Sipas prokurorisë, Balluku, në bashkëpunim me titullarë të autoriteteve kontraktuese, ka ndikuar në orientimin e procedurave të prokurimit në favor të operatorëve fitues, duke krijuar avantazhe të padrejta dhe veprime në kundërshtim me ligjin.
Në dakortësi me Ramën

Në dokumentet e dosjes prej 10 mijë faqesh që po qarkullojnë në media, flitet jo vetëm për mënyrën se si Balluku kontrollonte procesin e tenderave, por edhe për favorizimet që ajo u siguronte klientëve të qeverisë. Në disa mesazhe të shkëmbyera me vartësit e saj aludohet se disa prej fituesve të tenderave ishin të paracaktuar nga kryeministri.
Nga bisedat në “WhatsApp” rezulton se ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë i ka dërguar ish-kreut të ARRSH, Evis Berberi, një foto nga sistemi elektronik i prokurimeve, ku ishin listuar procedurat për Lotin 1, 2, 3 dhe 4 të akseve kryesore të Unazës së Madhe të Tiranës.
Një ndër lotet ishte kontrata për supervizion punimesh, mirëmbajtje dhe menaxhim të akseve kryesore të rajonit verior.
“Për këtë flet ky se ka rënë dakord me Ramën,” duke iu referuar fituesit të tenderit.
Në dokumente të tjera, shkak komunikimet për një botues mediash i kishte kërkuar favore financiare ministres për një të dërguar të tij.
Në një mesazh në italisht, botuesi pretendonte se ministrja nuk po i mbante premtimin për të disbursuar fondet përmes Drejtorisë së Rrugëve.
Bëhet fjalë për një shumë prej rreth 700 mijë eurosh që Drejtoria e Rrugëve duhet të alokonte për biznesmenin.
“Thirrite atë plehrën që e përfaqëson dhe thuaji, kjo është skema çfarë halli ke… shko sqaro Carlon… thuaj mos shkruaj më tek ministria… ose pastaj harroje bashkëpunimin,” i shkruan Belinda Balluku vartësit të saj.
Prokuroria argumenton se faktet e reja penale që rëndojnë mbi Ballukun, që përfshijnë tendera dhe kontrata me vlerë rreth 600 milionë euro, dhe po ashtu sjellja e saj deri në këtë fazë të hetimit, bënin të nevojshme ndryshimin e masës së sigurisë.
Sipas prokurorisë ekzistojnë shkaqe të rëndësishme për të kërkuar arrestimin e Ballukut dhe se liria e saj vë në rrezik marrjen dhe vërtetësinë e provës apo kryerjen e veprave penale të ngjashme.
“Gjendja e lirë e të pandehurës paraqet rrezik real në mbledhjen e provave, për shkak të detyrës dhe funksionit që ushtron, si zëvendëskryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë”, thuhet në kërkesë.
Sipas SPAK ekziston mundësia që Balluku mund të ndërhyjë dhe të ndikojë në prishjen e provave.
“Është evident fakti që tashmë e pandehura ka bërë përpjekje për të ndikuar tek dëshmitarët”, thuhet në relacionin drejtuar Kuvendit.
Çështja Balluku ka nxitur një valë reagimesh politike dhe shoqërore, duke u shndërruar në një nga temat më të debatuara të javëve të fundit. Ndërsa në Kuvend zhvillohej debati mbi heqjen ose jo të imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, jashtë ambienteve të Parlamentit shoqëria civile dhe forca të reja politike organizuan protesta dhe aksione presioni publik.
Me pankarta si “Pa drejtësi s’ka BE” dhe “I gjati në SPAK”, protestuesit kërkuan barazi para ligjit dhe hetim të plotë për zyrtarët e lartë, duke kundërshtuar përdorimin e imunitetit parlamentar si mekanizëm mbrojtës ndaj akuzave për korrupsion. Protestat janë shoqëruar edhe me aksione simbolike pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe me një qëndresë të zgjatur përballë Kryeministrisë.
Prej më shumë se 12 ditësh, aktivistë të partisë “Shqipëria Bëhet” kanë qëndruar në mënyrë të pandërprerë përballë Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Paralelisht, partia “Lëvizja BASHKË” ka organizuar disa protesta, ku kërkesa ka shkuar përtej dorëheqjes së Ballukut, duke përfshirë edhe përballjen e kryeministrit me drejtësinë. Deputeti i kësaj force politike, Redi Muçi, ka deklaruar publikisht se do të votojë pro heqjes së imunitetit të zv/kryeministres, duke e cilësuar çdo qëndrim ndryshe si të papranueshëm.
Edhe Partia Demokratike ka zhvilluar protesta të përjavshme, duke e konsideruar çështjen Balluku si simbol të asaj që opozita e quan degradim të sistemit politik dhe mungesë hapësire për debat parlamentar.
Më 16 dhjetor 2025, SPAK i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë autorizimin për arrestimin ose heqjen e lirisë së Belinda Ballukut. Zv/kryeministrja akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, konkretisht në procedurat për Tunelin e Llogarasë dhe ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës, duke e zhvendosur çështjen nga debati politik drejt një prove të rëndësishme për funksionimin e drejtësisë.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.


























