Kolegji prej tre gjyqtarësh i Gjykatës Kushtetuese nuk arriti sot të marrë një vendim për kërkesën e kryeministrit Edi Rama lidhur me pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres, Edi Rama iu drejtua menjëherë Gjykatës Kushtetuese. Më 21 nëntor 2025, vetëm dy ditë pas masës së sigurisë të vendosur ndaj saj, Rama depozitoi kërkesën me objekt zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave mes Këshillit të Ministrave dhe GJKKO-së.
Në kërkesë, qeveria argumenton se Gjykata e Posaçme ka tejkaluar kompetencat e saj duke pezulluar një anëtar të Këshillit të Ministrave, veprim të cilin Kushtetuta nuk e parashikon. Sipas interpretimit të ekzekutivit, ministrat gëzojnë të njëjtin imunitet si deputetët, dhe për këtë arsye nuk mund të pezullohen gjyqësisht nga ushtrimi i funksionit të tyre. Qeveria thekson se vendimi i GJKKO-së përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në kompetencat e ekzekutivit dhe prish ekuilibrin e ndarjes së pushteteve.
Për këtë arsye, kryeministri i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të shfuqizojë masën e pezullimit ndaj Ballukut dhe të përcaktojë qartë kufijtë e kompetencave të pushtetit gjyqësor në raport me qeverinë. Kjo kërkesë është aktualisht në proces vlerësimi, pasi Kolegji i Gjykatës nuk arriti të marrë vendim unanim për moskalimin e saj, duke ia kaluar çështjen Mbledhjes së Gjyqtarëve.
Për shkak se nuk u arrit unanimiteti i kërkuar nga ligji, Gjykata Kushtetuese nuk mori asnjë vendim dhe çështja kaloi automatikisht për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve.
“Në vijim të njoftimit të mëparshëm për çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Gjykata bën me dije si vijon: Kolegji i Gjykatës u mblodh sot në datën 02.12.2025, sipas planifikimit, për shqyrtimin paraprak të kërkesës. Kolegji vendosi kalimin e çështjes në Mbledhjen e Gjyqtarëve për të vlerësuar nëse plotësohen bashkërisht të gjitha kriteret e pranueshmërisë së saj për shqyrtim në seancë plenare në përputhje me nenin 31 të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese dhe nenin 24 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore”, informoi Gjykata Kushtetuese.
Sipas ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese, Kolegji shprehet vetëm për moskalimin e çështjes në seancë plenare, dhe kjo vetëm nëse vendimi merret njëzëri. Meqenëse në këtë rast nuk pati unanimitet, Kolegji nuk mund të shpallte vendim, duke ia kaluar çështjen organit vendimmarrës më të gjerë Mbledhjes së Gjyqtarëve.
Edhe ky organ mund të vendosë për moskalim vetëm me shumicë prej pesë votash; në të kundërt, çështja i kalon automatikisht seancës plenare.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj vendimit të GJKKO-së për pezullimin e Ballukut, duke e cilësuar këtë rast “unikal” dhe të paprecedentë në botën demokratike. Me një postim në platformën X, Rama sfidoi qytetarët të gjejnë një rast tjetër ku një prokuror dhe një gjykatë e shkallës së parë pezullojnë një anëtar të qeverisë. Ai tha se mbetet mbështetës i vendosur i Reformës në Drejtësi, por paralajmëroi se rastet e tilla rrezikojnë parimet kushtetuese dhe balancën e pushteteve.
“Gjeni një rast të dytë në botë ku një prokuror dhe një gjykatës i shkallës së parë pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie! […] Kur drejtësia rrëshqet kështu, cenon parimet kushtetuese, prish balancën mes pushteteve të pavarura dhe ndërhyn brutalisht në procesin qeverisës.” – shkroi Rama në platformën X.
Rama shtoi se lufta kundër korrupsionit nuk mund të justifikojë përdorimin e mjeteve të gabuara, duke paralajmëruar se tejkalimi i kufijve të pushteteve ushtron më shumë dëm sesa vetë fenomeni që synohet të luftohet.
Nga ana tjetër, opozita ka kritikuar hapur kryeministrin, ndërsa Sali Berisha i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të zhvillojë një seancë publike për këtë çështje, duke akuzuar Ramën se po ndërhyn në procesin gjyqësor për të mbrojtur zv.kryeministren.
Zv.kryeministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur lidhur me procedurat e tenderit të tunelit të Llogarasë dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe, ndërsa sot ka ankimuar në GJKKO edhe masat e sigurisë ndaj saj, pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë vendit.
Ndërkohë, qeveria i është drejtuar Kushtetueses me pretendimin se GJKKO ka ndërhyrë në kompetencat e ekzekutivit dhe ka caktuar masa të papajtueshme me imunitetin që ministri gëzon si deputet. Pas mosmarrjes së vendimit nga Kolegji, tashmë Mbledhja e Gjyqtarëve do të vendosë nëse çështja do të mbetet e papranueshme apo do t’i hapë rrugë shqyrtimit në seancë plenare, duke e bërë këtë një prej zhvillimeve më të rëndësishme në çështjen Balluku.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.


























