Aldo Avdylaj, alias Elidon Avdylaj, u arrestua nga Forcat Renea dhe ato Operacionale në bashkëpunim me policinë e Durrësit, pasi u gjend i fshehur në një apartament pranë Liqenit të Thatë në Tiranë.
Arratia e 37-vjeçarit zgjati vetëm disa ditë pas operacionit të 2 tetorit që goditi grupet kriminale të Aleksandër Lahos dhe Astrit Avdylajt.
Gjatë kontrollit në banesë, atij iu gjet një pistoletë dhe municion luftarak të fshehur poshtë jastëkut, ndërsa ndaj tij janë ngritur akuzat për tre vepra penale: “vrasje me paramendim” kryer për hakmarrje, “pastrim parash” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Sipas SPAK, 37-vjeçari dyshohet si autor i vrasjes së Edmir Bregut, ngjarje kjo e zbardhur përmes komunikimeve në aplikacionin Sky ECC.
Bisedat e interceptuara tregojnë një komunikim të vazhdueshëm mes pjesëtarëve të grupit për organizimin e ekzekutimit.
Grupi kishte vënë në funksion një rrjet që përfshinte baza për strehimin e armëve, automjete të vjedhura për të shmangur identifikimin dhe njerëz të besuar për vëzhgimin e objektivit. Nga bisedat del një strategji për eliminimin e njëpasnjëshëm të anëtarëve të grupeve rivale në Durrës.
Hetimet tregojnë se porositësi i vrasjes ishte xhaxhai i tij, Astrit Avdylaj, si hakmarrje për një tentativë të mëparshme për të vrarë Aldon.
Në dosjen e SPAK zbardhen biseda mes Aldo Avdylajt dhe xhaxhait të tij, ku Astrit Avdylaj e udhëzonte të tregohej i kujdesshëm për “punët” që kryenin dhe të mos i merrte vesh “Rrumi i Shijakut”. Ai i dha udhëzime të rrepta për të ruajtur sekretet, të përdorte maska dhe doreza, të mos qëndronte gjatë në një vend dhe të qëllonte gjithmonë në mënyrë fatale.
Prokuria dyshon se ekzekutorë ishin Alfred Doka, ende në kërkim, dhe Ermir Dedja, i vrarë më 20 maj 2025 në Durrës.
I akuzuar, si ndihmës në ngjarje është edhe Enea Kume, vëllai i deputetit socialist Loer Kume.
Operacioni i 2 tetorit i Prokurorisë së Posaçme çoi në sekuestrimin e 11 pasurive me sipërfaqe totale 254,300 metra katrorë në zonën bregdetare të fshatit Shetaj dhe në arrestimin e katër personave, Vullnet Muça, Enea Kume, Vlash Brahja dhe Astrit Avdylaj.
Grupi bashkëpunonte me Aleksandër Lahon për tjetërsimin e pronave bregdetare përmes falsifikimit të dokumenteve, duke paguar zyrtarë lokalë të kadastrës deri në 5 milion lekë për akte pronësie.
Prokuroria dyshon se Laho kishte akses të drejtpërdrejtë në sistemin e kadastrës së Durrësit dhe e përdorte këtë ndikim për të tjetërsuar prona dhe për të favorizuar njerëzit, në këmbim të mbështetjes në veprimtari kriminale, përfshirë eliminimin e kundërshtarëve.
Në një nga bisedat e interceptuara, Laho e shpreh se pa viktima dhe pa goditje të drejtpërdrejta ndaj kundërshtarëve, ata nuk do të arrinin ta shkatërronin grupin rival. Objektiva kryesorë ishin Lulzim Berisha, Edmond Çekiçi dhe Plaurent Dervishi.
Dosja përmban biseda ku diskutohen përgatitje për atentate ndaj personave të tjerë, si Edmond Çekiçi, për të cilin Elidon Avdylaj dhe grupi i tij mendonin se ishte truri i veprimeve në terren të grupit rival. Ermir Dedja, përpara se të vritej në maj 2025, ishte shumë aktiv në këto plane dhe kërkonte nga Elidoni ndihmë financiare, armë dhe mbështetje.
Më 2 tetor, SPAK kreu një operacion që çoi në shkatërrimin e dy grupeve kriminale në Gjirin e Lalzit, të përfshirë në vrasje dhe tjetërsime pronash. U sekuestruan 11 pasuri me sipërfaqe totale 254,300 metra katrorë në zonën bregdetare të fshatit Shetaj, Durrës.
Në pranga u vunë katër persona: Vullnet Muça, vëllai i Aleksandër Lahos, Enea Kume, vëllai i deputetit Loer Kume, Vlash Brahja, dhe Astrit Avdylaj, i cili ndodhet në burg në kuadër të operacionit “Revanshi”.
Disa dokumente të gjetura në automjetin e ish-prokurorit Arjan Ndoja, tashmë deputet i PD-së, ditën kur iu bë atentat në nëntor 2019 teksa ndodhej në shoqërinë e Aleksandër Lahos, ndihmuan SPAK të zbardhte skemën e përvetësimit të pronave shtetërore në bregdetin e Durrësit.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.

























