Vrasja e gjyqtarit Kalaja ndez debatin për Kodin Penal

Kryeministri kërkon ashpërsimin e Kodit Penal, kjo qasje ka hasur kritikë të fortë nga ekspertët e drejtësisë, të cilët theksojnë se problemi nuk qëndron te ligjet, por te mungesa e zbatimit efektiv, infrastruktura e dobët dhe retorika e politizuar ndaj gjyqësorit.

1520
Kodi i ri penal
Credits: shteg.org - Kodi i ri penal

Dy ditë pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, 260 gjyqtarë nga gjithë Shqipëria u mblodhën në Polin e Drejtësisë për të diskutuar mbi mungesën e sigurisë në sallat gjyqësore dhe për retorikën politike që, sipas tyre, ka minuar autoritetin dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Magjistratët folën gjithashtu mbi problemet në zbatimin e ligjit, kontrollin e kufizuar mbi funksionarët e drejtësisë dhe mungesën e një strategjie të qëndrueshme për parandalimin e akteve kriminale kundër tyre.

Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, e quajti ngjarjen një “vdekje të paralajmëruar”, duke e lidhur direkt me retorikën e ashpër politike që, sipas tij, ka minuar respektin dhe autoritetin e gjyqësorit, duke përforcuar perceptimin se vetëgjyqësia lind kur drejtësia ndikohet nga frika dhe presioni publik.

Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi ngjarjen për të paralajmëruar ndryshime në legjislacion që do të çonin në ashpërsimin e Kodit Penal, dhe pse ai vetë ka përdorur një gjuhë të ashpër dhe ironike ndaj disa gjyqtarëve, duke i quajtur “pa atdhe” dhe “birbo”.

Përfaqësuesit e sistemit gjyqësor, si Sokol Sadushi, kreu i Gjykatës së Lartë, dhe Arben Rakipi, drejtues i Shkollës së Magjistraturës, avokatët si Dorian Matlija, konstitucionalisti Jordan Daci, bien dakord se ndërhyrja e njëanshme përmes Kodit Penal nuk zgjidh problemin.

Ata theksojnë se nevoja më e madhe është për masat parandaluese, monitorim të sigurisë, ndërgjegje juridike dhe harmonizim me standardet evropiane, duke theksuar se retorika politike e ashpër mund të minojë besimin e qytetarëve te drejtësia.

Retorika politike që ushqen urrejtjen

Kryeministri Edi Rama dhe Elisa Spiropali
Credits: LSA – Kryeministri Edi Rama dhe Elisa Spiropali

Nga ndërtesa e Polit të Drejtësisë, kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, e cilësoi vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, një “vdekje të paralajmëruar”, dhe pasojë e denigrimit të vazhdueshëm të gjyqtarëve nga politikanët dhe jo rrallë herë nga ekzekutivi.

“Kjo është një vdekje e paralajmëruar. Prej vitesh, gjyqtarët janë bërë shënjestër e fyerjeve, kërcënimeve dhe denigrimeve. Në vend që të mbrohej pavarësia e gjyqësorit, është goditur autoriteti i tij. Në vend që të ndërtohej respekti ndaj drejtësisë, është nxitur përbuzja ndaj saj.” – deklaroi kreu i gjykatës së lartë.

Sipas Sadushit, çfarë ndodhi në atë sallë gjyqësore ishte vetëm kulmi i një “mllefi” që është krijuar prej vitesh.

Dhe një ndër të duket se ishte kryeministri i vendit, i cili gjatë muajve të verës dhe vjeshtës 2025 gati krijoi një fushatë denigrimi kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në reagimet e tij të përsëritura në Facebook, gjatë verës dhe vjeshtës 2025, kryeministri Edi Rama ka sulmuar publikisht funksionarët e drejtësisë, duke i akuzuar për “anti-ligj”, “antishtet” dhe për vendime që, sipas tij, cenojnë interesin publik dhe programet qeveritare.

Ai ka përdorur një gjuhë të ashpër dhe ironike ndaj magjistratëve si Balliu, Demiri, Ligoraq, Boshku e prokurorja Gjeli, duke i cilësuar si “pa atdhe”, “pa din e pa iman”, “birbo” apo “ujq me mëlçi në qafë”.

Ai ka paralajmëruar se qeveria nuk do të heshtë më përballë “abuzimeve me pavarësinë e drejtësisë”, duke theksuar se “kush tallet me interesat e shtetit do të përballet me keq-bërjen e vet jo vetëm në organet e vetëqeverisjes së gjyqësorit, por edhe në sytë e opinionit publik”.

Në të gjitha reagimet, Rama kërkon ndërhyrjen e institucioneve të vetëqeverisjes së drejtësisë (KLGJ, ILD) dhe denoncon “qetësinë” e tyre përballë rasteve që, sipas tij, tregojnë se ende ekziston “drejtësia e vjetër” brenda sistemit të ri, reformimin e së cilës jo rrallë herë i del për zot.

Për avokatin Dorian Matlija, është pikërisht kjo narrativë politike që ushqen urrejtje ndaj gjyqësorit.

“Ka një rrezik të madh që narrativa politike, dhe veçanërisht retorika e pushtetit, të ushqejë urrejtje, pasiguri dhe mosbesim ndaj sistemit të drejtësisë. Kur figura si Kryeministri përdorin retorikë antagoniste ndaj gjyqësorit, publiku që nuk ka njohuri teknike për sistemin dhe ligjet në përgjithësi ka tendencën për të besuar se gjyqësori është pjesë e problemit, jo e zgjidhjes.” – thotë avokati.

Matlija shpjegon se mekanizmat e zhvendosjes së fajit përdoren shpesh nga qeveria, duke akuzuar gjyqësorin për dështimet e sistemit, ndërkohë që përgjegjësia reale për ligjet dhe reformën eksperimentale që dëmtoi kapacitetet e drejtësisë shpesh injorohet.

“Qeveria shmang përgjegjësitë e veta duke tërhequr vëmendjen tek drejtësia që ‘nuk jep vendime të duhura’. Kjo krijon një narrativë që gjyqësori është fajtori dhe jo politika që harton ligjet e mbrapshta, dhe në bashkëpunim me faktorë ndërkombëtarë të papërgjegjshëm dërrmuan edhe kapacitetet e drejtësisë përmes një reforme eksperimentale të dështuar.” – shton Matlija.

Sipas avokatit  forcimi i drejtësisë nuk varet nga ashpërsimi i Kodit Penal, por nga funksionimi real i sistemit dhe ndërtimi i një narrativi që mbështet besimin te gjyqësori, jo nga retorika politike që e etiketojnë atë si armik.

Konstitucionalisti Jordan Daci beson se narrativa politike nuk është shkaku kryesor i perceptimit negativ që publiku ka mbi drejtësinë.

“Politika është nëna e shumë problemeve dhe ndikon në vendimmarrje të gabuara, por narrativa e gjyqësorit, shkaktuar nga vetë sistemi, ka ndikim më të madh. Për shembull, një gjyqtar që trajton një rast me një qasje humane dhe të drejtë nuk do të marrë kurrë vërejtje, ndërsa vendime “jonjerëzore” mund të shkaktojnë kritika, sharje dhe kërcënime.” – thotë ai.

Sipas tij, sistemi jonë është në prag të një kolapsi total që kërkon zgjidhje të menjëhershme.

“Edhe pse flitet për rreth 200 mijë çështje ose më shumë, duke përfshirë dy gjykatat dhe rastet e viteve 2016-2017, nuk po bëhet asgjë për t’u përballur me këtë krizë. Nëse nuk ndërhyhet urgjentisht, situata do të jetë shumë alarmante dhe mund të prodhojë raste të rënda, madje edhe humbje jete” – shton Daci duke theksuar gjithashtu rëndësinë e një drejtësie humane dhe të barabartë ku sistemi duhet të ndihmojë qytetarin dhe të ruajë ekuilibrat shoqërorë, jo të shndërrohet në instrument politik.

Me dorë të hekurt, burg…burg…burg

Një kukull me rroba burgu gjatë një proteste në Bulevardin Dëshmorët e Kombit
Credits: LSA – Një kukull me rroba burgu gjatë një proteste në Bulevardin Dëshmorët e Kombit

Kryeministri Edi Rama, pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, propozoi ashpërsimin e Kodit Penal, duke e lidhur këtë ngjarje tragjike me nevojën për të forcuar sigurinë dhe ndëshkimin për veprime të paligjshme.

“Kjo ngjarje tragjike besoj se është argumenti më i pakundërshtueshëm për të mbështetur ashpërsimin domethënës në Kodin Penal të dënimit për armëmbajtjen pa leje,” deklaroi ai.

Por kjo qasje ka hasur kritikë të fortë nga ekspertët e drejtësisë, të cilët theksojnë se problemi nuk qëndron te ligjet, por te mungesa e zbatimit efektiv, infrastruktura e dobët dhe retorika e politizuar ndaj gjyqësorit.

Ata e shohin këtë propozim si një reagim emocional dhe politik ndaj ngjarjeve të rënda, më shumë se një strategji e menduar për ndërtimin e një sistemi më të drejtë.

Arben Rakipi, drejtues i Shkollës së Magjistraturës, e cilëson forcimin e Kodit Penal si një masë të pamjaftueshme përballë shkaqeve të thella të krizës së drejtësisë.

Ai thekson se “cilësia e ligjit penal është premisë që përmban mundësinë e parandalimit të krimeve, por mbetet e pamjaftueshme”, duke shtuar se “asnjëherë në Shqipëri ligji, dhe ai penal në veçanti, nuk ka qenë pengesë për mbarëvajtjen e jetës institucionale”.

Për Rakipin, problemi qëndron në “zbatimin me standarde të shumëfishta, mungesën e ndërgjegjes juridike dhe përhapjen e korrupsionit”, çka sipas tij “e zhbën ligjin sepse është shndërruar në mënyrë jetese”.

“Gjithkush që amplifikohet nga komunikimi në publik, është shkak prezent në skicimin e portretit të drejtësisë si dele e zezë e vendit. Ajo përçmohet haptazi, denigrohet, shpifet ndaj saj, abuzohet në emër të saj, nxitet të punojë me disa standarde, nëpërkëmbet për frikë duke e shtyrë në qoshe ku duhet të presë dhe durojë urrejtjen e masës apo turmës. Ky është shërbimi më i lartë që i bëhet anti-shtetit. Për fat të keq, drejtësia vetë vazhdon të mos kuptojë apo bëjë si e tillë që qeveriset vetë në mënyrë të pavarur dhe duhet të tregojë që është e tillë, drejtësi në shërbim publik e barabartë për të gjithë.” – thotë Rakipi.

Për Avokatin Dorian Matlija, ashpërsimi i Kodit Penal nuk është rruga e duhur për forcimin e sistemit të drejtësisë, pasi ligji aktual parashikon dënime të rënda, si në nenin 79/a për vrasjen e gjyqtarëve, që dënohet me burgim të përjetshëm ose jo më pak se tridhjetë vjet.

Megjithatë, Matlija argumenton se as dënimet ekstreme nuk pengojnë krimin kur aktorët nuk veprojnë racionalisht.

“Nga përvoja ndërkombëtare, dënimet ekstreme zakonisht nuk kanë efekt pengues në rastet që janë kryer nga persona që nuk bëjnë llogari racionale para se të kryejnë krimin.” – thotë Matlija, sipas të cilit problemi kryesor është mungesa e sigurisë në sallat e gjyqit dhe jashtë tyre.

“Në rastin e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, problemi më i madh nuk ishte Kodi Penal, që dukshëm dënon maksimalisht, por është siguria në sallën e gjyqit dhe jashtë saj, mungesa e kontrolleve fizike, rojeve adekuate, monitorimi, vlerësimi i riskut të shtuar për disa funksionarë.” – vijon avokati, sipas të cilit propozimi politik i ashpërsimit të ligjit duket si retorikë për të tërhequr vëmendjen, jo si strategji reale për drejtësinë.

“Kryeministri, në fjalimet e tij, përdor shpesh retorikën e nevojës për kod penal më të ashpër si mjet politik për të tërhequr vëmendje dhe jo si reflektim real i një strategjie të qëndrueshme për drejtësinë” – thotë avokati.

Për konstitucionalistin Jordan Daci, forcimi i drejtësisë nuk arrihet përmes ashpërsimit të ligjeve penale, por përmes përmirësimit të funksionimit të sistemit.

“Të gjitha idetë që synojnë të forcojnë drejtësinë përmes ligjeve penale, në parim, janë të gabuara. Një sistem i drejtë, i pavarur dhe i përgjegjshëm nuk matet me ashpërsinë e vendimeve penale, por me qasjen e lehtë të qytetarëve në sistem, heqjen e pengesave për pjesëmarrje në procesin gjyqësor, zgjidhjen e çështjeve në mënyrë të shpejtë dhe të drejtë, dhe ruajtjen e ekuilibrave shoqërorë”- argumenton Daci sipas të cilit ndërhyrjet në kodin penal janë zgjidhja e fundit që duhet bërë.

Konsitucionalisti argumenton se ligji penal duhet të jetë një instrument i funksionimit të sistemit, jo i zgjidhjes së problemeve të individëve që shkelin ligjin.

Ai citon rastin e armëmbajtjes pa leje, ku ndryshimet në ligj ishin të papërputhshme dhe jologjike në raport me dënimet për krime më të rënda. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese më vonë e shfuqizuan këtë mënyrë trajtimi, duke treguar se forcimi i drejtësisë nuk arrihet me ligje të ashpra, por me një sistem funksional dhe efikas.

“Forcimi i drejtësisë bëhet duke rritur efikasitetin, reduktuar kostot dhe duke e bërë sistemin më të drejtë dhe më të qasshëm për qytetarët. Problemet endemike të sistemit nuk janë adresuar nga reforma të mëparshme, dhe ndërhyrjet në Kodin Penal duhet të jenë zgjidhja e fundit, jo mënyra e parë. Çdo ndryshim i pamenduar mund të shndërrojë sistemin në një instrument shteti mbi individin, duke minuar të drejtat dhe liritë themelore” – përfundon ai.

Ndërsa politologu Alban Daci argumenton se zgjidhja e problemit të sistemit të drejtësisë është te harmonizimi i normave me ligjet evropiane.

“Shqipëria ka një eksperiencë të mirë të ligjeve, akteve normative, dispozitave dhe nuk ka nevojë për një ‘tabula rasa’, por për të azhurnuar ekzistuesin duke e afruar para së gjithash në harmoni me normativat e BE si kusht thelbësor për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë. Nëse në dialektikën juridike përdoret termi ‘forcim’, që brenda mban fjalën ‘forcë’, nuk do të arrijmë të kemi një drejtësi të pranuar, por ndoshta do të vazhdojmë të kemi një drejtësi të diktuar përtej realiteteve sociale, ekonomike dhe frymës demokratike që duhet të ketë Shqipëria.” – thotë politologu Alban Daci.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.